“Quhem Stillo Anastas Papadima nga fshati Nivicë Bubar. Kam lindur në vitin 1925”.  Kjo është historia e një prej të mbijetuarve të fundit që u burgosën në kampet naziste. Stillo Papadhima humbi babanë në moshën 5-vjeçare, ndërsa mbështetja e vetme për të mbetën nëna, motrat dhe vëllezërit më të mëdhenj. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai iu bashkua forcave Nacional-Çlirimtare.

“Në atë kohë unë isha rreth 17 vjeç-18 vjeç dola partizan në bataljonin e dytë të brigadës së gjashtë me komandant nga Kuçi i Vlorës dhe qendrën e kishim në Kuç”, rrëfen Stillo Papadhima.

Stillo ende adoleshent së bashku me katër shokë rreshtohet në Batalionin e Dytë të brigadës së VI- Sulmuese, në prapavijë për furnizimin e partizanëve nga Borshi-Kuç-Kurvelesh me ushqime e material luftarak që grumbulloheshin si nga ndihmat anglo-amerikane dhe nga fshatrat përreth.

Ishte koha kur Bregu i Detit përjetoi vrasjet dhe internimet masive për shkak se rezistenca e këtyre fshatrave qe e madhe.

Në dhjetor të vitit 1943 formacioni u shpërbë dhe pjesëtarët u urdhëruan të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

“Në Kuç neve na u dha urdhri që të shpërndaheshim se filloi operacioni gjerman. Unë me tre katër shokë nga Nivica nisem natën nga Kuçi, vijmë në Borsh dhe natën ramë në një prit gjermane”, kujton ai.

Ndërkohë që Stillo së bashku me vëllanë dhe disa partizanë të tjerë u kapën në Borsh, hakmarrja gjermane kishte marrë përmasa të mëdha.

“Gjermanët donin që të hapin rrugën Sarandë – Nivicë - Vlorë dhe bënë operacionin. Në operacionin e parë gjermanët u goditën në Nivicë, u vra një officer e dy ushtarë gjermanë”, kujton Papadhim.

Forcat gjermane në përbërje të grupimit “Shtajzer”, pas disa sulmeve dhe bombardimeve, nga datat 1 e deri me 13 qershor, më 14 qershor, mundën të hyjnë në fshatrat Nivicë-Bubar e Shën-Vasil të bregdetit.

Nga bombardimet që i paraprinë mësymjes naziste ne bregdet, në këto dy fshatra që janë edhe porta hyrëse e bregdetit përgjatë Sarandës në drejtim të Vlorës, mbetën të vrarë Arsen Munguli dhe Vite Baxheri. Me hyrjen e forcave gjermane në Nivicë, fshati u rrethua dhe burra e gra, pleq e fëmijë u grumbulluan me forcë në varrezat e fshatit. Të njëjtin fat do të kishin më pas edhe banorët e fshatrave të tjerë të bregut. Pas dy ditësh terrori e shtetrrethimi në Nivicë, gjermanët pushkatuan në vendin e quajtur Vilëz, Arsen Gjika, Loni Papadhima, Illo Thoma e Andon Munguli.

“Këta morën nga populli i Nivicës gjashtë veta dhe i shpunë në Shëndulli të Nivicës për të nxjerrë trupat gjermane të vrarë. Pasi i nxorën trupat gjermane të vrarë, këta të katërt që i nxorën i pushkatuan”, vijon me rrëfimin Papadhima.

Të pushkatuarit, për gjashtë ditë nuk u lanë të merreshin nga familjarët e tyre. Terrori gjerman u shoqërua edhe me plaçkitje e bastisje të mallit e banesave. Përveç zisë së vrasjes së të pafajshmëve, po i kërcënonte edhe kriza e urisë.

Më 17 qershor, vritet në qendër të fshatit edhe Qëndro Shkurti e Shano Pali. Por hakmarrja gjermane me 10 të vrarë për tre ditë, nuk kishte përfunduar me kaq. Masakra mbi popullsinë e këtyre fshatrave, do të vazhdonte.

Gjithë fshati i Nivicës, siç qe i grumbulluar në varrezat e fshatit nën terror e tmerr, më 17 qershor veçohen burrat nga 16-60 vjeç dhe nisen në drejtim të Kuçit për hapjen e rrugës Fterrë-Kuç.

Gjatë rrugëtimit për në Fterrë, kolona gjermane ndalet në fshatin Lukovë, ku veçohen e pushkatohen nivicjotët Stefan Boçi, Foto Baxheri, Stamat Qirka, Lekë Dami e Sotir Kosta, duke e çuar kështu numrin e të pushkatuarëve në 16 vetë.

Ditët e qershorit pasonin njëra-tjetrën. Të dy fshatrat ishin në zi, por edhe vazhdonte plaçkitja. Mbi 140 burra nga dy fshatrat ishin të arrestuar dhe nuk dihej fati se si do të bëhej me ta. Masakrës dhe terrorit nuk i dihej fundi. Më 23 qershor ajo arriti kulmin. Nga të arrestuarit veçohen një pjesë e burrave gjithsej 33 vetë. Këta të rrethuar nga forcat gjermane me kazma e lopata me duart të tyre po hapnin varrin e përbashkët. Të rreshtuar buzë gropës mbi ta u lëshuan plumbat e mitralozit të gjermanëve. Trupat e tyre pa jetë u hodhën në gropën e vdekjes. Kjo masakër mbi popullsinë e pafajshme të bregut të detit u krye në fshatin Shën Vasil në dalje të tij në vendin e quajtur Hondrovun. Ndërkohë që Stillo së bashku me vëllanë dhe disa partizanë të tjerë u kapën në borxh, hakmarrja gjermane kishte marrë përmasa të mëdha. Për nëntë ditë u pushkatuan 56 persona.

Stillo dhe miqtë e tij i shpëtuan pushkatimit por ata ende nuk e dinin se ky ishte vetëm fillimi i kalvarit të gjatë të vuajtjeve.

“Na shpun tek ai përgjegjësi atij, neve thamë do na vrasin.  Zgjodhën 24 veta, 12 të parët i pushkatuan dhe nja dy shpëtuan. Neve 12 të tjerët na morën e na shpuan në Qeparo dhe na futën në një gropë të madhe. Aty vjen një ushtar gjerman edhe tha mos i vrisni. Nuk na pushkatuan. Se kush e bëri këtë ndërmjetësim nuk e dimë”, rrëfen Papadhim.

 Ai u mbajt dhe u transferua nga një burg në tjetrin, për të përfunduar më pas në Selanik.

“Vijnë gjashtë makina dhe na ngrënë neve na dërgojnë në Janinë. Në Janinë gjetëm përmetarë, gjirokastritë, vlonjatë, plot të grumbulluar që i kishte marrë gjermani”, kujton Stillo Papadhima.

Në këtë kamp bëhej seleksionimi ku të sëmurët pushkatoheshin dhe të tjerët ndaheshin për në Gjermani e Greqi.

“Në Selanik bën një pastrim, çuan ca pleq dhe ca djem të rinj. Neve na hipën në tren dhe na nisën drejt Gjermanisë”, rrëfen ai.

Në Korrik rreth 130 të burgosur nga bregdeti, u nisën për në Gjermani së bashku me robër të tjerrë bullgarë, grek dhe për tetë ditë udhëtimi mbriten në kampin “Stalag 7/A” në Gjermani. Ishte fund korriku i vitit 1944.

“Ishim 700.000, 800.000 robër lufte nga të gjitha vendet që ishin që kishte kapur Gjermani, amerikanë, italianë. Na mbajtën aty në Kazermë, na dhanë një batanije dhe i shtruam”, thekson Papadhima.

Shtalag VII-A ishte kampi më i madh i të burgosurve të luftës në Gjermaninë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, i vendosur pak në veri të qytetit të Moosburgut në Bavarinë jugore. Ai u hap në shtator të vitit 1939 dhe ishte projektuar për të strehuar deri në 10,000 të burgosur polakë nga pushtimi gjerman i Polonisë në vitin 1939. Kampi mbulonte një sipërfaqe prej 35 hektarësh. Të burgosur nga çdo komb që luftonte kundër Gjermanisë kalonin nëpër të. Aty kishte amerikanë, britanikë, rusë, polakë dhe kombësi të tjera.

Shqiptarë në kamp

Këtu gjendeshin edhe 206 burra shqiptarë, nga të cilët 42 nivicjotë, 48 shënvasioët, 59 lukoviotë dhe 52 nga Piqerasi.

Stillo Papadhima tregon se të burgosurit detyroheshin të kryenin punë kryesisht në bujqësi, si mjelja e lopëve, korrja e jonxhës, kultivimi i patateve, si dhe pastrimi i qytetit nga dëmet e bombardimeve.

“Një kokërr patate dhe edhe 100 gr bukë për 24 orë. Edhe atë kokrrën me patate do ktheheshe kështu e thoshe e kuja është kjo, një kokërr”, kujton Papadhima.

Ai rrëfen gjithashtu një moment prekës, kur një grup prej rreth 20 – 30 hebrenjsh u strehuan në kapanonin e tyre për t’i shpëtuar transferimit nga forcat gjermane. Shqiptarët u dhanë rroba duke ndihmuar në shpëtimin e tyre.

“Kishin marrë nja 30 hebrenj, i kishin vënë përpara baranka jonë që e para që futeshin. I kishin vënë para këta dhe ndaluam dhe u thamë ç’jeni ju. U morëm vesh dhe i futëm brenda neve nja 20 veta u dhamë dhe rroba nga tona dhe i mbajtëm aty. Erdhi ai komandanti me dy rovole, ku vanë ata tha”, kujton ai.

Çlirimi i kampit

Stillo kujton edhe ditën e çlirimit të kampit nga forcat amerikane, e cila u kthye në një festë të madhe për të gjithë të burgosurit e kampit të Moosburgut.

“Ne i presim amerikanët këteja, ata na erdhën këtej nga mbrapa. Aty ishte që një kanal i madh me ujë që shkonte uji kështu. Të rinjtë u hodhëm aty u hipëm në ato tanket e atyre. Këto na përqafuan na dhanë dhe nga një rovole. Na veshën me uniformë ushtarake na i hoqën rrobat tona”, rrëfen Stillo Papadhima.

Stalag VII-A u pushtua më 29 prill 1945 nga Komanda e Luftimit A e Divizionit të 14-të të Blinduar. Forca amerikane mësoi për ekzistencën e kampit dhe vendndodhjen e tij të përafërt vetëm disa orë para sulmit. Për shkak se kaq shumë të burgosur aleatë ishin në zonë, artileria amerikane, një faktor i rëndësishëm në çdo sulm, u urdhërua të mos qëllonte dhe qëndroi e heshtur gjatë sulmit. Një muaj më vonë, më 9 Maj 1945, u shpall edhe kapitullimi i Gjermanisë.

Sipas burimeve zyrtare gjermane, në janar të vitit 1945 në kamp kishte pasur 76,248 të burgosur dhe 40,000 ose më shumë që punonin në fabrika, duke riparuar hekurudha ose në ferma.

Gjatë 5 viteve e gjysmë, rreth 1,000 të burgosur vdiqën në kamp, shumica nga sëmundjet, disa nga lëndimet gjatë punës.

“Ne në kamp kemi lënë tre veta të vdekur, Nako Spirin nga Nivica, Arsen Papadhimën nga Nivica dhe një shok tjetër nga Piqerasi.”tregon Stillo.

Rruga e kthimit drejt Shqipërisë nuk ishte e lehtë. Ishin të lirë por pa asnjë mbështetje nga vendi i tyre.

“Shohim rusët që ikin pjesërisht, amerikanët e francezët i tërhoqi komanda e tyre me aeroplanë. Mbetëm si peshku pa ujë. Si do të bëjmë, thamë. Komanda amerikane që administronte Moosburgun, kishte një general amerikan. Thamë të paraqitemi tek ai. Zgjodhëm tre veta:Petro gjeneralin nga Lukova I cili dinte anglisht se kishte qenë edhe në Amerikë, zgjodhëm vëllanë tim, ishte 34 vjeç në atë kohë dhe një Murat Visha nga Gjirokastra. I thonë gjeneralit amerikan që jemi 164 shqiptarë. Çfarë do të bëhet me ne? Gjenerali i sqaron se duhet të vijë komision ushtarak nga Shqipëria se këtu nuk e ka!”, kujton Stillo Papadhima..

Pas këtij takimi shqiptarët e mbetur atje u gjendën pa asnjë zgjidhje.

“Na u prenë shpresat. Marrim një vendim të nisemi në këmbë për në ish – Jugosllavi, 28 ditë”, thotë ai.

Pasi lenë kampin, shkojnë në Austri. Prej andej, me interesimin e ish-Jugosllavisë u nisën drejt saj, për të mbërritur më pas në Strugë.

“Në Austri ishim afër kampit shfarosës ku ishin furrat elektrike, por ne nuk hymë brenda t’i shihnim, ndejtëm rreth 22 ditë atje. Ndërkohë lidhemi me ish-jugosllavët. Nisemi për në Zagreb k una mbajtën tre ditë. Më pas na hipin në makina e na dërgojnë në Beograd. Të nesërmen na hipin në trend he nisemi drejt Strugës. Trea nga ato që përdoren në miniera.” kujton ai.

Prej këtej u nisën në këmbë nga kufiri tokësor midis dy shteteve.

Në Gusht të vitit 1945 Stillo Papadhima mbërrin në fshatin e tij, Nivicë, së bashku me vëllanë dhe ish-të burgosurit e tjerë. Kthimi i tyre i shndërrua në një festë të madhe.

“O nivicjotë edhe shënvasjotë, lini punën se na erdhën të internuarit. Takimi në Krekës!” ishin thirrjet që dëgjuan nga bashkëfshatarët e tyre.

“Në Krekës u mblodhëm të gjithë e më pas u shpërndamë në shtëpitë tona.”, e vazhdon rrëfimin 101-vjeçari.

Me ardhjen e demokracisë, fëmijët e tij i mundësuan Stillo Papadhimës të vizitonte sërish kampin e Moosburgut në Gjermani, një moment tejet prekës dhe emocional për të.

“Me pishmanllëk vajta, por bëra mirë. Porta e kampit ishte ajo që ka qenë, vetëm që qe bojatisur. Dhe ia kishin hequr telat. U lotova…

Babi çfarë ke, më pyeti vajza. Ja kujtoj që kur kaloja në këtë portë, roja na godiste me kamzhik ndërkohë që na kontrollonte- i përgjigjem unë.”

“Lërmëni aman të rri dhe pak- e vazhdon rrëfimin Stillo, - vështroj brenda kampit që ishte mbyllur. Kishin bërë edhe një shkollë aty.

Ja, kjo ishte jeta ime në kamp! Dhe unë sot ia arrita të jetoj 100 vjetë.” e mbyll rrëfimin Stillo Papadhima.

777 shqiptarë përjetuan tmerrin e kampeve naziste në Gjermani. Stillo Papadhima është njëri prej tyre që sot ka lënë pas 100 vite jetë, duke mbetur një dëshmi e gjallë e një prej periudhave më të errëta të historisë njerëzore.

Stillo Papadhima sot jeton në Sarandë. Në vitin 1948 kreu kursin e shoferave dhe punoi për një kohë të gjatë në këtë profesion. Më vonë duke qenë invalid i punës, punoi në Zyrën e Kontrollit të automjeteve në Parkun e Sarandës deri sa doli në pension. Sot gëzon shëndet të plotë, nën kujdesin e katër fëmijëve të tij. Sekreti i jetëgjatësisë së tij janë shëtitjet buzë detit të Sarandës.