Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për standarde të dyfishta në raport me drejtësinë.
Referuar rastit të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila u mor sot zyrtarisht e pandehur për ‘korrupsion’, ‘pastrim parash’, ‘fshehje pasurie’ dhe ‘shkelje të barazisë në tendera’, Bardhi shprehet se Rama kërkon që të mbajë në Kuvend zyrtarët e korruptuar dhe të burgosë të rinjtë që protestojnë.
Reagimi i Bardhit vjen po ashtu pasi kryeministri Rama propozoi uljen e moshës për dënimin penal. Ai thekson se Balluku vijon të jetë e lirë, ndërsa studentë dhe të rinj janë arrestuar pas protestave.
Sipas tij, kjo situatë përbën përmbysje të parimeve të drejtësisë dhe mungesë të barazisë përpara ligjit.
Në fund të reagimit, Bardhi kërkon lirimin e studentëve të arrestuar dhe prangosjen e Ballukut.
Reagimi i Bardhit:
Edi Rama propozon që të korruptuarit t’i mbajmë në Kuvend, ndërsa fëmijët t’i fusim në burg! Kjo është përmbysje e çdo vlere dhe e çdo parimi të drejtësisë. Çmenduria ka emër: Edi Rama!
Belinda Balluku është marrë sot e pandehur nga SPAK për 15 krime, ndër më të rëndat e parashikuara nga Kodi Penal.
Konkretisht:
* “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë).
* “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
* “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
* “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive dhe i interesave privatë nga personat e zgjedhur dhe nëpunësit publikë, ose nga çdo person tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” (dy herë).
* “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale” (në lidhje me dy pasuri të paluajtshme).
Por, ndërsa përballet me këto akuza, Belinda Balluku vazhdon të lëvizë e lirë. Nuk është në burg!
Ndërkohë, fëmijët, studentët dhe të rinjtë përfundojnë në burg sepse protestojnë dhe kërkojnë drejtësi. Sepse refuzojnë korrupsionin e qeverisë së Edi Ramës dhe kërkojnë llogaridhënie për veprimet e tij dhe të Belinda Ballukut.
Lironi studentët! Arrestoni Belinda Ballukun!
Lajmi kryesor:
Belinda Balluku merret e pandehur për korrupsion, pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera në 9 raste dhe fshehje pasurie! SPAK i komunikon akuzat








