Pas hetimeve të SPAK, GJKKO vendos sekuestrimin e 26 pasurive të Ylli Ndroqit. Hetimet për Ylli Ndroqin kanë nisur më 21 korrik 2020 në kuadër të ligjit anti-mafia. Ylli Ndroqi i njohur dhe si Xhemal Pasmaçiu është arrestuar për trafikim heroine në Turqi e Itali, konkretisht i arrestuar për heroinë në 1998 në Turqi dhe në 2015 në Itali. Ylli Ndroqi u arrestua në Itali edhe si organizator i trafikut të drogës. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Ylli Ndroqi është shoqëruar në policinë e Tiranës, për t'ju komunikuar vendimi i sekuestro së pasurisë. Ai është ndaluar nga FNSH dhe RENEA së bashku me eskortën e tij dhe nuk ka bërë rezistencë. 

1596457678_1596453892ndroqi.jpg

Ylli Ndroqi sot në drejtorinë e Policisë së Tiranës

Pjesë e pasurive të sekuestruara me urdhër të gjykatës në deklaratën e SPAK, ndër të tjera janë edhe "2 apartamente, 5 automjete, 7 troje dhe një sipërfaqe pylli. Mes pronave të sekuestruara edhe televizioni Ora News, Channel One si dhe shoqëritë 'Yldon', 'Rendon oil' e 'Don-Ucd', 'Interkinex', 'Albania Bay Marine' etj."

Në deklaratën e SPAK lexohet se: "Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka regjistruar procedimin pasuror nr.10, datë 21.07.2020, në ngarkim të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), lindur dhe banues në Tiranë. Nga aktet e administruara në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është konfirmuar se ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në indicje se shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemal Pasmaçiu) ka qënë i përfshirë në aktivitete kriminale të parashikuara në nenin 3 të ligjit Nr. 10 192, datë 03.12.2009 ″Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organziuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë″ (ligji Antimafia) :

1. Në datë 02.09.1998 nga ekipet e sektorit kundër narkotikëve të Drejtorisë së Policisë së Stambollit Turqi, pas kryerjes së hetimeve proaktive dy mujore, në kuadër të operacionit të policisë ″ESAS″, për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, janë sekuestruar 30.5 kg lëndë narkotike heroinë dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit Ismail Cira, Musa Kazim AY, Fatmir Sofia, Hekuran Hoxha, Cevdet Sahin Balcilar, Abdulselam Yunus dhe Ylli Ndroqi, i paraqitur me emrin Xhemail Pasmaçiu. Nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë administruar gjurmët daktiloskopike të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) dhe nëpërmjet Zyrës Qëndrore Interpol Tirana janë dërguar për krahasim zyrave homologe në Ankara, Turqi dhe Romë, Itali.

Nga të dhënat e siguruar nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Zyrën Qëndrore Kombëtare, Interpol-Ankara, Turqi, është konfirmuar se shtetasi Ylli Bahri NDROQI, i datëlindjes 11.03.1965, lindur dhe banues në Tiranë, është i njëjti person me Xhemail (Xhemal) PASMACIU (PASMAÇIU), i arrestuar në Turqi.

2. Zyra Qëndrore Kombëtare Interpol ka përcjellë të dhëna për aktivitetin kriminal të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), të siguruara nga Interpol Roma/Itali. Autoritetet italaine kanë konfirmuar se në vitin 2004 shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaciu), është referuar tek Autoritetet Gjyqësore në përfundim të operacionit ″BAKLLAVA″, si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë. Në vijim ai u arrestua më datë 17.02.2015 bazuar në urdhër arrestin e lëshuar në vitin 2006 nga Prokuroria e Milanos.

Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri, Turqi dhe Itali.

Së pari, pasuritë e mësipërme janë pasuri që plotësojnë kriteret e parashikuara nga neni 11 i ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 ″Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë″, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) është i përfshirë në veprimtarinë kriminale të veprës penale ″Trafikimit të narkotikëve″ dhe ″Organizata kriminale″, sipas legjislacionit penal turk, parshikuar njëkohësisht si vepër penale nga nenet 283/a dhe 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, si dhe pasuritë në fjalë janë krijuar gjatë përshirjes së këtij shtetasi në veprimtarinë kriminale të mësipërme.

Së dyti, pasuria e mësipërme, zotërohet nga shtetasit e sipërpërmendur si subjekt te ligjit dhe ekzistojnë prova konkrete se janë të pajustifikuara. Duke u krahasuar vlera e tyre me të ardhurat e fituara në rrugë të ligjshme, rezulton se vlera e tyre nuk iu përgjigjet dukshëm nivelit të të ardhurave dhe të fitimeve të realizuara në rrugë të ligjshme.

Së treti, ka arsye të bazuara për të besuar së lidhur me pasurinë e mësipërme ekziston rreziku real për humbjen, për marrjen apo për transferimin e saj tek persona të tjerë, me qëllim për të bërë të pamundur konfiskimin e këtyre pasurive.

Bazuar në sa më sipër Prokuroria e Posaçme i kërkoi Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sekuestrimin e pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemal Pasmaçiu) dhe familjarëve të tij. Me vendimin Nr.16, datë 01.08.2020, gjykata vendosi sekuestrimin e pasurive si më poshtë:

1. Pasuria e llojit apartament, me sipërfaqe 117 m 2 , me adresë, Lagjia Nr.13, Plazh, Durrës.
2. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 300 m 2 , me adresë, Zbarqe, Tiranë.
3. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 600 m 2 , mbi të cilën ndodhet një ndërtesë me sipërfaqe 90 m 2 , me adresë, Zbarqe, Tiranë.
4. Pasuria e llojit njësi shërbimi, me sipërfaqe totale 43.7 m 2 , me adresë, Tiranë.
5. Pasuria e llojit arë, me sipërfaqe totale 67.3 m 2 , me adresë, Tiranë.
6. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe totale 15 m 2 , me adresë, Tiranë.
7. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe totale 300 m 2 , me adresë, Zbarqe, Tiranë.
8. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe totale 2026 m 2 , me adresë, Mullet, Tiranë.
9. Pasuria e llojit apartament, me sipërfaqe 52.3 m 2 , me adresë, Rruga ″Qemal Stafa″, Tiranë, në bashkëpronësi me shtetasen Mimoza Ndroqi
10. Pasuria e llojit pyll, me sipërfaqe totale 100 000 m 2 , me adresë, Lanabregas, Tiranë.
11. Automjeti i tipit autoveturë, marka Merces-Benz, modeli S600, ngjyra e zezë, me targa AA 007 YN, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi.
12. Automjeti i tipit autoveturë, marka BMW, modeli 760LI, ngjyra e zezë, me targa AA 007 AV, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi.
13. Automjeti i tipit autoveturë, marka Land Rover, modeli Range Rover Vogue, ngjyra e zezë, me targa CD 6902 A, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi.
14. Automjeti i tipit autoveturë, marka Merces-Benz, modeli S600, ngjyra e zezë, me targa CD 6901 A, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi.
15. Automjeti i tipit autoveturë, marka RollsRoyce, modeli PHANTOM, ngjyra e zezë, ma targë AA 001 YN, në pronësi të shtetases Mimoza Ndroqi.
16. Sekuestrimin e masës prej 51% të kuotave të shoqërisë ″Landon″ sh.p.k., me NIPT K92226004H, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.
17. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “YLDON” sh.p.k., me NIPT K31618007S, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.
18. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “RENDON OIL″ sh.p.k., me NIPT L57716501I.
19. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “DON – UCD” sh.p.k., me NIPT L51326022D, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.
20. Sekuestrimin e masës prej 80% të kuatave dhe aksioneve të shoqërisë ″Ecogades Landon Balcan″ sh.a., me NIPT L22006005S, me aksioner shoqërinë ″Landon″, përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi.
21. Sekuestrimin e masës prej 30% të kuatave dhe aksioneve të shoqërisë ″CHANNEL ONE″ sh.p.k., me NIPT K12412002L, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.
22. Sekuestrimin e masës prej 50% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë ″P S 31″ sh.p.k., me NIPT L42215016R, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.
23. Sekuestrimin e masës prej 80% të kuatave dhe aksioneve të shoqërisë ″INTERKINEX″ sh.p.k., me NIPT J71506006T, me aksioner shoqërinë ″YLDON″, përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi.
24. Sekuestrimin e masës prej 60% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë ″ORA″ sh.a., me NIPT K71505003O, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi dhe të masës 40% të kuotave në emër të shtetases Mimoza Ndroqi.
25. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë ″REN-DON″ sh.p.k., me NIPT L41622002A, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.
26. Sekuestrimin e masës prej 50% të kuatave dhe aksioneve të shoqërisë ″ALBANIA BAY MARINE″ sh.p.k., me NIPT L61307081M, me aksioner shoqërinë ″YLDON″, përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi.

Për administrimin dhe përdorimin e pasurive të mësipërme gjykata ka ngarkuar Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Shoqëritë që kanë aktivitet, përfshirë dhe mediat televizive, do vazhdojnë aktivitetin e tyre, por të administruara nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:05
Me maskë dhe kallashnikov, Ora News 'blindohet' nga Policia

Pas vendosjes së sekuestros, Policia ka zbarkuar në televizionin Ora News dhe RTV Ora, në pronësi të Ylli Ndroqit. Siç shihet në pamjet e sjella nga Report Tv, dy TV janë blinduar nga uniformat blu. Ora News dhe RTV Ora janë 2 nga 26 pasuritë e sekuestrua ditën e sotme të Ylli Ndroqit, pasi ky i fundit akuzohet për trafik heroine.

Ora 14:38
Të përfituara nga trafiku i drogës/ Report Tv zbardh vendimin e sekuestros nga GJKKO për pasuritë e Ylli Ndroqit

Report Tv zbardh vendimin e sekuestros nga GJKKO për pasuritë e Ylli Ndroqit, të kërkuara nga dy prokurorët e SPAK, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.

Vendimi për sekuestrimin e 26 pasurive të Ylli Ndroqit, erdhi pasi dyshimeve se ato janë të vendosura përmes aktiviteteve kriminale të trafikut të drogave të rënda, i cili është arrestuar për 1998 Në Turqi dhe në 2015 në Itali.

Vendimi për sekuestro është marrë nga gjyqtarja Etleva Deda.

Ora 14:30
Detaje të reja/ Ylli Ndroqi u arrestua në shkurt të 2015 në Itali

Report TV mëson se më 17 shkurt 2015 Ylli Ndroqi është ndaluar nga autoritetet italiane dhe jo nga autoritetet shqiptare. Në njoftimin e SPAK nuk përcaktohet se ku është arrestuar Ndroqi dhe si është lënë i lirë, por burime brenda SPAK bëjnë me dije për gazetarin Arsen Rusta se ai "është arrestuar me urdhër arrestimi të 2006 së Prokurorisë së Milanos". Pra Ylli Ndoqi nuk është arrestuar në Shqipëri dhe as nga autoritete shqiptare

"Report Tv mëson se 17 shkurt 2015 është ndaluar nga autoritetet italiane në Milano, por nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një vendim të gjykatës për ta lënë të lirë apo si ka fituar lirinë, por burime për SPAK bëjnë për dije ka pasur urdhër arrestimi të 2006 së Prokurorisë së Milanos. Ylli Ndoqi nuk është arrestuar në Shqipëri dhe as nga autoritete shqiptare", tha gazetari Rusta.

Ora 13:30
Avokati i Ylli Ndroqit: Ai mendon është një sulm politik, ne do ta apelojmë

Avokati i Ylli Ndroqit, Alban Qafa ka folur për mediat ku ka bërë të ditur se Ndroqi nuk është ndaluar dhe as shoqëruar por ka bërë shoqërimin e mjetit të tij " Merces-Benz, modeli S600", pasi është ndaluar nga forcat operacionale për sekuestrimin e makinës si pjesë e vendimit të SPAK. Avokati i tij tha se vendimi për sekuestrimin e pasurive të tij do të apelohet në Apelin e GJKKO, pasi pasuritë e tij janë të ligjshme. Avokati shprehet se ky Ylli Ndroqi mendon se ky është një sulm politik që po i bëhet atij, pas gjyqit që ka të hapur me kreun e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj.

 "Është vendosur sekuestro e pasurive të tij. Ka qenë duke udhëtar me makinë e tij Merces-Benz, modeli S600" dhe është ndaluar nga forcat operacionale për t'i marrë makinën si pjesë e sekuestros. Ylli Ndroqi nuk është ndaluar dhe as shoqëruar, por ka shoqëruar makinën e tij dhe të kërkojë sqarime. Brenda afatit ligjor 5 ditor do ta apelojmë.E gjitha pasuria e tij është e krijuar nga burime të ligjshme, është e krijuar nga aktivitete të shoqërisë së tij dhe nga kreditë bankare. Ai mendon se ky është një sulm politik dhe për shkak të gjyqit që po zhvillohet njëkohësisht ndaj tij dhe Kryebashkiakut Erion Veliaj", tha Qafa.

''Pasuria e z. Ndroqi është e krijuar nga burime të ligjshme dhe këtë do ta provojë në të gjitha shkallët e Apelit. Pasuria është krijuar nga aktiviteti i shoqërive të tij dhe nga kreditë bankare. Në vazhdim do të tregojmë se si do të vazhdojnë ngjarjet'' perfundon avokati.

 

Ora 13:02
Trafik heroine, Ylli Ndroqi shoqërohet në Policinë e Tiranës

Burime për Report Tv bëjnë me dije se Ylli Ndroqi është shoqëruar në policinë e Tiranës, për t'ju komunikuar vendimi i sekuestro së pasurisë.

Ai është ndaluar nga FNSH dhe RENEA së bashku me eskortën e tij dhe nuk ka bërë rezistencë. Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, Ndroqi shfaqet i qeshur në ambientet e Policisë Tiranë ditën e sotme, ku makina e tij është parkuar dhe do të qëndrojë aty e sekuestruar nga policia. 

Largimi Ylli Ndroqit nga Policia e Tiranws është bërë nga makinat e Ora News, televizionit që e kishte në pronësi dhe tashmë është nën sekuestro.