Speciale/ ​Me Artan Shabanin
mes kryeveprave të ‘900-ës

Speciale/ ​Me Artan Shabanin<br />mes kryeveprave të ‘900-ës
Ekspozita e 100 pikturave më të zgjedhura të Galerisë së Artit të Romës në Tiranë nis me një nga kryeveprat e piktorit të madh italian, Vittorio Grassi. Është pikërisht kjo piktura e parë që tregon gjendjen e fshatit të fillimeve të 1900-ës që u prezantua në vitin 1925 në Galerinë e Artit të Romës plot madhështi, për të mbetur në fondin e artë të saj. Veprat e zgjedhura të 1900-ës janë shprehje e të gjitha lëvizjeve kulturore dhe artistike në mbarë Italinë, që megjithatë e kanë pasur qendrën e tyre të shpërthimit dhe të shkëlqimit në Romë. Udhëtojmë së bashku me drejtorin e Galerisë Kombëtare të Arteve tek disa nga kryeveprat. Kaq pranë dhe një nga një duken edhe me të bukura. I prekim me sy këto vepra të autorëve si Manzoni, De Chirico, Mario Sirani, Felice Casoratin, Enrico Pampilonin apo Vittorio Grassi e shume të tjerë, që me shpjegimin e Artan Shabanit duken sikur marrim më shumë ngjyra dhe jetë.
 
Jemi këtu pranë një skulpture të veçantë, ju do të na tregoni për autorin, për veçoritë e skulpturës dhe çfarë përfaqëson ajo si rrymë artistike?
Në radhë të parë u falënderoj, përshëndes edhe publikun me këtë rast. Është dita e parë e kësaj ekspozite me veprat e 1900 të artit italian, ekspozitë e cila është inauguruar mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve nga kryeministri por edhe nga autoritete të tjera. Falënderoj të gjitha palët që e bënë të mundur këtë ekspozitë. Kam kënaqësinë ta filloj nga vepra e parë.
 
Jemi këtu para kësaj vogëlushes në skulpturë, çfarë përfaqëson si vepër dhe autorin?
Giacomo Manzu është një ndër artistët më të rëndësishëm dedikuar zhanrit të skulpturës dhe nga më të rëndësishmit e skulpturës italiane. Manzu lindi në fillimet e vitit 1900 në Bergamo, në Lombardi në afërsi të Milanos dhe ndërroi jetë në vitet ‘90 në Romë. Më këtë rast kemi figurën e një vajze si një modele, të një vogëlusheje e cila është e ulur në këtë karrige. Materiali është bronz dhe kemi një gjendjeje psikologjike, një gjendje disi të përgjumur të kësaj figure, e cila ulet me një elegancë sublime. Pra kemi figurën e një vajze e cila mund të jetë një balerinë, duke parë edhe elementët e fundit të skulpturës, lidhjet dhe fjongot e vogla. Kjo mbyllje e syve, ky pozicion i portretit tregon që kemi të bëjmë me një situatë meditimi. Një moment meditimi dhe qetësi totale i kësaj figure të ulur në një karrige. Thjeshtësia e kësaj vepre përkthehet në madhështinë e saj. Skulptori i frymëzuar edhe nga artistë të tjerë të ‘700-ës dhe ‘800-ës ka një mjeshtri të jashtëzakonshme interpretimi në mënyrën, plastikën dhe interpretimin dhe ekspresionin që jep nëpërmjet gjendjes shpirtërore të figurës. Kjo është magjia që Manzu nxjerr nga bronzi, nga balta, nga laboratorët e tij. Në rastin konkret kemi këtë figurë të vendosur enkas në këtë pozicion sepse skulptura ndryshe nga pikturat shikohet nga të gjitha pozicionet.
 
Është kjo një ikje nga pompoziteti i skulpturave klasike, një ardhje në artin modern?
Çdo periudhë ka shenjën e vet, ka gjuhën e vet, ka kontekstin e vet, social, kulturor, politik, ka tendencat ka influencat. Sigurisht që Shkolla e Parisit dhe ajo Gjermane, Impresionizmi, Klasicizmi, Kubizmi, çdo rrymë, çdo shkollë ka lënë një gjurmë të thellë te secili artist që me individualitetin e vet ka nxjerrë vepra dhe kryevepra.
 
Le të udhëtojmë te një vepër tjetër e zgjedhur. Kemi veprat e futurizmit. Futurizmi ka qenë një rrymë që ka ekzistuar në të gjitha artet në të njëjtën periudhë.
Futurizmi për shijet e mia është rryma më e fortë ose ndër më të fortat të 900-ës. Kemi një vepër, marinari në hapësirë, shiko se sa bukur, me teknike, me çfarë sensibiliteti, me çfarë lirshmërie e ka trajtuar dimensionin në këtë kanavac, me çfarë mendimi intelektual, me çfarë force për të dhënë gjithë dinamikën në këtë vepër. Me këto portokallitë e bukura dhe me këtë blu potente të fortë dhe me sfondin që ka një qetësi absurde, ashtu kanë qenë të gjithë futuristët ose aero-piktura, piktura e parë nga lart. Në vitet që kam jetuar në Torino kam pasur ndër miqtë e mi më të afërt zotin Elio Pinotini i cili ka qenë presidenti i gjithë galerive private të Italisë dhe ka qenë ai që është kujdesur ekskluzivisht për futurizmin. Ashtu siç mund t’i komunikoj publikun në rast se ka mundësi të shkojë në Rovereto, aty është shtëpia fondacion muze e një ndër futuristëve më të rëndësishëm në Itali. Është një grup i rëndësishëm artistësh në lëvizjet e artit të 1900-ës dhe ky grup na ka sjellë në këto panele të futurizmit italian. Ka një gjendje sublime dhe të jashtëzakonshme në këto lëvizje dhe mënyra sesi piktura e thith vëmendjen  e spektatorit.
 
Pra e bën pikturën më inteligjente?
E bën më interesante do të thosha sepse çdo periudhë ka influencat e veta dhe diferencohet nga periudhat e tjera. Pampiloni ka një dinamikë shumë interesantë në këtë vepër, pra ky marinari në hapësirë të personalizuar. Pampiloni u lind në fundin e viteve ‘800 dhe ndërroi jetë në gjysmën e ‘900-ës në Romë.
 
Qenka shumë i përparuar për kohën kur ka lindur dhe kur ka pikturuar.
Po sigurisht flasim për artin italian të viteve 900. Italia ka një histori që në çdo muze në Evropë është e pamundur që të mos e gjesh artin italian të treqindës, katërqindës, pesëqindës e deri në periudhën moderne.
 
Edhe pse kufijtë e Shqipërisë kanë qenë të mbyllur me Italinë po ta vësh re De Chirico ka qenë i njohur për shqiptarët, për piktorët dhe ka qenë një emër i përmendur.
Duhet të zbulojmë misteret e këtij familjariteti me këtë artist sepse është De Chirico por edhe vëllai i tij. De Chirico u lind në 1888 në Greqi, ku i ati ishte me punë, dhe ndërron jetë në vitin 1967 në Romë. De Chirico shumë i dashur për artistët shqiptarë sepse ka qenë një referencë si Picaso e artistë të tjerë. Vendi i jonë i vogël dhe i izoluar nuk e ka pasur referenca direkt që të përballeshin me vepra origjinale. Ishte e pamundur të shijoje një vepër origjinale, pasi ishte ndryshe të shihje një katalog dhe ndryshe kur ke një vepër autentike. origjinale. Në këtë rast, në këtë ekspozitë, sigurisht që të gjitha veprat janë autentike, origjinale dhe vijnë nga muzeumet e Romës.
 
Këtu kemi një vepër që bëhet fjalë për vitet ‘33, ‘34 është një vaj në kanavac. Në qoftë se do t’i referohemi edhe atmosferës në Shqipëri, këtu kemi të bëjmë me një dimension totalisht tjetër, edhe nga elementët grekë, të Greqisë klasike, të Greqisë antike, dhe kjo gjë e shoqëron gjithë kohën.
 
Gjithmonë në pikturat e Giorgio De Chiricos shohim dy elementë, shohim një çift, dy persona që ecin, edhe hija e tyre që mbetet pas. Pra është një vëzhgim shumë delikat, për t’u parë në të gjitha veprat e De Chiricos, diçka që atij i ka ngelur që në adoleshencë dhe filloi të shfaqej që kur ka qenë në Bavari të Gjermanisë. De Chirico është një nga autorët më të rëndësishëm të artit të ‘900-ës italiane, është një kolonë e rëndësishme e ‘900-ës italiane dhe asaj evropiane, sigurisht.
 
Ecim më tej?
Jemi tek tabloja e Felice Carenas. Sigurisht që kjo është vepra më e madhe në këtë ekspozitë me 102 vepra midis skulpturës, pikturës, akuarelit, bronzit, qeramikës, do të thosha e pasur. 

Carena, një artist që ndërron jetë në Venecia që ka pasur referencë në veprën e vet Rilindjen italiane por dhe frymëzime midis Matis, pak Bonart, pak Suzan. Një pikturë shumë elegante, e mbajtur me trajta shumë delikate, një kompozim që nuk të ngop duke qenë brenda saj. Është një pikturë shumë delikate, e qetë, pa dhunë. Janë këto figurat nudo të femrës, na kujton edhe një artist të njohur Gigi Cesta, i cili është ndarë nga jeta në moshë të re. E gjithë piktura e tij është në harmoni. Jo më kot edhe titulli i saj është “Qetësi shpirtërore”.
 
Është edhe ai momenti kur gratë bien në qetësi kur janë të vërteta që ndodh ndonjëherë në bisedat intime?
 
Sigurisht, dhe nuk ka gjë më të mirë kur njerëzit bien në qetësi.
 
Kalojmë tek një vepër tjetër të artistit piemontez. Felice Casorati në 900-ën e artit piemontez, mendimi im dhe i kritikës italiane, ai është artisti më i rëndësishëm i shkollës së 900. Ai është një figurë shumë e kompletuar, me një qetësi sublime, pasi i buronte nga aristokracia. Ai ka jetuar në Torino, është një artist rigoroz, ku spikat përkushtimi i penelatës, ku do të thosha shumë të kuruar, ku është e pamundur të gjesh gjeste të pakontrolluara.
 
Dhe përveç kësaj di të vendosë individualitetin në një mënyrë shumë interesante...
Absolutisht që po, pra Casorati ka bërë edhe një gjë, individualitetin e tij ja ka përcjellur edhe studentëve të tij dhe shumë artistëve që kanë qenë rreth tij. Në 900 Torino ka artist shumë të njohur. Aty ka lindur edhe grupi “Bathra”. Mobilja është shumë e rëndësishme në ‘900-ën italiane. Mobilja është një vepër arti. 900-a është sublime sepse të rrëmben. Mos të harrojmë që në Itali pas Luftës së Dytë Botërore kemi një Itali me zhvillim ekonomik, dhe kjo me çfarë e shoqëron? Me entuziazëm. Pra entuziazmi pas luftës karakterizon arkitektët, poetët, intelektualët, që shkonin drejt Torinos, drejt një bollëku dhe kjo lexohet edhe nëpër veprave të artit. Kemi një Itali me entuziazëm “të shfrenuar” dhe kjo ndihet e perceptohet në radhë të parë nga artistët.
 
Ka edhe dashuri për të rrëmbyer të bukurën...
Sigurisht që po. Ata artistë që fatkeqësisht në Shqipëri, në vitet 68, 69, deri në vitet ’70, si Maks Velo, si Edison Gjergo, patën atë entuziazmin, atë influencën, atë afshin e mirë, pozitiv, që quhet Perëndimi, pra kultura, liria e artistit, ajo që këtu filloi të vinte e që u pre kokë e këmbë më 1973, nga plenumi i katërt i komitetit qendror dhe që e ndrydhi, e masakroi artin, poezinë, kulturën, shprehjen e mendimit.
 
Kjo është “La Famiglia” e Mario Sironit. Të gjithë janë të rëndësishëm, por Mario Sironi është Mario Sironi. Një artist sard, i cili sjell një nerv shumë të fortë, grafik do të thosha, në veprën e vet. Mario Sironi ka një individualizëm i cili evidentohet edhe për shkak të jetesës në periudhën fashiste, që ndihet edhe në distancë. Ka referenca të artit antik, nëse shikojmë referencat e ngjyrës, mënyrën se si e ka kap karakterin e portretit, se si i trajton planet e treta, planet e dyta, pra punon e kërkon një lloj drite nëpërmjet grafikës, nëpërmjet kontrastit.
 
Ka qenë i përkrahur nga klika fashiste?
Nuk mund të flas për jetën e Mario Sironit aq sa për veprën e tij. Ai e ka këtë tension, këtë klimë, të jetuar të periudhës fashiste, kështu që sigurisht edhe është pasqyruar në veprën e tij.

Çfarë shërbese ka kjo ekspozitë për publikun, për studentët. Mendo nëse do të vinte një ekspozite e tillë në kohën e diktaturës, kur ti vetë ke qenë student. Çfarë vlere ka në thelb ekspozita me kryeveprat italiane për publikun shqiptar me përmbajtjen e saj?
Kjo është një ekspozitë e cila pasuron dijen, pasuron kulturën, pasuron mendjen. Është një ekspozitë që meriton të shikohet, një ekspozitë e kuruar bukur. Lista është shumë e gjatë e atyre që duhen falënderuar. Janë shumë protagonistë që e mundësuan, duke filluar që nga Kryeministri, Ambasada e Italisë, Bashkia e Tiranës, partneriteti i kompanisë private “Arthemisia Group”. Nuk më takon mua të marr merita për këtë ekspozitë. Sigurisht këto vepra këta autorë kanë shumë vlera njohëse dhe vlera historike dhe kjo ekspozitë të hap sytë e mendjes.

[gallery]20598[/gallery]

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre