Në skajin verilindor të Shqipërisë, aty ku mali i Korabit prek qiellit në 2,751 metra lartësi, shtrihet një thesar që refuzon të harrohet. Radomira.
Një fshat me ligje të vjetra pleqnie, ku dikur zhurmonin mijëra krerë bagëti, e sot po rizgjohet nga zërat e turistëve nga mbarë bota.
Çdo mëngjes, fiks në orën tetë, fshati nis të marrë frymë nën ritmin e thundrave të kuajve. Vehbi Çaveqa zbret nga bjeshka drejt qendrës së fshatit.
“Kam 100 krerë bagëti. Çdo ditë zbres me kalë këtu për të dorëzuar qumështin. Herë 50 e herë 100 litra... Kështu bëjnë edhe banorët e tjerë”, tregon Vehbi Çaveqa.
Por ky ritual i përditshëm mbart me vete një dhimbje të heshtur. Kullotat e pasura po mbeten pa zot.
“Ka rënë numri i deleve që mbajnë. Nga 20 mijë dikur, sot mund të jenë rreth 5 mijë këtu. Arsyeja? Emigrimi. Kanë ikur...” shprehet banori i Radomirës.
Radomira, pjesë e Parkut Natyror Korab-Koritnik, po përballet me plagën e madhe të maleve shqiptare. Nga 100 shtëpi që gumëzhinin para viteve '90, sot numërohen vetëm rreth 20 syresh.
Vetëm 35 km larg Peshkopisë, rruga e re e asfaltuar ka afruar distancat, por nuk ka ndalur zbrazjen. E megjithatë, pikërisht atëherë kur dukej se gjithçka po shuhej, diçka nisi të ndryshojë.
Lidhja me tokën nuk këputet lehtë. Agron Sufa jeton prej vitesh në kryeqytet, por rrugën e kthimit për në Radomirë e bën rregullisht.
“Unë banoj prej vitesh në Tiranë, por nuk heq dorë nga bulmeti i Radomirës. Vij përherë për të bërë furnizim për familjen. Djathi i deleve këtu është i veçantë, sepse ushqehen me bimësinë e pasur të kësaj zone”, tregon Agron Sufa.
Ky produkt i çmuar mban gjallë ekonominë, por për ta kthyer Radomirën në një destinacion jetëgjatë, duhej diçka më shumë se blegtoria. Duhej guximi i rinisë.
Habil Ahmati është vetëm 26 vjeç. Në moshën 15-vjeçare ai mori rrugën e emigrimit drejt Londrës. Punoi në ndërtim, por mendjen e kishte gjithmonë te ky ballkon i Korabit.
“Unë ika prej këtej në moshën 15-vjeçare dhe jetoj në Angli. Po tani jam kthyer dhe punoj gjatë gjithë sezonit veror me prindërit në biznesin tonë familjar. Qëndroj këtu rreth 6 muaj dhe e kam në plan që të mos kthehem më në Angli”, shprehet Habil Ahmati.
Sfidat e emigrimit u zëvendësuan me një motivim të ri: valët e turistëve që po zbulojnë bukuritë e egra të fshatit të përfshirë në projektin e "100 Fshatrave Turistikë".
“Këtu vijnë alpinistë nga e gjithë bota dhe kanë dëshirë që të ngjisin malin e Korabit, majën më të lartë të Shqipërisë. Edhe kjo më motivon mua që të qëndroj këtu. Radomira ofron një siguri shumë të madhe, ka liqenin e zi, ofron mikpritjen shumë të mirë. Sezoni nisi shumë bukur”, thotë Habil Ahmati.
Por asgjë nuk u ngrit brenda një nate. Rrugëtimi i këtij biznesi familjar nisi dy dekada më parë, si një nevojë e thjeshtë për t'u shërbyer banorëve të zonës.
“Ne kemi gati 20 vite që e kemi si objekt. Në fillim ka qenë vetëm kafe për banorët... Më pas erdhën alpinistët që i morëm në shtëpinë tonë fillimisht. Babai pati një ide se si t’i akomodojë. Kemi filluar me dy dhoma, sot kemi 26 dhoma dhe po mundohemi të kemi edhe më shumë”, tregon Habil Ahmati nga Radomira.
Brenda kuzhinës, tradita është e shenjtë. Por menaxhimi modern kërkon përshtatje, sidomos kur klientët vijnë nga kultura krejtësisht të ndryshme.
“Ne ofrojmë ushqim tradicional kryesisht për të huajt, shumica e të cilëve janë vegjetarianë. Ndërsa mishin e servirim për familjet shqiptare. Nuk është vetëm ushqimi është edhe mikpritja jo vetëm këtu në Radomirë, por të huajt e vlerësojnë në të gjithë Shqipërinë.” sipas banorit Habil Ahmati.
Për bashkëshortët Sabrije dhe Sitki Ahmati, lodhja e punës së përditshme nuk peshon asgjë para lumturisë së madhe: rikthimit të djemve në shtëpi.
“Shumë e lumtur jam se i kam fëmijët në vendin tim. Djali ka ardhur nga Anglia dhe është punësuar këtu. Punojmë si familje. Edhe një djalë e kemi në Itali. Edhe ai do të kthehet së shpejti këtu”, shprehet Sabrije Ahmati.
“Do të grumbullohemi të gjithë të punojmë së bashku. Jemi më të kënaqur se sa të punojmë në emigrim. Mund të fitojnë më shumë andej por këtu jemi në shtëpi, i mbulon me një jorgan në darkë e ndjehemi rehat”, tregon Sitki Ahmati.
Ideja për këtë arkitekturë të veçantë erdhi pikërisht nga Italia. Akili, djali i madh që punon në Bolzano, pa shtëpitë alpine të drurit dhe mendoi se i njëjti model do të shkëlqente edhe nën këmbët e Korabit.
Dhe rezultati është ky: Radomira nuk vizitohet më vetëm nga aventurierët e rrugës, por nga familje të tëra që vijnë nga zemra e Evropës.
“Ne kemi një javë që qëndrojmë në Shqipëri. Në Radomirë jemi prej dy ditësh. Na pëlqen shumë. Është vend i bukur. Pronari i hotelit na përgatiti mëngjesin e hershëm. Më pas dhe drekën sepse ne u ngjitëm lart në Korab.Pamje dhe shëtitje e mrekullueshme”, tregon një turiste angleze.
“Natyra është ende e paprekur. Dhe kjo është e këndshme. Është shumë bukur këtu, shumë qetë. Po, është shkëlqyeshëm!” shprehet një i ri anglez.
“Gjithmonë patëm pritje të ngrohtë kudo ku shkuam. Veçanërisht këtu mikpritja ka qenë e shkëlqyer. Unë patjetër që e rekomandoj ardhjen në Shqipëri sepse ka qenë një eksperiencë vetëm pozitive”, shprehet një tjetër turist nga Anglia.
“Përshëndetje të gjithëve! Unë quhem Michele Ribota dhe jam përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri. Kam kaluar dy ditë të mrekullueshme këtu në Radomirë. U ngjita për herë të parë në majën e Korabit dhe ishte absolutisht e mrekullueshme. Ajo që më pëlqen më shumë këtu është të qenit më pak e ngarkuar se zonat e tjera malore. Unë kam lëvizur shumë, pikë së pari Tirana tani është shumë e nxehtë. Prandaj është shumë kënaqësi të jesh këtu lart e të shijosh ajrin e freskët. Kjo është diçka ndryshe, je në kontakt me natyrën. Mikpritja është e jashtëzakonshme prandaj e rekomandoj.”
Ky sukses vjen edhe falë një vetëdijeje të jashtëzakonshme të vetë banorëve. Në një kohë kur pyjet e Shqipërisë u masakruan, Radomira i mbrojti ato me ligjet e veta të pleqnisë.
“Vijnë prej malit të Korabit por edhe prej pamjes panoramike. Ne si zonë i kemi mbrojtur vetë pyjet, e kemi mirëmbajtur që të jetë ashtu siç zoti e ka krijuar. Bjeshka ka ujë, në Korab gjen borë edhe në verë... Këto 4-5 vitet e fundit rikthehen të njëjtët turistë me miq të rinj”, shprehet Sitki Ahmati.
Por mbrojtja e vendit nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Radomira mbart një histori të gjatë që ruan kodet e forta të bashkëjetesës. Ramazan Daku, i larguar që fëmijë nga fshati, kthehet sot me mall dhe me nipin e tij përdore.
“Kam ikur që nga viti 1963 në Paskuqan... Radomira ka patur histori. Njerëzit e kanë mbrojtur këtë vend edhe me gjak. Kishte ligje shumë të forta, nuk lejonin njerëz të këqinj, por i ‘dëbonin’ vetë banorët. Në atë kohë mali ka patur një komision, vendoste ky komision për të prerë pyjet. S'ka pas ligj shteti, vetëm fshati”, tregon banori Ramazan Daku.
Një fshat me rregulla të rrepta, por edhe me histori të mëdha dashurie që thyen tabutë e kohës, të cilat sot kujtohen përmes këngëve.
“Ka dhe një këngë ‘Cuca e Radomirës’ e cila ka histori të sajën. Vajza që u dashurua dhe u martua pa leje me korçarin ushtarak... Gjithmonë ky fshat ka ecur me ligjet e veta”, shpjegon Ramazan Daku.
Por, pavarësisht bukurisë romantike të turizmit, realiteti i maleve mbetet i ashpër. Mungesa e mbështetjes nga institucionet mbetet pengesa më e madhe për ata që duan të investojnë këtu.
“Që t’ia nisësh nga zero është pak vështirë me shtetin që kemi”, thotë Habil Ahmati.
“Më shumë probleme kemi pasur me legalizimet”, tregon Sitki Ahmati.
E megjithatë, mesazhi që vjen nga ata që e provuan rrugën e mërgimit është i qartë: e ardhmja nuk është në ndërtimet e Londrës, por në bujtinat e vendlindjes.
“Unë jetoj vetë në Angli, në ndërtimtari kam punuar. Por u them rinisë: Shqipëria është shumë e bukur. Ju lutem kthehuni. Pavarësisht se nuk kemi shumë ndihmë nga shteti, po me forcat vetjake të vijnë të ngrenë një bujtinë, të hapin një kamping... Për mua ia vlen shumë të investosh këtu. Unë këtu e shoh të ardhmen time”, shprehet i riu Habil Hamati.
Një thirrje që po dëgjohet edhe nga ata që po mbyllin ciklin e jetës në qytetet e mëdha dhe duan t'u lënë trashëgimi pasardhësve ajrin e pastër të Korabit.
“Tani kam vendosur të ndërtoj një shtëpi druri sa për vete. U bëj mesazh të gjithë banorëve të Radomirës: të vijnë të investojnë këtu, natyrë e mrekullueshme, oksigjen. Rruga e ndërtuar na ka lehtësuar shumë. Vendin e rregullojnë njerëzit. Pa njerëz nuk ka zhvillim”, thotë banori i rikthyer në Radomirë Ramazan Daku.
Rastësisht në rrugë takojmë edhe një të ri që na përshëndet anglisht sapo na sheh:
“Hello! A do të bëjmë një foto me kalë?”, thotë ai duke buzëqeshur.
Idajeti është vetëm 17 vjeç. Që i vogël ndihmon babain me bagëtitë në mal. Ai ende nuk e di se çfarë do të sjellë e ardhmja e tij, por sot për sot, ai është imazhi më autentik i një tradite që refuzon të dorëzohet.
Mes maleve madhështore, ujërave të kristalta dhe mikpritjes së njerëzve, Radomira mbetet një thesar i rrallë. Një vend ku natyra, historia dhe jeta malore bashkëjetojnë në harmoni, duke dëshmuar se pavarësisht ku ikim, rrënjët tona mbeten gjithmonë këtu... mbi Korab.









Komente
Komento