Çelja e Bunk’Art: Rama të hapen dosjet
Për herë të parë, 36 vjet nga inaugurimi në Qershor të 1978-ës, u hap në Tiranë bunkeri anti-bërthamor i ndërtuar nga qeveria komuniste, një pallat i vërtetë 5 kate nëntokë, por këtë radhë i shndërruar në një qendër historiko-artistike të quajtur “BUNK’ART”.Hapësirat e parashikuara për mbledhjet e Byrosë Politike nëse Shqipëria sulmohej, dhomat ku mendohej të flinin ish-diktatori i komunizmit Enver Hoxha dhe ish-kryeministri Mehmet Shehu në rast të një sulmi bërthamor, janë transformuar në art. E ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, i cili i i shoqëruar nga ambasadori italian Massimo Gaiani, kryediplomati amerikan në largim Aleksandër Arvizu dhe ministra të kabinetit qeveritar të cilët hapën 5 dyert e blinduara të këtij bunkeri në periferi të Tiranës, që tashmë është shëndërruar në një ekspozitë-muze. Nga salla ku ishte parashikuar të mbaheshin mbledhjet e Kuvendit të Shqipërinë në rast sulmi bërthamor, Rama tha se pas çeljes së këtij bunkeri për mbarë publikun, do të hapet çdo varr i së shkuarës siç u shpreh ai, duke veçuar hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit.
Bunk’Art, ambjenti më i frekuentuar, dhoma e Enver Hoxhës
Në bunkerin e komunizmit "BUNK'ART" të hapur për qytetarët pas 36-vjetësh, pjesa më moderne dhe më e sofistikuar për kohën ishte apartamenti i ish-diktatorit Enver Hoxha. Në kohën e ndërtimit të këtij bunkeri ish-diktatori Hoxha mbante postin e Komandatit suprem i forcave të armatosura dhe dhoma ose më saktë apartamenti i ndërtuar shërbente për të dhe bashkëshorten e tij. Në hyrje të apartamentit gjendet dhoma e sekretarit e pajisur me elementë mjaft modern për kohën. Më pas vijojmë me dhomën e ndenjes e arreduar me mobiliet më të shtrenjta dhe moderne të kohës.
BUNK’ART, çfarë fshihej në dhomën e nëndheshme të Mehmet Shehut
Një nga dhomat e cila ka zgjuar interes të veçantë përveç apartamentit të ish-diktatorit Enver Hoxha është edhe dhoma i ish-kryeministrit të asaj kohe Mehmet Shehu. Ky mjedis në brendësi të bunkerit të nëndheshëm është i përbërë nga disa pjesë ku ndër to përmendin dhomën e gjumit të Shehut, tavolinën e tij të punës, apo edhe dhomën e sekretarit. Dhoma e Mehmet Shehut gjendet në Bunkerin me 5 dyer të blinduara, të emërtuar në vitet e regjimit komunist si “Objekti 0774”, është pesë kate nën tokë dhe ka mbi 106 dhoma. Në shumë nga këto ambiente janë ekspozuar armatime, uniforma, dokumente, harta të ndryshme dhe detaje të tjera që shërbenin në atë kohë.
Bunk'art, në tunelin e komunizmit edhe Natasha...shërben në banak
Një nga personazhet më të spikatura e cila ka punuar në brendësi të bunkerit anti-bërthamor të komunizmit të shndërruar tashmë në një ekspozitë-muze të "pagëzuar" BUNK'ART është edhe “Nëna e mirë” Natasha. Ajo ka marrë pjesë në stërvitjet ushtarake që zhvilloheshin brenda në bunker, ku ka patur rolin e banakieres, punë së cilës i është rikthyer edhe tani me hapjen e bunkerit për publikun ku si atë kohë vazhdon të shërbejë pas banakut. E punësuar që prej 25 shtatorit të vitit 1985 ajo kujton me nostalgji kohët kur shërbente pas banakut të kafesë së improvizuar brenda në bunkerin e nëndheshëm, kur u zhvillua edhe stërvitja e parë në nëntor të viti 1985. Për plot 7 ditë Natasha së bashku me Shtabin e Përgjithshëm u mbyll në bunker për shkak të simulimit të gjendjes së luftës.
Bunk’Art në sytë e mediave të huaja
Ndërkohë hapja e bunkerit të nëndheshëm ka patur jehonë edhe në mediat botërore duke u komentuar nga mediat e huaja.
Fama e bunkerit gjigant ndërtuar në kohën e komunizmit që u hap veçse një ditë më parë për publikun shqiptar i ka kaluar kufijtë. Mediet e huaja kanë shkruar për këtë bunker sekret nëntokësor ndërtuar dekada më parë për t’i mbijetuar një sulmi të mundshëm bërthamor nga ana e Bashkimit Sovjetik apo Shteteve të Bashkuara, sulm ky që nuk erdhi kurrë.
BBC: BUNK'ART, tërheqje për turistët e huaj
E para që ka shkruar për të ka qenë britanikja BBC e cila kundrejt historisë citon qëllimin e hapjes së bunkerit gjigant, të quajtur tashmë Bunk’Art që do të shërbejë si një atraksion për turistët e huaj me elementë nga Lufta e Dytë Botërore dhe periudha e komunizmit. BBC shton se data e hapjes për publikun shqiptar është bërë pikërisht disa ditë përpara datës së çlirimit të Shqipërisë, më 29 Nëntor.
ABC News: Bunkeri 5 kate nën dhe me 106 dhoma të papërdorura kurrë
“Kryeministri Edi Rama udhëhoqi vizitorët, përfshirë ambasadorë perëndimorë, në një vizitë në bunkerin 5 kate nën dhe me 106 dhoma të papërdorura kurrë më parë”, shkruan ABC Neës.
Edhe ANSA shkruan per ndertesen sekret te komunizmit
Ndërsa e përditshmja italiane ANSA jep më tepër detaje mbi kohën e ndërtimin të bunkerit duke cituar edhe fjalën e kryeministrit Rama: “Ne kemi hapur një enciklopedi të kujtesës kolektive që paraqet mijëra copa të ngjarjeve të zymta dhe të jetës nën komunizëm”. Ajo shton më tej se ndërtesa është mbajtur për një periudhë të gjatë sekret dhe përdorej nga regjimi i vjetër vetëm gjatë stërvitjeve ushtarake. Pikërisht në këtë ndërtesë simbol të komunizmit ndërkombëtar, ambasada italiane ka planifikuar të organizojë një seminar në vitin 2015.
Pjesë mjaft interesantë gjatë hapjes së Bunk’Art ka qenë edhe përgatitja e ushqimeve të kohës.
Në “Bunk’art” jo vetëmhistori, por edhe receta të viteve ‘70
Hapja e “Bunk’art” ditën e sotme padyshim që surprizoi të gjithë të pranishmit në aktivitet, nisur nga hapësira që përfshin, ndërtimi, objektet aty, por edhe ajo që historia përcjell. Por nuk mund të mos binte në sy të të pranishmëve banketi i zgjedhur në kuadër të këtij aktiviteti, me gatime tradicionale të viteve 1970. Recetat që ishin pjesë e bufesë, mes të cilave biskota, tollumba, pasta, revani, etj; padyshim që serviren në tryezat tona edhe gjatë ditëve të sotme.. E ndërsa të pranishmit vizitonin ambientet e “Bunk’art” dhe ndaleshin tek ajo çka përcjell historia e asaj periudhe, recetat e servirura sollën edhe pak “ëmbëlsi”, po nga vitet “70.
Bunk’Art limuzina e Enverit aktraksion i veçantë
Menjëherë sapo qytetarët afrohen për në hyrjen me pesë dyer të blinduara të “Bunk’Art” mësojnë kuriozitete rreth historisë së këtyre automjeteve. Limuzina e zezë daton që prej vitit 1950 dhe i është dhuruar diktatorit Enver Hoxha nga udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik Joseph Stalini.Limuzina është e tipit Zim -12 luksoze, e prodhuar nga fabrika ruse Gorki, e cila në periudhën e viteve 1950 dhe 1960 nxorri në treg më pak se 22 mijë copë të tilla. Në vitin 1954 mbërritën në Shqipëri 10 makina të tjera të të njëjtit tip për udhëheqësit kryesorë të partisë.
Elementë kuriozë rreth këtij automjeti luksoz të kohës ishin se vendin tonë ndalohej qarkullimi në mënyrë që të kalonte kjo limuzinë, por sot që kohët kanë ndryshuar edhe kjo limuzinë për të ndaluar duhet të respektojë rregullat e qarkullimit.
Zim-12 i Enver Hoxhës i ka shkelur rregullat e ndalimparkimit dhe për këtë është gjobitur dhe vec të tjerash ka udhëtuar edhe me dritë të thyer.
Një tjetër prapaskenë e panjohur dhe mjaft interesante ishte se kjo makinë është përdorur edhe gjatë funeralit të ish-diktatorit Hoxha.Në ambjentet e bunkart janë zhvilluar edhe aktivitete të shumta e të rëndësiishme:
Krerët e besimeve fetare nëBunk’Art: Harmonia, vlera jonë
Aseti më i çmuar i Shqipërisë është bashkëjetesa fetare, element ky që jo vetëm ngjall kureshtjen e të huajve, por duhet të shërbejë edhe si model për t'u ndjekur për vendet e botës ku zhvillohen luftra në emër të fesë. Këtë mesazh kanë përcjell njëzëri krerët e institucioneve fetare në vendin tonë, ndërsa të ulur bashkarish në një panel në bunkerin e ish-diktatorit Hoxha, përbënë kartolinën më të bukur për ta dëshmuar këtë, ku theksuan se hapja e bunkerit nuk është muze i diktatorit Hoxha.
Ironia e fatit deshi që krerët e besimeve fetare të bashkoheshin në vendin e ndërtuar nga vetë diktatori që u përpoq të asgjesojë çdo besim fetar në vend, por për ta asgjë nuk mund ta zhdukte Zotin nga zemra e shqiptarëve. Në ambientet e BUNK’ART një hapësirë e vecantë iu kushtua një ekspozite me foto e dëshmi të persekutimit që regjimi komunist i bëri besimit, të sjella këto nën kujdesin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT) dhe Komitetit Shtetëror të Kulteve.
Bunk’Art, fluks i lartë për Çlirimin të përndjekurit kujtohen me poezi
Një fluks i madh qytetarësh nga të gjitha moshat kanë zgjedhur bunkerin e nëndheshëm si destinacion për të festuar ditën e 70-vjetorit të Çlirimit. Dhimbjet e përjetuara të personave të përsekutuarpër shkak të dënimeve të kohës së komunizmit të shkruara në libra, i është dhënë zë gjatë 70-vjetorit të Çlirimit, në ambjetet e Bunk’Art.
“Pas hekurave” është pagëzuar event ii organizuar në sallën e Kuvendit, i cili ngjiti në këtë skenë aktorët e shfaqes së njohur në Teatrin Kombëtar, “Radio Iliria”, ku si tematikë kryesore ishte pikërisht vuajtja e të persekutuarve në përiudhën e regjimit komunist. Aktorët e njohur të skenës shqiptare Mërkur Bozdo, Erand Sojli, Justina Aliaj, Flonja Kodheli, Jonida Beqo, Arben Bajraktaraj kanë interpretuar dhe i kanë dhënë zë veprave të përzgjedhura si “Letërkëmbim i dhimbshëm” nga Mita dhe Tuk Jakova, “Këngë në shtrëngatë” nga Dhora Leka, poezi në burg nga Visar Zhiti dhe “Ridënimi” nga Fatos Lubonja. Në këtë përvjetor të rëndësishëm janë kujtuarme anë të këtij eventi ëndrrat që mbarte ky çlirim arritën të thyhen gjatë diktaturës 50-vjeçare që dërmoi vendin tonë.
Expo Milano ekspozitë në Bunk'Art, në 2015 hapet panairi
Nën moton “Ushqimi ynë, historia jonë, misteri ynë” Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse në ekspozenë e njohur universale “Expo Milano 2015”. Nëpërmjet këtij panairi ku Shqipëria merr pjesë për herë të parë si një vend i konsoliduar dhe i vetfinancuar, ushqimi si motor i energjisë së jetës është mesazhi kryesor që përçohet. Këto mesazhe janë dhënë në formën e një ëorkshopi në bunkerin e nëndheshëm të regjimit diktatorial në Shqipëri, i cili tashmë është shndërruar në një ekspozitë-muze të hapur për publikun të pagëzuar me emrin BUNK’ART.
“Expo Milano 2015”, panairi i famshëm ndërkombëtar, ka zgjedhur të shpalosë mesazhin e jetës përmes ushqimit dhe energjisë si dhe bashkëjetesës fetare pikërisht në bunkerin e nëndheshëm të regjimit diktatorial në Shqipëri, ndësa disa hapësira të veçanta të bunkerit 5 kate nën tokë i janë kushtuar një ekspozite për kete eveniment. Dhe ndryshe nga errësira dhe jeta nën tokë në bunker, ky mesazh i shpalosur në këtë ekspozitë flet për jetën mbi tokë: Ushqimin, energjinë dhe bashkëjetesën fetare.
Ambasadori italian në Shqipëri Massimo Gaiani, i cili organizoi së bashku përfaqësuesit e “Expo Milano 2015” ëorkshopin me temë “Shqipëria drejt Expo Milano 2015” theksoi rëndësinë e këtij panairi për shkak të konsolidimit të dialogut mes vendeve pjesëmarrëse si dhe theksoi rëndësinë e prezantimit të këtij senari në bunker.
“Për të nisur një iniciativë të tillë nuk do të kishte vend më të mirë sesa ky bunker që simbolizonte pikërish mbylljen dhe izolimit dhe mosbesimit për të tjerët qofshin këta fqinjtë afërt ose jo. në ndryshim më nga expoja universale e cila është simboli më i mirë i hapjes të pjesëmarrjes të të gjitha vendeve në një sfidë të përbashkët në interes të të gjithë banorëve të planetit.”
Për të plotësuar më tepër çeljen e bunk’Art kanë shërbyer edhe instalacionet e shumta artsitke
Bunk'Art, instalacionet artistike mesazhe me gjuhën e imazhit
Një anë e veçantë kushtuar me hapësira në bunkerin e nëndheshëm “Bunk’Art” është edhe pjesa artistike.
Me anë të punimeve dhe instalacioneve të ndryshme artistike artistë të ndryshëm kanë sjellë krijimet e tyre duke përcjellë mesazhet përkatëse me anë të artit.
Artisti Enkelejd Zonja me anë të një serie delikate minimale vizatimesh, të cilën e ka pagëzuar me emrin “Teshtija e së kuqes” sjell figurën e pionerit si simbol optimizmi pafajësie e njëkohësisht mishërimi i periudhës së komunizmit, por motivet dhe situatat kundërvihen duke zhvlerësuar rëndësinë e figurës që pionieri përfaqësonte.
Ledia Konstandini ka sjellë në Bunk’Art kolazhin me kuti kartoni, ku me anë të formave, ngjyrave e gjithçkaje tjetër përçon mesazhet e një kohe të vështirë që tashmë kemi lënë pas. Për tu vizituar është edhe miniekspozita e artistes Rudina Hoxhaj nën emrin “Atmosferë familjare në periferinë e qytetit”. Hoxhaj me anë të video-projeksionit ka sjellë për publikun. Fëmijët e asaj periudhe të cilët janë duke luajtur luftërash me shpata druri të bëra vetë, skena dhune dhe lufte midis dy grupeve kundërshtare në një hapësire ku më parë ka patur gjelbërim dhe tashmë është shndërruese në një parkim makinash.
Bunk’Art, Muzeu sekret i ndërlidhjes Komunikimi në ushtrinë e diktaturës
Elementet e periudhës së komunizmit të vendosura në bunkerin e nëndheshëm “Bunk’Art” vijojnë të jenë më të vizituarat nga qytetarët e shumtë. Përveç dhomave të udhëheqësve politikë të asaj kohe si Enver Hoxha apo Mehmet Shehu, me mjaft kureshtje janë përcjellë edhe objekte të ndryshme që rivijnë në këtë kohë deri në ditët tona nëpërmjet tyre.Një nga 106 dhomat më të vizituara është edhe “Muzeumi i Ndërlidhjes”. Kjo hapësirë i është dedikuar pikërisht komunikimit gjatë asaj periudhe ku aparaturat janë mjaft avangarde për kohën. Një sllogan i regjimit komunist, por që edhe sot e kësaj dite, përdoret nga të gjithë ushtritë e botës është: “Pa ndërlidhje, nuk ka komandë dhe pa komandë, nuk ka fitore”.Një pjesë e bunkerit, që për arsye sekreti, edhe sot është e ndarë nga pjesa tjetër e tunelit, ishte e destinuar për impiantin e ndërlidhjes. Në këtë dhomë janë ekspozuar disa nga aparatet origjinale të përdorura në vite nga ushtria shqiptare. Ata që duken më modernë ishin instaluar në repartin e ndërlidhjes së këtij bunkeri të inauguruar nga Enver Hoxha me 28 qershor të 1968.Përpos veçantisë së kësaj dhome në korridoret jashtë saj ekpozohet një foto e ish-diktaktorit Enver Hoxha i cili foton e ka realizuar pikërisht në vendin ku është vendosur.
Bunk'Art, salla e Kuvendit mjedisi i projektuar për mbledhjet e byrosë
Në ambjentet e “Bunk’Art 106 dhomave të mbushura me pjesë të historisë në periudhën e komunizmit rëndësi të veçantë i është kushtuar edhe dhomës së Kuvendit. E lidhur me pjesën e ‘kafenesë” ku shërben Natasha brenda në bunker, dhoma e Kuvendit është një nga pjesët më të rëndësishme të bunkerit të nëndheshëm.Në këtë hapësirë do të zhvilloheshin mbledhjet e byrosë politike të asaj kohe, ku do të diskutoheshin në rast lufte, strategjitë që do të ndiqeshin nga ushtria. E mbushur me foto ku tregohen dy anë të regjimit “bollëku” që kishin diktatorët politikë me skamjen e popullit, aty gjendet një skenë, e cila ngjan me një teatër të improvizuar. Nga kjo sallë ishte parashikuar të mbaheshin mbledhjet e Kuvendit të Shqipërinë në rast të një sulmi bërthamor.
Me çeljen e Bunk’Art pas 36-vitesh në këtë ambjent është realizuar edhe hapja e tij nëpërmjet fjalës së Kryeministrit Rama, ku ja bërë pjesë edhe Ministria e kulturës Mirela Kumbaro, Ministria e mbrotjes Mimi Kodheli, Ambasadori Arvizu etj. Gjithashtu në ambjetet e kësaj sallë janë mbajtur takime të rëndësishme si “Expo Milano 2015”, apo i takimit të krerëve më të rëndësishëm fetarë në këtë mjedis. Ndërkohë fluksi i vizitorëve vijon të jetë i lartë në ambjentet e Bunk’Art.
Ambasadori turk sërish në Bunk'art 'Një herë nuk mjafton për ta vizituar'
Krahas vizitorëve të shumtë, ditën e sotme një tjetër vizitor që ka zgjedhur “Bunk’Art” për fundjavë, është edhe ambasadori turk në vendin tonë Hidayet Bayraktar. Kjo është vizita e tij e dytë në ambientet e “Bunk’Art”, e para më 22 nëntor ditën e hapjes së tij, ku ka qëndruar për rreth 2 orë e 30 minuta.
Ai ka vizituar imtësisht të 106 dhomat e bunkerit anti-bërthamor gjatë vizitës së tij ditën e sotme. Në një prononcim për televizionin A1 Report, ai e cilëson “Bunk’Art” një gjetje mjaft interesante, ndërsa nuk preferon të veçojë asnjë nga dhomat, duke theksuar se të gjitha dhomat e “Bunk-Art” kanë veçantinë e tyre.
“Jam shumë i kënaqur që bëra këtë vizitë këtu, në fakt nuk ishte vizita e parë është vizita e dytë. Herën e parë kam qenë në hapjen që bëri Kryeministri, ishte diçka mjaft e bukur. Unë e ndoqa nga afër historinë e Shqipërisë që nga vitet 30' e deri në ditët e sotme.” Për Bayraktar të gjitha dhomat e hapura për publikun në Bunk’Art kanë veçantitë e tyre dhe se duhet parë i tëri si një objekt muzeal”
Bunk'Art, ja dokumentet dhe fotot që dëshmojnë kapitullimin e Italisë
Me një anë të një renditje kronologjike në dhomat dedikuar pushtimit fashist në bunkerin e nëndheshëm një çast mjaft i rëndësishëm i historisë sonë është edhe mbledhja e njohur e Mukjes dhe kapitullimi i Italisë Fashiste.Në këtë dhomë dedikuar kësaj pjese të historisë gjenden dokumente, foto dhe objekte të tjera që tregojnë rreth aleancës së asaj kohe mes Frontit Nacional Çlirimtar dhe Balli Kombëtar, bashkëpunim i cili u materializua në disa takime.
Balli Kombëtar dhe Frontit Nacional Çlirimtar u takuan për herë të parë në Tapizë më 26 korrik 1943 dhe më pas në Mukje më 1-3 gusht 1943.
Në këto takime u arrit marrëveshja për një bashkëpunim kundër fashizmit si dhe u morën vendime për Shqipërinë si dhe për njohjen e Shqipërisë etnike. Ndërkohë në korrik të vitit 1943 zbritën në Sicili forcat aleate një ditë para se të takoheshin FNÇ dhe Ballit , në Itali ku pati grusht shteti dhe qeveria e Musolinit u rrëzua.
Bunk'Art ka mbyllur përkohësisht dyert e blinduara dhe pritet të çelet sërish gjatë vitit të ri, duke pritur të vizitohet nga më tepër turistë dhe kureshtar.
Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)