Zgjedhjet/ SPAK zbardh strategjinë e luftës kundër krimit elektoral! Ja plani i masave, ngrihet Task Force, Dumani në krye! Platformë denoncimi për qytetarët

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka zbardhur planin e masave dhe strategjinë për goditjen e krimit elektoral para dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.

Detaje të planit; nga grupet hetimore që do ngrihen nga SPAK-u dhe që do veprojnë në terren në të 12 qarqet e vendit dhe 61 bashkitë, mbledhja e informacionit dhe denoncimeve, procesi i verifikimit dhe deri tek investigimi i aktivitetit financiar të personave të dyshuar apo partive politike gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve.

SPAK ka paralajmëruar sot (29 Janar) me anë të një njoftimi publik edhe 4 veprat penale që rrezikojnë kundravajtësit, të parashikuara në ligj.

Ka qenë vetë kreu i institucionit, Altin Dumani, i cili ka firmosur këtë plan masash dhe strategji prej 24 Janarit.

“Këto masa janë lëshuar me Urdhër të Drejtuesit të Prokurorisë, më 24.01.2025, bazuar në legjislacionin penal dhe procedural në fuqi, si dhe në zbatim të “Strategjisë së Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor gjatë Zgjedhjeve për Kuvendin 2025”, të këtij institucioni”, thuhet në njoftim.

Bie në sy edhe një platformë që Spak ka hapur për denoncimet e krimeve elektorale.

“Do të ngrihet një platformë e posaçme për denoncime nga qytetarët dhe institucionet, duke përfshirë një numër emergjent, raportime online dhe adresë email-i. Cilësojmë se: Informacionet e marra nëpërmjet kësaj platforme konsiderohen të natyrës informuese. Ndërkohë kallëzime penale do konsiderohen vetëm ato që depozitohen në prokurori në formë të shkruar dhe në formë të rregullt procedurale. Prokurorët detyrohen që të marrin vendime dhe të njoftojnë kallëzuesin vetëm për këto kallëzime penale. Do të ngrihet një grup pune i posaçëm që do të monitorojë të dhëna e bëra publike në media dhe rrjetet sociale dhe që më pas do t’ia përcjellë këto të dhëna Strukturës Qendrore dhe grupeve hetimore në terren”, informon SPAK.

Grupi hetimor përbëhet nga një Strukturë Qendrore dhe grupet hetimore të dedikuara në terren që do të kryejnë veprime hetimore gjatë periudhës zgjedhore. Struktura Qendrore do të drejtohet nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe do të përfshijë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, ekspertë dhe staf administrativ mbështetës.

SPAK i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të dyshimtë, teksa do bashkëpunohet edhe me institucionet përkatëse, si Policia e Shtetit dhe KQZ.

Njoftimi i SPAK për strategjinë:

"Plani i Masave mbi:

 “Zbatimin e Strategjisë së Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor gjatë Zgjedhjeve për Kuvendin 2025”

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka miratuar një plan masash në kuadër të hetimit dhe parandalimit të krimeve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Këto masa janë lëshuar me Urdhër të Drejtuesit të Prokurorisë, më 24.01.2025, bazuar në legjislacionin penal dhe procedural në fuqi, si dhe në zbatim të “Strategjisë së Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor gjatë Zgjedhjeve për Kuvendin 2025”, të këtij institucioni.

MASAT KRYESORE:

Ngritjen e një grupi hetimor (Task Forcë):

Grupi hetimor përbëhet nga:

a) një Strukturë Qendrore

b) grupet hetimore të dedikuara në terren që do të kryejnë veprime hetimore gjatë periudhës zgjedhore.

Struktura Qendrore do të drejtohet nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe do të përfshijë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, ekspertë dhe staf administrativ mbështetës.

Monitorimi dhe Hetimi:

Grupet hetimore në terren do të kenë në përbërje prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, staf administrativ mbështetës, të ndarë sipas 12 Qarqeve dhe 61 Bashkive.

Grupet hetimore në terren do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor.

Bashkëpunimi:

Drejtuesi i Prokurorisë, sipas vlerësimit të situatës, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Prokurorin e Përgjithshëm, Drejtorin e Policisë së Shtetit dhe Komisionerin Shtetëror të

Një nga hetuesit e BKH-së caktohet si person përgjegjës, i cili do të jetë në kontakt të ngushtë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim shkëmbimin e informacioneve dhe të dhënave në kohe reale.

Gjatë periudhës zgjedhore grupet hetimore në terren koordinojnë dhe bashkëpunojnë edhe me drejtuesit dhe prokurorin e gatshëm të zyrave të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, drejtuesit e drejtorive të policisë dhe drejtues të agjencive ligjzbatuese, institucioneve të tjera publike, median, shoqërinë civile dhe pushtetin lokal në rrethin që ata mbulojnë.

Denoncimet dhe Marrëdhëniet me Publikun:

Do të ngrihet një platformë e posaçme për denoncime nga qytetarët dhe institucionet, duke përfshirë një numër emergjent, raportime online dhe adresë email-i. Cilësojmë se:

“Informacionet e marra nëpërmjet kësaj platforme konsiderohen të natyrës informuese. Ndërkohë kallëzime penale do konsiderohen vetëm ato që depozitohen në prokurori në formë të shkruar dhe në formë të rregullt procedurale. Prokurorët detyrohen që të marrin vendime dhe të njoftojnë kallëzuesin vetëm për këto kallëzime penale.”

Do të ngrihet një grup pune i posaçëm që do të monitorojë të dhëna e bëra publike në media dhe rrjetet sociale dhe që më pas do t’ia përcjellë këto të dhëna Strukturës Qendrore dhe grupeve hetimore në terren.

Monitorimi Financiar:

Një grup pune më përbërje hetues të hetimit financiar dhe ekspertë të tjerë të fushës në Prokurorinë e Posaçme do të monitorojnë përdorimin e buxhetit dhe investimet publike të cilët nuk lejohen të kryhen gjatë periudhës zgjedhore nga subjektet e posaçme.

Prokuroria e Posaçme fton të gjithë qytetarët, institucionet shtetërore dhe private, shoqërinë civile, mediat dhe publikun e gjerë që të angazhohen aktivisht në mbështetje të këtij procesi, duke kontribuar në zbatimin e ligjit dhe transparencën zgjedhore. Denoncimet e dokumentuara dhe të bazuara në prova janë thelbësore për të zbuluar dhe ndjekur penalisht çdo akt kriminal që cënon integritetin e zgjedhjeve. Prokuroria e Posaçme garanton trajtim të shpejtë, profesional dhe të pavarur të çdo informacioni të marrë dhe fton publikun të përdorë kanalet zyrtare për denoncime, duke kontribuar kështu në një hetim efektiv dhe në kohë të veprave penale në kuadër të krimit zgjedhor në juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme.

Shënim:

Veprat penale në kuadër të krimeve zgjedhore nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme janë:

-Korrupsioni aktiv në zgjedhje ( Neni 328 i Kodit Penal);

-Korrupsioni pasiv në zgjedhje (Neni 328/b i Kodit Penal);

-Çdo vepër penale në kuadër të krimit zgjedhor e kryer nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda e armatosur (Neni 75/a germa (b) i Kodit të Procedurës Penale);

-Çdo vepër penale në kuadër të krimit zgjedhor e kryer nga zyrtarë të lartë publikë si Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, anëtarët e Këshillit të Ministrave, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Inspektori i Lartë i Drejtësisë̈, kryetari i bashkisë, deputeti, zëvendësministri, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë̈, dhe drejtues të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj (Neni 75/a germa (c) i Kodit të Procedurës Penale). 

A.Q/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tasimi: 29/01/2025 12:36

    O ti I nderuar kryepokuror akoma se din qe votat jan mar me karta identiteti fallco shif mos te hikin 3 peshkaqenet se te tjeret jan sardele

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 29 Janar, 13:14

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?



×

Lajmi i fundit

PD e kallëzoi për shpërdorim detyre, shtyhet në GJKKO seanca ndaj Pjerin Ndreut! SPAK kërkon pushimin e hetimeve për kryebashkiakun e Lezhës

PD e kallëzoi për shpërdorim detyre, shtyhet në GJKKO seanca ndaj Pjerin Ndreut! SPAK kërkon pushimin e hetimeve për kryebashkiakun e Lezhës