Oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të shoqëruar nga forca policie, kanë ushtruar pasditen e kësaj të enjteve kontrolle në zyrat e kompanisë farmaceutike “Delta Pharma” në Kashar në Tiranë.

Kontrollet, janë bërë për shkak të hetimeve që lidhen me ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Po kështu janë kryer kontrolle edhe tek kompania Avicena dhe farmacitë “Ditë e Natë”, biznese këto në pronësi të kompanisë Delta Holding, e cila në QKB rezulton me administrator Ewa Maria Kokot dhe zotërues aksionerë 50% me 50% Eduard Curra, Dorian Sadiku.

Prokuroria e posaçme SPAK nuk ka dhënë ende një informacion zyrtar për arsyet e kontrolleve apo nëse ka bllokime apo sekuestro. Burime për Report TV kanë bërë me dije se kontrollet mund të lidhen me verifikimin e një kontratë të 'Delta Pharma' për furnizim të Ministrisë së Shëndetësisë me medikamente, një tender 150 mln lekë. Gjithashtu po verifikon disa kontrata të farmacive ‘Ditë e Natë’.

Nga pamjet e siguruara nga Report TV policia është e stacionuar pranë farmacive ‘Ditë e Natë’ dhe sipas burimeve mësohet se punonjësve të këtyre të farmacive u është thënë të mos dalin në punë nesër.

Në 2016 nga opozita është bërë një denoncim se në vitin 2014, Beqaj ka favorizuar kompaninë  ‘Delta Pharma’, duke ndryshuar kriteret e një tenderi për të lejuar futjen e barnave të pa certifikuara në vend. Megjithatë për këtë denoncim SPAK në asnjë moment nuk ka konfirmuar se po kryen hetime.

Kujtojmë se SPAK po heton disa koncesione në shëndetësi dhënë në kohën kur Ilir Beqaj drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë. Akuzë konkrete për Beqajn nga SPAK është ngritur për shpërdorim detyre për koncesionin e sterilizimit.

Kush i ka në pronësi

Kompania “Delta Pharma” - në QKB rezulton me administrator Eduard Curra. Zotërues DELTA HOLDING - 100%

Kompania 'Avicena'  - Në QKB rezulton me përfaqësues Enrik Zotaj 

Farmacitë "Ditë e Natë' - në QKB rezultojnë me administrator Ewa Maria Kokot; Fatjon Jani - dhe zotërues Metro Farmaci 90% e Klodian Stopani 10%

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:23
Kontrollet në kuadër të hetimeve/ Policia e stacionuar pranë farmacive ‘Ditë e Natë’ në Tiranë, Report Tv sjell pamje

 

Report TV sjell pamje që tregojnë se policia është stacionuar pranë farmacive ‘Ditë e Natë’ por dhe në disa farmaci të tjera kryesisht të lokalizuara në Tiranë duke ushtruar kontrolle në kuadër të hetimeve që lidhen me ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.