Spartak Braho: Në 1997 Prefektët
urdhëruan shpërndarjen e armëve

Gjatë diskutimit të ligjit për Prefektin, deputeti i LSI, Spartak Braho është shprehur se projektligji i ri për riorganizimin e institucionit nuk është i plotë dhe se ka ardhur për shkak të lobimit dhe presionit të kryetarëve të bashkive.
 
"Projektligji ka ardhur për shkak të tendencave për t’iu shmangur kontrollit të pushtetit vendor.
 
E kam menduar dhe vlerësuar Prefektin si një Kryeministër të vogël dhe Prefektët e Rretheve apo Qarqeve si Kryeministra në njësitë përkatëse.
 
Por në një farë mase ndjehem i zhgënjyer me këtë pritshmëri se dhe referenca apo modeli i krahasimit të institucionit të Prefektit të vendeve europiane në shëmbëlltyrën shqiptare nuk ta jepte këtë përfundim
".
 
Braho thotë se pozicioni i Prefektit ishte as mish  dhe as peshk, i pamotivuar për të plotësuar atë funksion të rëndësishëm si dora e shtrirë e Kryeministrit në kapilarët e pushtetit ekzekutiv poshtë në bazë.
 
Ndërsa kujton se "Deri në vitin 1997 ne kemi patur në mjaft raste të emëruar në rrethe Prefektë të politizuar, komisar dhe të deleguar partie.
 
Aq e vërtetë është kjo sa më kujtohet se në vitet e shembjes së shtetit, në 1997-n, mjaft Prefektë si në Durrës, Elbasan, etj., në vend që të merreshin me qetësimin e situatës politike firmosën dhe urdhëruan me shkresa shpërndarjen e armëve dhe organizime paramilitare të militantëve për të shtypur revoltat e nxitura nga fajdet apo për të krijuar lehtësira në manipulimin e proceseve zgjedhore, siç ndodhi në ato të vitit 1996
".
 
Kryetari i Komisionit të Sigurisë, thotë ende nuk është i kënaqur me ligjin që pritet të miratohet, pasi sipas tij "përsëri ende në këtë ligj ne nuk kemi një Prefekt të fortë të qarkut të veshur me mantelin e deleguar të Kryeministrit, të ngarkuar jo vetëm me kompetenca kontrolluese".
 
 
 Fjala e Brahos
Me sinqeritet them se që në fillimet e vendosjes së institucionit të Prefektit në organet e qeverisjes vendore në Shqipëri e kam vlerësuar dhe pritur atë me një ndjenjë besimi, se jo vetëm do të mbushesh një boshllëk, por se ky institucion që është më afër apo direkt në kontakt të përditshëm me njerëzit dhe qytetarët, me organet e vetëqeverisjes vendore dhe administratën shtetërore do të luante një rol të rëndësishëm në përmirësimin e qeverisjes lokale etj.
 
E kam menduar dhe vlerësuar Prefektin si një Kryeministër të vogël dhe Prefektët e Rretheve apo Qarqeve si Kryeministra në njësitë përkatëse.
 
Por në një farë mase ndjehem i zhgënjyer me këtë pritshmëri se dhe referenca apo modeli i krahasimit të institucionit të Prefektit të vendeve europiane në shëmbëlltyrën shqiptare nuk ta jepte këtë përfundim.
 
A ishte thjesht vetëm mungesa e përvojës të mbetej ky institucion as mish as peshk? Pra, i pamotivuar për të plotësuar atë funksion të rëndësishëm si dora e shtrirë e Kryeministrit në kapilarët e pushtetit ekzekutiv poshtë në bazë.
 
Deri në vitin 1997 ne kemi patur në mjaft raste të emëruar në rrethe Prefektë të politizuar, komisar dhe të deleguar partie.
 
Aq e vërtetë është kjo sa më kujtohet se në vitet e shembjes së shtetit, në 1997-n, mjaft Prefektë si në Durrës, Elbasan, etj., në vend që të merreshin me qetësimin e situatës politike firmosën dhe urdhëruan me shkresa shpërndarjen e armëve dhe organizime paramilitare të militantëve për të shtypur revoltat e nxitura nga fajdet apo për të krijuar lehtësira në manipulimin e proceseve zgjedhore, siç ndodhi në ato të vitit 1996.
 
Më pas në vitin 2002 u ribë një përpjekje nga maxhoranca e asaj kohe për të miratuar një ligj më të plotë, i cili ende është në fuqi.
 
Përvoja ime dhe praktika e deritanishme më kanë krijuar bindjen se me gjithë përmirësimet në organizimin dhe funksionimin e funksionit të Prefektit përsëri ai mbeti larg parametrave moderne, i imazhit të shëmbëlltyrës së përvojës pozitive të vendeve europiane.
 
Pra, ai mbeti përsëri anemik, i dyzuar, jo i plotë me kompetenca dhe ato mjaft herë formale e të pazbatueshme plotësisht për të kryer misionin si përfaqësues i Kryeministrit në Qark.
 
Pra, efektiviteti i kësaj strukture nuk e kapërceu cakun e të qenit shpeshherë honorifik si organ, deri në atë masë sa ende sot nuk kuptohet ku fillojnë e ku mbarojnë kompetencat e Kryetarit të Qarkut e ku fillojnë e ku mbarojnë kompetencat e Perfektit. Por ku duhet ta kërkojmë defektin?
 
Sipas meje, edhe unë e them këtë me plot gojën, te fiksimi i idesë dhe mentaliteti i drejtuesve më të lartë të ekzekutivit për të mos deleguar kompetenca dhe pushtet, për të mos e decentralizuar atë plotësisht, për të monopolizuar funksionet dhe kontrollin, për të mos ndarë përgjegjësitë e të tjera arsye.
 
Pra nuk është gjykuar se Prefekti është një hallke dhe një burokrat i domosdoshëm i piramidës shtetërore që po të vlerësohet e të vihet në lëvizje me efikasitet është i dobishëm. Dhe ky qëndrim ka qenë tërësisht subjektiv dhe jo i orientuar nga institucionet ndërkombëtare europiane.
 
Projekti i ri i ligjit që kemi për shqyrtim e për miratim sot është përpjekja e tretë për ta riorganizuar institucionin e Prefektit. Por a ka patur qeveria në synimin e saj gjatë hartimit të këtij projekti që të sillte një ligj më të plotë, dhe ai të jete pjesë e reformës për riorganizimin e strukturave të shtetit, të organeve të pushtetit vendor etj? Më duket se ky kujdes nuk ka qenë në nivelin e duhur.
 
Në projekt janë bërë përpjekje serioze nga hartuesit e tij për aq hapësira, orientim dhe vizion që u kanë dhënë drejtuesit kryesorë të shtetit. Por vlerësoj se lobimi dhe presioni i Kryetarëve të Bashkive dhe strukturave të tjera në hartimin e ligjit ka qenë më i fortë sesa kërkesat bashkëkohore dhe sugjerimet ardhur nga subjektet e tjera të interesuara siç ishin Prefektët, të cilat kanë lënë gjurmë në nuancat ambigue e formulime të cilat Kryeministri dhe Ministri përgjegjës duhet t’i ndjekin me vëmendje si tendenca për t’ju shmangur kontrollit dhe markimit të përditshëm të punëve të menaxherëve të pushtetit vendor dhe organeve të tjera shtetërore.
 
Në këtë kuptim duke shprehur opinionin tim, unë them se përsëri ende në këtë ligj ne nuk kemi një Prefekt të fortë të qarkut të veshur me mantelin e deleguar të Kryeministrit, të ngarkuar jo vetëm me kompetenca kontrolluese, por edhe të modeluar në atë mënyrë që ato të zbatohen që të parandalojnë, ndreqin e godasin shkeljet ligjore e paudhësitë e drejtuesve të pushtetit lokal të vetëqeverisjes.
 
Edhe në këtë projekt mua nuk më figuron që Prefekti do të jetë autoriteti më i lartë shtetëror që kontrollon, legjitimon e noterizon gjithçka, por në veçanti çështjet e rendit dhe qetësisë publike, të sovranitetit shtetëror, kontrollin e territorit, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të popullatës, emergjencat civile, funksionimin e administratës shtetërore dhe emërimin e zyrtarëve shtetërorë lokalë, veprimtarinë e organeve ligjzbatuese, luftën kundër fenomeneve kriminale dhe problematikave të zhvillimeve social-ekonomike. Të gjitha këto, në zbatim të programit ekonomik dhe politik të qeverisë qendrore në nivel qarku.
 
Por gjithsesi, përmirësimet që ka sjellë projekti, do t’i cilësoja si risi në krahasim me ligjin e mëparshëm. Ato rrisin disponimin direkt të Prefektit, në rritjen e cilësisë së shërbimeve që shteti ju garanton qytetarëve, për rregullimin e territorit dhe mbrojtjen e mjedisit, për drejtimin dhe monitorimin e strukturave shtetërore nëpërmjet task-forcave, për eksesin më të madh mbi emërimet e shkarkimet dhe lëvizjet e kuadrove brenda Qarkut si dhe për detyrimin që ata kanë që jo vetëm duhet të drejtojnë dhe bashkëpunojnë me organet ligjzbatuese, por edhe për të paraqitur e denoncuar tek to, të gjitha ato raste të konstatimit të shkeljeve ligjore.
 
Padyshim verifikimi i ligjshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e vetëqeverisjes jo më pak se një herë në tre muaj nga gjashtë, që është në ligjin aktual, është një tjetër novacion që forcon ushtrimin e kompetencave të kontrollit nga ana e Prefektit.
 
Projektligji vjen në përputhje me orientimet e Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionin në fuqi, ndaj duke marrë parasysh rëndësinë e tij, ju ftoj ta mbështesim dhe ta miratojmë me vërejtjet që ka bërë Komisioni i Sigurisë Kombëtare dhe ai i Ligjeve.
 


d.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Në arrati nga viti 2023, SPAK shtyn me 3 muaj afatet e hetimit për Arben Ahmetajn

Në arrati nga viti 2023, SPAK shtyn me 3 muaj afatet e hetimit për Arben Ahmetajn