Gushti që sapo u mbyll konfirmoi edhe një herë peshën e jashtëzakonshme që ka marrë transporti ajror në ekonominë tonë. Mbi të gjitha, në industrinë e turizmit, që është bërë sektori numër një e vendit, duke ia kaluar ndërtimit dhe bujqësisë.

Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas trajtoi një milionë e 717 mijë pasagjerë vetëm gjatë një muaji. Dita më e ngarkuar ishte 17 gushti, kur u regjistruan mbi 60 mijë pasagjerë dhe 326 fluturime brenda vetëm asaj dite.

Pas këtyre shifrave, fshihet një pjesë e rëndësishme e historisë së transformimit ekonomik të Shqipërisë në këto pesë vitet e fundit. Rinasi nuk është më thjesht porta ajrore e Shqipërisë. Ai është bërë një nga arteriet kryesore të ekonomisë shqiptare.

Çfarë do të thotë mbi 1.7 milionë pasagjerë vetëm në një muaj?

Nëse marrim si pikë reference një volum prej mbi 1.7 milionë pasagjerësh në gusht, kemi një mesatare prej rreth 55 mijë pasagjerësh në ditë. Kjo do të thotë mijëra turistë që hyjnë në Shqipëri, mijëra shqiptarë që udhëtojnë jashtë, qindra shqiptarë të Diasporës që rikthehen, mijëra vizitorë tranzitë, qindra udhëtime biznesi dhe mijëra udhëtime familjare në vetëm një ditë. Pra, aeroporti është bërë një nyje e madhe lëvizjeje njerëzore dhe ekonomike.

Pjesa më e rëndësishme e kësaj historie lidhet me turizmin. Shqipëria gjatë viteve të fundit është shndërruar nga një destinacion relativisht periferik në një treg të rëndësishëm turistik në Mesdhe.

Rritja e vizitorëve të huaj ka sjellë: më shumë fluturime → më shumë turistë → më shumë netë qëndrimi → më shumë konsum → më shumë të ardhura për bizneset dhe familjet qytetare që ofrojnë dhoma dhe apartamente me AirBnB. Ky është zinxhiri ekonomik.

Prandaj Rinasin nuk duhet ta shohim vetëm si aeroport. Rinasi është pjesë e infrastrukturës së industrisë shqiptare të turizmit. Dhe çdo turist që zbret në Rinas aktivizon një zinxhir të tërë ekonomik

Një pasagjer që mbërrin në Rinas nuk është vetëm një pasagjer. Ai është një konsumator që fut valutë në ekonominë shqiptare. Kjo është arsyeja pse rritja e fluksit ajror ka rëndësi, përtej sektorit të aviacionit.

Efekti në punësim është shumë më i madh, nga sa duket. Një aeroport me miliona pasagjerë kërkon staf aeroportual, ekuipazhe, agjentë shërbimi, siguri, pastrim, mirëmbajtje, transport, logjistikë, hoteleri, restorante, guida turistike dhe shërbime teknike.

Rritja e Rinasit është edhe histori e shtimit të aksesueshmërisë së Shqipërisë

Një nga pengesat tradicionale të turizmit shqiptar ka qenë aksesueshmëria, mënyrat për të ardhur në Shqipëri. Sa më shumë destinacione direkte të ketë një aeroport, aq më e lehtë bëhet zgjedhja e Shqipërisë si destinacion.

Turisti gjerman, italian, britanik, polak, francez apo nga tregje të tjera nuk duhet të mendojë vetëm: “A është Shqipëria interesante?”. Duhet të ketë edhe përgjigjen: “Sa lehtë mund të shkoj atje?” dhe “Sa më kushton të shkoj atje?”

Në këtë aspekt, rritja e numrit të fluturimeve dhe ulja me herë e çmimit të biletave në katër-pesë vitet e fundit, ka ndryshuar ndjeshëm pozicionin e Shqipërisë në hartën turistike evropiane.

Shifra prej 326 fluturimesh në një ditë është e rëndësishme jo vetëm për aeroportin. Ajo tregon se Shqipëria është e lidhur shumë më fort me tregjet ndërkombëtare. Çdo fluturim është një lidhje me një qytet, një treg, një kompani, një grup konsumatorësh dhe një komunitet shqiptar jashtë vendit.

Aeroporti është kështu një pjesë e integrimit ekonomik ndërkombëtar të Shqipërisë.

Diaspora është pjesë e rëndësishme e këtij fluksi

Jo të gjithë pasagjerët janë turistë të huaj. Një pjesë e rëndësishme janë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Kjo ka rëndësi ekonomike sepse Diaspora sjell konsum, remitanca, shpenzime familjare, investime, kontakte biznesi dhe lidhje profesionale.

Një shqiptar që kthehet për pushime nuk është thjesht udhëtar. Ai shpenzon për shtëpinë, restorantin, makinën, hotelin, udhëtimet dhe shërbimet.

Turizmi duhet të prodhojë më shumë se konsum sezonal

Kjo është sfida e madhe e Shqipërisë. Nuk mjafton të kemi mbi 1.7 milionë pasagjerë në gusht. Duhet të kemi sa më shumë vizitorë edhe në prill, maj, qershor, shtator, tetor dhe nëntor. Objektivi duhet të jetë 12 muaj turizëm, jo 3 muaj turizëm. Nëse sezoni zgjatet, përfitimi ekonomik bëhet shumë më i madh.

Nga ana tjetër, rritja e turizmit duhet të përkthehet në prodhim vendas. Kjo është ndoshta sfida më e rëndësishme ekonomike. Nëse turistët konsumojnë shumë, por Shqipëria importon pjesën më të madhe të mallrave që konsumojnë ata, atëherë një pjesë e madhe e parave largohet përsëri jashtë vendit.

Prandaj duhet të rritet lidhja: turizëm → bujqësi → industri ushqimore → prodhim vendas → shërbime. Vetëm kështu turizmi bëhet motor i të gjithë ekonomisë, jo vetëm i hotelerisë.

Rinas nuk është thjesht aeroport, është termometër i ekonomisë së re shqiptare. Mirëpo ky sukses nuk duhet të na mjaftojë.

Një turist që zbret në Rinas është vetëm fillimi i historisë ekonomike. Historia e vërtetë fillon kur ai ose ajo fle në hotel, ha në restorant, merr taksi, viziton një muze, blen një produkt shqiptar, udhëton në një qytet tjetër, punëson një guidë dhe rikthehet vitin tjetër. Vetëm atëhere fluksi i aeroportit shndërrohet në vlerë të shtuar kombëtare.