SPAK ka dërguar një kërkesë në GJKKO për pushimin e procedimit ndaj gjyqtares Irena Gjoka për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Kjo kërkesë e SPAK erdhi pasi më herët Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi se vendimi i Gjykatës së Janinës për të dënuar gjyqtaren e GJKKO, Irena Gjoka, për falsifikim të vizës, i marrë në korrik 2005, është i vërtetë dhe autentik.

Lidhur me këtë vendim të Gjykatës së Janinës për Gjokën, avokati Edmond Petraj tha në emisionin 'Repolitix' me gazetarin Denis Minga në Report Tv, se atë dokument e ka sjellë në Shqipëri eurodeputeti Fredi Beleri, për llogari të Sali Berishës.

“Është paraqitur një vendim si autentik aty, ndërkohë që ky vendim nuk gjendet askund në arkivën greke. Kërkon në database, nuk e gjen as historik, as procedim, as dëbim dhe ato vizat që janë menduar janë marrë në ambasadën greke, kanë qenë 1 vjeçare.

Beleri e ka sjellë atë vendim. Paska vajtur në gjithë Greqinë dhe solli një vendim penal që nuk qenka në databaze, që edhe shteti më i humbur e ka databazen ku regjistrohen vendimet dhe procedimet penale, dëbimet, etj. Është diskutuar pjesa e marrëdhënies së një avokati. Personi nuk ka qenë asnjëherë avokat. Personi që ka vajtur atje ishte vetëm pse dinte greqisht. S’ka lidhje fare ajo prokurë e cila është trumbetuar që ka qenë avokat e të tjera”, tha mes të tjerash Petraj.

Teksa e cilësoi dokumentin e vendimit të Gjykatës së Janinës si të fabrikuar, Petraj shtoi se në arkivat dhe databazat greke nuk ekziston një vendim i tillë.

Petraj tha më tej se gjyqtaren Gjoka donin ta bënin ‘kokë turku’, pasi dha masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ për kryedemokratin Sali Berisha.

“S’ka lidhje ambasada fare, as konsulli. Vendimi siç është marrë me ato format e veta, i është vënë një vulë apustile te noteri grek që e merr kollaj dhe e sjell këtu si provë. Ai dokument është i fabrikuar. E kam ndjekur dhe e di me imtësi këtë. SPAK po thotë ‘ne sipas një dokumenti të ardhur’ sepse ai dokument nuk figuron fare në arkivën greke. Ajo është një çështje e stisur. Ata kërkonin ta përdornin si kokë turku Gjokën. Po goditet pikërisht ajo gjyqtare pse dha masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ për Berishën. Berisha dhe Beleri nga 10 prilli 1994 deri në 2026 janë krah për krah më njëri-tjetrin. I përfshirë është edhe shteti grek”, tha mes të tjerash avokati Petraj.

Nga ana tjetër, juristi Rezart Kthupi deklaroi se faktet tregojnë se vendimi i Gjykatës së Janinës për dënimin e gjyqtares Irena Gjoka është një vendim që nuk ka rrjedhur pas një procesi gjyqësor, por është një vendim i futur qëllimisht në arkivën e Gjykatës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:08
Dokumenti për dënimin e Irena Gjokës në Greqi, juristi Kthupi: Faktet tregojnë se kemi të bëjmë me një vendim që s’ka rrjedhur nga një proces gjyqësor, por që është futur qëllimisht në arkiv

Pas kërkesës së SPAK për GJKKO, ku kërkonte pushimin e çështjes për Irena Gjokën, juristi Rezart Kthupi ka deklaruar se vendimi për dënimin e gjyqtares nga Gjykata e Janinës, nuk ka rrjedhur nga një proces i rregullt gjyqësor.

Komentet Kthupi i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se vendimi në fjalë është i futur në mënyrë të panjohur në gjykatën greke.

Ai shtoi gjithashtu se i habitshëm është fakti se për rastin e Gjokës gjendet vetëm vendimi, por nuk gjendet asnjë akt tjetër procedural.

“Kur shkohet për të arritur një vendim penal, të gjithë njerëzit që kanë shkuar në Gjykatë e dinë se ka një fashikull gjyqësor. Ka prova, ka dosje hetimore, ka një numër regjistrimi në Prokurori para se të shkosh në Gjykatë. Regjistron numrin e çështjen prokuroria dhe ti në përfundim arrin pastaj që prokurori dërgon çështjen në gjyq, Gjykata vendos dhe pastaj del vendimi. Vendimi del në bazë të një dosjeje me prova, me argumenta me akte proceduriale.

Ajo që është e habitshme në rastin e Gjokës, është se gjendet vetëm vendimi, por nuk gjendet asnjë akt tjetër. Aktet proceduriale nuk asgjësohen. Mbeten gjithmonë në regjistër. Kjo shkon në favor të teorisë që ai vendim nuk është një vendim që ka rrjedhur si pasojë e një procesi gjyqësor, por është një vendim që është futur aty. Ne nuk jemi në gjendje të vlerësojmë si është futur, por në momentin që është futur, Ministria e Drejtësisë greke nuk mund të thotë që vendimi nuk ekziston”, tha mes të tjerash Kthupi.