Turizmi dimëror në Kosovë ka një traditë relativisht të vonë megjithatë sot ka ngritur disa pika identifikuese si qendra e skijmit në Brezovicë, Rugovë (Pejë), Prevallë (Prizren), Brod (Dragash) dhe Bajgorë (Mitrovicë), ku dhe janë ndërtuar disa qendra rekreative dimërore bashkë me shtigje për skijim.

Ndër vite ka pësuar rritje numri i turistëve që preferojnë pushimet e bardha, kryesisht të vizitorëve nga Shqipëria të cilët më së shumti zgjedhin Prevallën.

Rreth 20 kilometra larg Prizrenit, në zemër të Maleve të Sharrit, pika turistike e Prevallës është mbuluar nga një shtresë e dendur bore, duke u shndërruar në një kartolinë dimërore që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga Shqipëria.

Nga Kukësi e deri në Sarandë, familje të tëra e kanë zgjedhur për të kaluar fundjavat mes natyrës së bardhë, qetësisë malore dhe argëtimit.

Borë, ajër i pastër dhe panorama të pafundme shqipërojnë përvojën e vizitorëve, të cilët e cilësojnë zonën si një nga destinacionet më të bukura dimërore të rajonit, sidomos për ata që kërkojnë pushime të qeta dhe me kosto të përballueshme.

“Vijmë shpesh në Prevallë sepse është shumë e bukur kur mbulohet me borë. Është shumë e përshtatshme për familjet, për fëmijët, dhe çmimet janë më të ulëta se në zonat e tjera turistike në Shqipëri,” shprehen vizitorë nga Tirana e Kukësi.

Prevalla ndodhet në jug të Kosovës, në lartësinë rreth 1.800 metra mbi nivelin e detit, përgjatë rrugës që lidh Prizrenin me Shtërpcën.

Pyjet e dendura dhe relievi malor e kthejnë zonën në një atraksion gjatë gjithë vitit, por në dimër ajo merr jetë të re falë sporteve dhe aktiviteteve alpine.

Sipas operadores turistike Matilda Voja, interesimi i turistëve shqiptarë për Kosovën po rritet nga viti në vit.

“Brezovica, Prevalla, Rugova, Dragashi, Ujvara e Drinit dhe Prizreni janë destinacionet më të kërkuara nga vizitorët e Shqipërisë. Arsyeja kryesore mbetet dëshira për borën, që në Shqipëri nuk është aq e shpeshtë sa në Kosovë,” – shprehet ajo.

Edhe nënkryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Burim Sallauka, e konfirmon këtë trend në rritje.

“Kosova njihet për malet e bukura, veçanërisht Malet e Sharrit. Ushqimet tradicionale, mikpritja dhe çmimet ekonomike janë arsyet kryesore që po tërheqin turistë nga Shqipëria. Aktualisht, Kosova mbetet destinacioni me çmimet më të lira në rajon,” thekson ai.

Prevalla është fshat turisik, i cili më së shumti frekuentohet gjatë stinës së dimrit.

Për pushuesit, Prevalla ofron qendër skijimi, e cila është e përshtatshme për të zhvilluar sportet dimërore. Ky fshat është vendi ideal për skijatorë profesionistë. Por mbi të gjitha, për ata fillestarë. Pozita e përshtatshme që Prevalla ka, u jep skijatorëve fillestarë mundësinë të përvetësojnë aftësi perfekte në skijim.

Për vizitorët që duan të eksplorojnë Prevallën duke ecur, përveç shtegut të skijimit, ekziston edhe shtegu i ecjes në borë. Gjatë ecjes do të shohin lumenjtë Lumbardhi dhe Lepenci, të cilët rrjedhin në territorin e Prevallës. Lumenj këta që e bëjnë edhe më të bukur eksperiencën në këtë fshat turistik.

Pas përfundimit të eksplorimit është koha të kthehen në pjesën e rrafshët të fshatit ku gjenden edhe restorante të ndryshme, të cilat shërbejnë ushqime të përgatitura nga përbërësit natyral që kultivohen në fshat.

“Ka edhe një tjetër element shumë të rëndësishëm: mikpritja, shërbimi dhe korrektësia e stafit i bëjnë turistët të ndihen si në shtëpinë e tyre.” tregon nënkryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës.

Pjesë e rëndësishme e përjetimit në Prevallë mbetet edhe gastronomia tradicionale. Sofrat e mëngjesit ofrojnë omletë, llokuma, ajvar dhe marmelata shtëpie, që sipas kuzhinierëve janë ndër vaktet më të pëlqyera nga vizitorët shqiptarë. Në orët e drekës, në tryeza dominojnë mishrat bio të qengjit dhe kecit të pjekur, të preferuar për shijen autentike malore.

“Mishi bio i qengjit dhe i kecit i pjekur është ndër ushqimet më të kërkuara nga vizitorët shqiptarë.” tregon nje kuzhinier.

Fluksi i madh i makinave nga Shqipëria është i dukshëm përgjatë fundjavave, megjithatë banorët e zonës shprehin shqetësimin për mungesën e gomave dimërore apo zinxhirëve në shumë automjete, duke e konsideruar këtë si rrezik serioz për sigurinë rrugore.

Prevalla vazhdon të mbetet një nga vendet e pëlqyera për turizmin dimëror në Kosovë, duke u shndërruar çdo vit e më shumë në një pikë takimi për familjet shqiptare që kërkojnë bukurinë e borës, qetësinë dhe mikpritjen malore.