SPAK po bën 'nxemjen' me Tushen, në radhë janë 'dinozaurët' e korrupsionit?!

SPAK po bën 'nxemjen' me Tushen, në radhë janë 'dinozaurët' e korrupsionit?!

Fatos Tushe

SPAK ka ndërmarrë një operacion masiv anti-korrupsion, në kuadër të goditjes së këtij fenomeni që i ka zënë frymën dhe bllokuar ecjen para këtij vendi.

Nga aksioni janë disa të arrestuar ku mes tyre është  shoqëruar edhe kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe. Në operacion, i cili ka nisur në mengjesin e së martës u perfshinë RENEA dhe FNSH që realizuan kontrolle në Kadastrën e Lushnjes.

Janë arrestuar 11 persona, mes tyre Tushe. Forca të shumta zbarkuan në zyrat e Ndërmarjes së Pasurive Publike në bashkinë e qytetit. Të arrestuarit akuzohen për korrupsion dhe abuzim me tenderin e rehabilitimit të kanalit ujitës, me vlerë 24 milion te reja.

Tre prej tyre janë zyrtarë të bashkisë Lushnje, Ndërmarrjes së Pasurive Publike dhe Ujësjellësit që është në varësi të bashkisë.

Ky aksion vjen vetëm një ditë pas deklaratës së kreut të SPAK, Arben Kraja i cili paralajmëroi një “furtunë” të tillë, nga e cila me sa duket nuk do të shpëtojë asnjë zyrtar që ka abuzuar me detyrën dhe që ekzistojnë prova e fakte për t’i mbyllur në qeli e dhënë llogari si keqbërës e të korruptuar, pa harruar konfiskimin e pasurisë dhe derdhjen e saj në arkën e shtetit.

Mazhoranca u tregua menjëherë solidare me këtë aksion të SPAK, ku përmes kryeministrit Edi Rama ka deklaruar se kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe, i cili u arrestua ditën e sotme, nuk do ketë asnjë mbrojtje nga PS.

“Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga PS e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve.

Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak“, reagon Rama!

Shkurt e qartë: kush ka abuzuar me detyrën i hiqet “stoli” i mbështetjes politike nga mazhoranca për t’u përballur vetë me drejtësinë dhe dhënë llogari për të gjitha akuzat.

A do ta bëjë këtë dhe opozita PD-LSI kur SPAK të fillojë me ish zyrtarët e saj, mbetet për t’u parë!

Shenjat janë se do ta politizojë, dhe kjo u pa me shpalljen “non grata” familjarisht të Sali Berishës nga SHBA, për korrupsion të lartë. E gjithë opozita në kor, shtuar dhe Presidentin i doli në mbrojtje duke kërkuar fakte nga sekretari amerikan i shtetit Blinken. Madje duke mbështetur padinë e ish kryeministrit, në Paris, kundër aleatit tonë të madh! A thua Uashingtoni flet  badihava duke akuzuar Berishën pa prova!

Sot filloi me një kryetar bashkie, përfaqësues i PS, çka tregon se goditja e SPAK ndaj korrupsionit në nivelet e larta nuk është selektive. Por “këtu ka radhë” dhe nuk mund të përjashtohen “dinozaurët”!

E thënë me fjalë më të thjeshtë është vetëm fillimi, ndaj të presim sepse nuk kemi parë gjë akoma. Qelitë janë “pastruar” tashmë dhe në gjendje të mirë, sidomos ato të burgut të Reçit të ndërtuar me financim tërësor nga ana e Bashkimit Europian. E kemi theksuar dhe më parë, janë në pritje të “peshqve të mëdhenj”!

Dikush mund të thotë se është filluar me një kryetar vendor, pse nuk ngjiten në nivelet më të larta, ish zyrtarë dhe zyrtarë të lartë, për të cilët ka akuza akoma më të rënda se sa 24 milionë lekë abuzim në Lushnje, për të cilin 11 vetë janë futur në burg!

Paralajmërimin e ka dhënë ambasadorja e SHBA, përfaqësuesja e aleatit tonë kryesor të madh që ka kontribuar me të gjithë mënyrat dhe mjetet për të arritur tek drejtësia e re që po na shfaqet sot këmbëngulëse në luftën kundër korrupsionit.

Yuri Kim ka reaguar për operacionin e SPAK, ku u arrestua kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe dhe punonjës të tjerë, ku në një postim në rrjetet sociale shkruan se askush nuk është mbi ligjin dhe se ka ardhur koha që gjithë secili te mendojë nëse ia vlen të shkosh në burg.

“Nëse jeni të përfshirë në korrupsion, pa marrë parasysh sa të fuqishëm mendoni se jeni tani është koha të konsideroni ndikimin që veprimet tuaja do të kenë te familja dhe vendin juaj.

Është koha të shqyrtojmë nëse ia vlen të shkosh në burg. Tani është koha për të ndaluar. Askush nuk është mbi ligjin” shkruan ambasadorja.

Ky është një mesazh i qartë, dhe ka shkuar në “veshët” e atyre që kanë bërë zullume të mëdha në këtë vend! Me sa duket “steka” e goditjes ndaj korrupsionit është “shënjuar” edhe lart, ndaj “s’kemi parë gjë akoma”!

Janë publikuar me zë dhe figurë fakte lemeritëse, ku një zyrtar i lartë me rrogë shteti ka pasuri marramendëse që shkon deri në miliona euro, vila, biznese guroresh e mermeri, fshatra turistike, rrjet dyqanesh veshjes luksoze. Anipse nën emra të tjerë, pesha të rënda për t’u ngritur nga këta njerëz që vetëm emrin kanë si pronarë, pasi në të vërtetë janë rrogëtarë. Të pa gojë madje!

Nuk mund të qëndrohet symbyllur ndaj abuzimeve të tilla si afera e Rrugës së Kombit, ku sipas vetë raportit të KLSH, ka një abuzim prej 230 milionë eurosh. Eshtë dosje në radhë për t’u hetuar dhe pa diskutim që do të prodhojë “viktimat” e nivelit të lartë, pasi nuk “pi” më ujë raporti mjekësor, dhimbja e barkut apo “ping-pongu” me firmat e hedhura, ku një pjesë drejtorësh që kanë realizuar këto afera me urdhër të eprorëve të tyre janë dënuar me kohën e paraburgimit duke shijuar më pas paratë e fituara.

Apo ka dhe të tjerë që përmes prokurorëve dhe gjyqtarëve të pa kaluar në Vetting kanë arritur të fitojnë pafajësinë dhe të marrin madje dhe dëmshpërblim për “stresin e krijuar”, para këto të shpenzuara në funksion të blerjes së votave për partinë dhe liderin që i shpëtoi nga burgu.

Dikush mund të mendojë se mund të kalohet lehtë afera e madhe korruptive e biznesit të vdekjes në Gërdec, ku pasuria e ushtrisë kaloi badihava në favor të familjarëve të kryeministrit të atëhershëm, dhe që nga ky biznes vdekjeje humbën jetën 26 persona.

Bashkë me humbjet e jeteve humbi dhe kuptimi i shtetit, i ligjit, ku ministra, ushtarakë, prokurorë dhe gjyqtarë të emëruar për të mbyllur punët e pista ngriheshin në detyrë thjeshtë dhe vetëm se i kishin shërbyer me devotshmëri familjes.

Nuk mund të heshtet për aferën prej gati 500 milionë euro të CEZ-DIA, aferë e hapur dhe kur asnjë prej dëshmive të personave që kanë bërë denoncimin apo dhe të “penduar” në burg që implikojnë deri ish kryeministra  dhe ish zv.kryeministra, nuk janë marrë për bazë nga prokuroria e Adriatik Llallës dhe gjykatat e drejtuara nga persona që nga mbetja në Vetting tashmë ka nisur t’ju harrohet emri, i mbuluar nga milionat e pajustifikuara! Kujtohen vetëm për abuzimet!

Nuk mund të kalojë pa u hetuar “blloku i ri i udhëheqësve” të rinj në Gjirin e Lalzit, apo në gjithë zonën bregdetare e periferinë e shtrenjtë të Tiranës, apo çështjet e mbyllura me procedurë e me presione deri tek aferat mijëra euroshe.

Nuk do të ketë një “Xhon Megou” për të rënë në gjurmët e floririt të Krrabës të grabitur dy herë, në dy qeverisjet, dhe ku në vend që të shkonin kryeministrat e asaj kohe në burg, shkoi një fshatar që punonte me mushkë aty rrotull.

Janë të gjitha dosje që po u “hiqet pluhuri”, por po veprohet sipas radhës, me përkushtim dhe kujdes deri në kopsitjen e tyre përfundimtare, për të mos lënë jashtë “radarit” të hetimit dhe rrugët që ende pa u inaguruar janë prishur, apo janë bërë turli makinacioni për të përfituar nga paratë e shtetit!

Po shpluhurosen dhe dosjet e aferave të tenderave korruptive, të shpikura vetëm për të fituar në mënyrë abuzive, të cilat mund të quhen të vogla nga ish zyrtarët e zyrtarët e lartë. Por kur u prangos një kryetar bashkie bashkë me 10 persona të tjerë në Lushnjë për 24 milionë lekë, nuk besojmë se mund të heshtet për tenderin e “byzylykëve” të Ministrisë së Drejtësisë me një vlerë 2.2 milionë euro.

Pavarësisht se ish ministrat e asaj kohe sot “cicërijnë” për drejtësi të munguar dhe sulmojnë SPAK dhe Gjykatën Speciale se nuk po bëjnë detyrën për të cilën janë ngarkuar!

Duket e vogël kur sheh vlerat e tjera, por besojmë se tashmë “byzylykët” e drejtësisë janë drejtuar tek duart e “lordëve” të korrupsionit, të cilët kanë bërë çfarë kanë dashur në këto 30 vite, duke treguar se kanë qënë të paprekshëm. Tashmë paprekshmëria dhe pandëshkueshmëria ka marrë fund. Eshtë vetëm çështje kohe por dhe “radhe”! Të presim, nuk kemi parë gjë akoma!

SPAK sot bëri vetëm “nxemjen” me Tushen me sa duket, radha është për “dinozaurët” e korrupsionit!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja