TIRANË- Në Gjykatën e Posaçme sot pritej të shqyrtohej kërkesa e SPAK për pushimin e procedimit për gjyqtaren e posaçme, Irena Gjoka, e kallëzuar nga PD për flasifikim të vulave dhe formularëve. Kërkesa e SPAK do të shqyrtohet nga gjyqtarja Marinela Osmani. Në seancë, në cilësinë e kallëzuesit u paraqitën edhe avokatët e Sali Berishës, si edhe vetë Jamarbër Malltezi.

Por, gjyqtarja Osmani vendosi shtyrjen për më datë 4 maj për shkak të kërkesës së Adriana Kalasë, e cila ishte vetë ajo që e kallëzoi Gjokën por nuk shkoi në seancë. Mësohet se Kalaja kishte paraqitur raport mjekësor 4-ditor duke kërkuar shtyrjen pasi pretendon se është sëmurë. 

Gjyqtarja Gjoka u kallëzua nga Partia Demokratike me pretendimin se ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim të dhënë ndaj saj nga një gjykatë në Janinë. Por sipas SPAK-ut procesi ndaj saj është zhvilluar në mungesë dhe ajo nuk ka qenë në dijeni, duke shtuar se edhe sikur të merrej e mirëqenë ekzistenca e këtij vendimi penal, ndjekja penale lidhur me këtë fakt rezulton e shuar për shkak të parashkrimit.

Irena Gjoka ka qenë objekt i sulmeve të përsëritura nga ana e kryetarit demokrat Sali Berisha, duke qenë se ajo ka qenë gjyqtarja e hetimeve paraprake në dosjen e privatizimit të ish-klubit “Partizani”, për të cilën ai është vënë nën akuzë për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi për korrupsion dhe pastrim parash.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë