Speciale/ Komedia, zhanri më i preferuar nga publiku! Rekordet e shikueshmërisë në teatrin shqiptar i ruan ‘Pallati 176’

Komedia është mbase zhanri më i preferuar për t’u parë nga publiku dhe rekordet e shikueshmërisë në teatrin shqiptar, ende sot i ruan një komedi: Pallati 176.

Para viteve ’90-të, komedia, ashtu si dhe dramaturgjia në përgjithësi kanë shërbyer si mjet propagande në duart e pushtetit, por, fatmirësisht, propaganda e kishte të vështirë të ndërhynte te komedia e huaj apo ajo klasike, gjë që bëri që në vend të kishte një lloj lirie dhe sot, suksese të trashëguara në këtë drejtim.

Mjafton të përmendim shfaqje si “Nata e dymbëdhjetë” e realizuar nga regjisori Piro Mani, por edhe komedi të tjera që kanë pasur sukses në skenën e Teatrit Popullor të asaj kohe dhe në skenat e teatrove të qyteteve të tjera, si: “Këshilli i ndrikullave” nga Sheri Mita vënë në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës (në interpretimin e Tinka Kurtit dhe Tano Banushit), shfaqje si “Kartela e verdhë” apo “Lojtari i 10-të” të Haxhi Ramës në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe shumë të tjera.

Në ato vite, harta e komedisë shqiptare fuqizohej së shumti nga estradat e rretheve.

Veç të tjerash, në rrethe ka pasur edhe një Festival Kombëtar të Estradave.

Nga kjo traditë e krijuar në teatrot shqiptare, më pas u krijua edhe tradita e varietesë televizive, që vinte për spektatorin në televizionin publik dhe më pas u bë një element i pashmangshëm i jetës kulturore dhe familjare të shqiptarëve. Kjo variete televizive vinte çdo të shtunë në ekran, ndërkohë që nata e Vitit të Ri ishte momenti kulmor i estradave të rretheve, që shfaqeshin me performancat e tyre.

Por, komedia ishte prezente edhe në kinemanë shqiptare. 

Vitet ’90-të do të shënonin një ndarje thelbësore përsa i përket zhanrit të komedisë në vend.

Pas viteve ’90-të gjithë kjo strukturë dalëngadalë u zhbë: estradat u shkrinë, Kinostudioja “Shqipëria e Re” nuk arriti të ruante hapin e kohës dhe po ashtu u shkri, por nga ana tjetër, dalja e televizioneve të reja private solli disa fenomene të reja televizive, siç ishin kabaretet televizive.

Në këtë kohë zunë fill edhe kompanitë e para teatrore, si PubliMedia apo Oaz,  të cilat në një periudhë tranzicioni, duke dashur edhe të thithin më tepër publik, lëvruan komedinë.

Në atë kohë, 90 përqind e të ardhurave të biletave në teatër iu kalonin aktorëve, gjë që solli prezencë më të shprehur të komedisë në repertorin e teatrove, por që pati edhe pasoja negative, pasi etja për të tërhequr më shumë spektatorë, shpesh ishte në dëm të parametrave profesionalë dhe përmbajtësorë të veprave që viheshin në skenë.

Megjithatë, komedia asnjëherë nuk e ka humbur terrenin e saj dhe vëmendjen e publikut.

Gjithë ky investim në televizionet private krijoi një plejadë të re artistësh, që janë vazhdues të traditës më të mirë të humorit shqiptar.

Por shpesh, komedia akuzohet edhe që shkon në vende, ku etika nuk është fort e pastër.

Humori i ashtuquajtur ‘banal’ pas viteve ’90-të, shpesh u gjykua edhe më ashpër, duke qenë se Shqipëria dilte pas një periudhe izolimi dhe ishte një shoqëri tepër moraliste.

Nga ana tjetër, nuk mund të rrimë pa vërejtur se humori pas ‘90-ës ka shërbyer shumë edhe si element satire për fenomene të ndryshme, që më parë as guxohej të prekeshin, duke e ndihmuar shoqërinë që të shohë disa fenomene, qoftë dhe historike, që të dalin nga konteksti i mitizimit.

Ndërsa për regjisorin Kiço London, shpesh, spektaklet televizive hedhin në erë teatrin dhe komedinë e vërtetë.

Altin Basha, regjisor i shumë shfaqjeve teatrore, por edhe regjisor i formateve televizive, si “Portokalli”, “Fustanellë”, “Koshere” etj., vëren se në bazë të përvojës së tij, publiku kupton në mënyrë instinktive pse e bën humorin, si dhe mesazhin e tij. Por, skenari duhet të zbatojë patjetër disa parametra të panegociueshëm

Romir Zalla flet paralelisht edhe për komedinë që bëhet në Teatrin Kombëtar. Sipas tij ndodh një keqkuptim  që kur vihet në teatër një komedi e keqe, gjëja e parë që u vjen njerëzve në majë të gjuhës është bërë si Portokalli.

Në ditët e sotme sipas tij vihet re një qasje drejt komedive bulevardeske apo limonadë, gjërave që ecin shpejt e nuk të bëjnë të mendosh shumë, por vetëm të argëtohesh. Sipas tij, kjo komedi komerciale ka pjesën e vet, por nuk ka pse ta dominojë skenën teatrore dhe komeditë klasike nuk duhet të mungojnë.

Vitet e fundit, në hapësirën shqiptare është bërë mjaft popullor zhanri i stand- up komedisë, një zhanër i vështirë sipas Zallës, pasi është individual dhe duhet të përballesh i vetëm me një presion goxha të madh.

Deri diku i keqkuptuar edhe ky zhanër, që sot po lëvrohet shumë nga të rinjtë, sipas Zallës duhet pasur parasysh që jo çdo gjë është stand-up.

Ata që bëjnë stand-up komedi duhet të kenë parasysh se ka një diferencë mjafgt të madhe midis të bërit për të qeshur dhe të bëhesh qesharak.

Stand-up i flet drejtpërdrejt publikut dhe suksesi i tij varet nga interesi që ka publiku përballë teje dhe kërkon përshtatje të temës.

Ndërkohë, Zalla vëren se është mjaft interesante të vemë në dukje se publiku që ndjek më shumë teatrin dhe komedinë është ai femëror.

Për Zallën, një problematikë në ditët e sotme është ajo e sallave, në mënyrë që aktorët të krijojnë një marrëdhënie të përhershme me publikun. Sipas tij, diçka e tillë nuk po arrihet dhe aktorët janë në lëvizje.

Ndërkohë që sfidat edhe për komedianët dhe artin e komedisë janë të shumta një gjë që mund ta themi me siguri është se komedia nuk do të jetë kurrë jashtë kohe dhe se e qeshura është ilaçi më i mirë për të gjithë e kudo.

Në kohë veçanërisht të vështira, e padyshim edhe në ditët e sotme, komedia në të gjithë format e saj na jep shpresë. Humori dhe e qeshura na bashkojnë dhe e bëjnë jetën padyshim më të bukur dhe sfidat më të lehta për t’u kapërcyer.

G.K/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 02/01/2025 03:53

    Pas 90'behej humor per humor,na mbyti vulgariteti dhe banaliteti.Nuk kishte komedi/skec pa fjale te pista e vulgare edhe kur nuk thuheshin direkt,nenkuptoheshin e kesaj fatkeqesie kulturore nuk i shpetuan as disa nga komedite me te famshme,shkruar nga disa nga autoret/komedianet me te njohur te vendit.Dhe disa /citime/prej tyre jane bere pjese sot per fat te keq pjese e fjalorit te perditshem e kunjave.

    Përgjigju
  • Moderni: 01/01/2025 21:03

    Komedia e stilit Portokalli esht vulgare, nuk ben shum per te qeshur sepse e sforcuar dhe siperfaqsore. Duhen writers te mire.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Policia kërkon ndihmë për gjetjen e familjarëve të Vladimirit

Policia kërkon ndihmë për gjetjen e familjarëve të Vladimirit