Përgjatë vitit 2025, mbi 28 mijë shqiptarët e larguar u zëvendësuan nga mbi 27 mijë të huajt që u pajisën me leje qëndrimi të vlefshme, dyfish më shumë krahasuar me vitin 2020. 65% e tyre erdhën për punë duke e shndërruar Shqipërinë nga një vend simbol të emigracionit masiv në destinacion imigracioni.
Për punë në shtëpi, kujdestare për fëmijët, për shërbim në hotele, bare e restorante dhe deri për punësim në fabrika të përpunimit dhe prodhimit, në Shqipëri janë gati 12 mijë të huaj të punësuar që vijnë nga kontinente të ndryshme.
“Numrin më të madh të aplikimeve e kemi në tre qytete siç janë Tirana, Vlora dhe Durrësi” tregon Gertiola Cepani, drejtoreshë në drejtorinë e shërbimeve të tregut të punës në AKPA.
TIRANË
Në këndet e lojrave në Tiranë është bërë e zakonshme të shohësh gra filipineze që kujdesen për të vegjlit shqiptarë. Prej muajit Janar, Analin Galenzoga punon si kujdestare e një vajze të vogël dhe merret me punët e shtëpisë në familjen e që e ka punësuar.
“Kam ardhur pasi ma rekomandoi një mikja ime që gjithashtu punon në Tiranë. I thashë po, pasi më pëlqen të eksploroj vende të reja” thotë punonjësja nga Filipinet.
Analin është një ndër 4 mijë të huajt që janë trajtuar me leje unike në të gjithë vendin gjatë muajve Janar-Shkurt 2026.
Sipas drejtoreshës së shërbimeve të tregut të punës në AKPA, ky fillim viti ka shtuar interesin e të huajve që zgjedhin Shqipërinë për të punuar.
“Bazuar në të dhënat që ne disponojmë, sidomos me periudhën e parë të vitit 2026, kërkesa e fuqisë punëtore ka ardhur në rritje me gati 50 përqind” tregon znj. Cepani.
Shërbimi elektronik “Aplikim për leje unike” u mundëson shtetasve të huaj që kërkojnë të qëndrojnë dhe të punojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, të bëjnë një kërkesë për t’u pajisur me leje unike në Republikën e Shqipërisë. Analin tregon se të gjithë dokumentacionin e nevojshëm ia siguroi agjencia e punësimit.
“Punën e gjeta nëpërmjet agjencisë. Ata më thanë që dikush dëshiron të më intervistojë. Bëmë një intervistë online dhe agjencia përmbylli procedurat. Më pas më thanë të vija këtu. Në Filipinet, paga është shumë e ulët. Prandaj zgjedhim të vijmë këtu”
Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Shtetit, për vitin 2025 kanë aplikuar për t’u pajisur me leje qëndrimi gjithsej 19321 shtetas, 16 651 prej tyre u është miratuar.
“Shtetet kryesore nga vijnë të huajt janë Itali, Indi, Filipine, Kosovë, Turqi, Egjipt dhe Greqi” tregon drejtoresha e shërbimeve të tregut të punës në AKPA.
39 vjeçarja, nënë e dy fëmijëve që i ka lënë në vendin e lindjes, tregon se është nga Filipinet por ka ardhur këtu nga Hong Kongu ku gjithashtu ka punuar si kujdestare fëmijësh.
“Erdha nga Hong Kongu këtu pasi nuk doja të kthesha në Filipine. Është më e vështirë të vish nga Filipinet. Nevojiten më shumë procedura e dokumente. Unë jam e ligjshme këtu pas të gjithë dokumentacionit që më ka përgatitur agjencia e punësimit. Këtu rroga është e njëjtë si në Hong Kong. Marr 600 euro por gjithçka tjetër e kam të paguar ” shpjegon Analin Galenzoga.
Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2025 në Tiranë u punësuan 7609 të huaj nga afro 12 560 punëmarrës të huaj në të gjithë vendin.
“Ndërsa sektorët më prioritarë që kanë patur më shumë nevojë për fuqi punëtore janë: sektori i shërbimeve, akomodimi dhe shërbimi ushqimor, ndërtimi, industria përpunuese dhe tregtia kryesisht. Për vitin 2025 rezultonin 15 mijë të huaj që janë të regjistruar në sistemin tatimor” sqaron znj.Gertiola Cepani.
Numrin më të madh të kërkesave të të huajve që vijnë në Shqipëri e zënë punëmarrësit, 12 559 shtetas të huaj, por edhe të vetpunësuarit që i shohim të vendosen në qytetet e mëdha të vendit.
Rreth 400 shtetas italianë, kryesisht pensionistë por edhe të vetëpunësuar, jetojnë aktualisht në Vlorë.
“Unë jam agjent imobiliar. E kam bërë këtë punë në Itali, e ushtroj edhe në Vlorë. Kam sjellë këtu edhe nënën që është në pension” tregon një shtetas Italian për Report TV.
Shumë prej tyre jetojnë prej disa vitesh në qytetin bregdetar. Edhe pse pranojnë se qiratë e banesave janë rritur, ata theksojnë se këtu paguajnë më pak taksa dhe kostoja e jetesës mbetet më e ulët krahasuar me Italinë.
“Fatkeqësisht qiratë po rriten vitet e fundit. Megjithatë janë më të përshtatshme se në Itali” shprehet një banor nga qyteti i Vareses.
“Përderisa ndodhem këtu prej katër vitesh. Do të thotë që ndjehem si në shtëpi” shprehet një tjetër nga Toskana, Itali.
Një tjetër arsye që përmendin shpesh është ndjenja e sigurisë:
“Në Itali ndjen frikë gjatë ditës, jo më natën.”
“Në Itali është bërë pak e vështirë në të gjitha kuptimet, për të jetuar e mbi të gjithë për sigurinë.”
“Një gjë më pak pozitive këtu është asistenca shëndetësore. Në Shqipëri është më keq se në Itali. Pjesa tjetër është më mirë se në Itali”.
Sipas të dhënave nga zyra e emigracionit, numri i shtetasve italianë në Vlorë ka ardhur në rritje vitet e fundit. Krahas pensionistëve, ka edhe të vetëpunësuar, që zhvillojnë aktivitete të vogla biznesi.
Ndërkohë, rritje është vënë re edhe te numri i punonjësve të huaj nga vende të ndryshme të botës. Sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit në Vlorë, numri i tyre është trefishuar në dy muajt e parë të vitit 2026 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Profesionet që kërkohen më shumë janë ato në sektorin e shërbimeve, janë edhe ato në sektorin e ndërtimeve. Në sektorin e shërbimeve me të gjithë paketën e plotë të profesioneve, duke nisur nga ato elementare si ndihmës në kuzhinë, kuzhinier, shërbime në bare e ristorante apo recepcionistë.” shpjegon drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Punësimit në Vlorë, Saniela Xhaferi e cila konfirmon se këtë vit është vënë re edhe një tendencë tjetër krahasuar me një vit më parë. Përveç rritjes së aplikimeve nga shtetas të huaj, edhe bizneset po aplikojnë më herët për plotësimin e vendeve vakante, në mënyrë që të jenë të përgatitura për nisjen e sezonit turistik.
“Kjo edhe falë gjithë proceseve që tashmë janë më të lehtësuara Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive. Ka një reduktim të afateve të miratimit të lejes unike gjithashtu edhe të plotësimit të vendit të lirë të punës me shtetas shqiptarë” tregon znj.Saniela Xhaferi.
Xhaferi thekson se këtë vit rritja e aplikimeve nuk vjen vetëm nga vendet tradicionale si Filipinet apo vende të tjera të Azisë, por edhe nga shtetas të Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar:
“Kjo është një tendencë e re që vihet re në këtë periudhë. Kryesisht të huajt nga këto vende janë të vetëpunësuar. Dhe kjo është një mundësi e mirë se gjeneron vende të reja pune” sipas znj.Xhaferi.
Ajo shton se në zonat bregdetare si Vlora, Himara dhe Saranda, ku janë të përqendruara edhe njësitë më të shumta të shërbimeve, numri i të huajve të punësuar është më i lartë:
“Dy muajt e parë të 2026 janë 830 aplikime ndërkohë që në vitin 2025 ka patur rreth 300-330 aplikime në të njëjtën periudhë.”
Në qarkun e Fierit janë punësuar 981 shtetas të huaj, të cilët pasi kanë përmbushur kriteret ligjore janë pajisur me leje pune. Shtetet kryesore të origjinës janë India me 201 persona, Filipinet me 74 persona, Egjipti me 65 persona dhe Kina me 30 persona, ndërsa pjesa tjetër vjen nga vende të ndryshme të botës.
Për të parë nga afër se ku janë punësuar të huajt, vizituam disa biznese në qytetin e Fierit.
Në një gomisteri punojnë dy indianë, Remi Grope dhe Depak Najer, përkatësisht 32 dhe 34 vjeç. Ata janë pjesë e stafit prej 8 muaj dhe merren me shitjen dhe montimin e gomave. Edhe pse nuk e flasin ende mirë gjuhën shqipe, ata thonë se janë përshtatur me punën dhe me ambientin.
“Vij nga India.Më pëlqen të punoj këtu. Njerëzit janë miqësorë dhe pronari na trajton mirë. Çdo ditë po mësojmë pak nga gjuha shqipe.”
Pas kësaj vizite u ndalëm në një restorant, ku punojnë dy filipinas. Jayselle Wendica, 35 vjeçe, banakiere dhe kamariere dhe Jayson Co, 37 vjeç, menaxher. Të dy janë përshtatur shpejt me ambientin e punës dhe me klientët.
“Kam katër muaj në Shqipëri dhe jam shumë e lumtur. Kolegët e mi janë shumë të sjellshëm dhe ne ndihmojmë njëri-tjetrin.” tregon Jayselle Wendica
“Kam dy muaj që jam këtu dhe ndihem shumë i mirëpritur. Punojmë së bashku me kolegët shqiptarë dhe jemi si një ekip.” shpjegon Jayson Co.
Punësimi i shtetasve të huaj po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm për bizneset shqiptare, të cilat përballen me mungesë të fuqisë punëtore per shkak të emigrimit te shqiptarëve. Sektorët me kërkesën më të lartë për fuqi punëtore janë industria përpunuese, bujqësia, tregtia dhe njësite e shërbimit.
Durrësi është një ndër tregjet më të kërkuar për punësim nga të huajt. Mungesa e fuqisë punëtore vendase ka bërë që struktura të ndryshme hoteliere dhe biznese të tjera në qytetin bregdetar të marrin punonjës të huaj.
Në sektorët e punësimit vendin e parë e zë industria përpunuese, duke pasuar me ndërtimin, akomodimin dhe shërbimin ushqimor, përpunimin e drurit dhe nënprodukteve të tij, tregëti me shumicë e pakicë, riparim i automjeteve dhe motocikletave, aktivitete të tjera shërbimi, bujqësia, pyjet, peshkimi.
Deri më tani në qytetin e Durresit numërohen rreth 3400 punonjës të huaj të cilët kanë ardhur me kontrata pune sezonale.
Dy muajt e parë të vitit 2026 janë miratuar 353 leje të reja punësimi e u janë rinovuar 151 të punësuarëve aktualë. Kërkesat më të shumta në Janar-Shkurt kanë ardhur nga Egjipti, Filipinet, India e Turqia.
Rreth 800 shtetas egjiptianë, 700 indianë dhe 600 filipinezë kanë ardhur në qytetin e Durrësit muajt e fundit ndërkohë që përgjatë sezonit veror 2026 pritet që të ketë edhe prurje të tjera punonjësish që do të punojnë kryesisht në strukturat hoteliere.
SHKODËR
Shkodra po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nga qytetet kryesore në Shqipëri ku shtetas nga vende të treta zgjedhin të jetojnë dhe të punojnë. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë miratuar 835 leje pune, kryesisht për shtetas nga India, Bangladeshi dhe vende të tjera aziatike, duke reflektuar rritjen e kërkesës për fuqi punëtore në sektorë të ndryshëm të ekonomisë lokale.
Një prej tyre është Mohammad Meraj, 31 vjeç, nga shteti Bihar i Indisë, i cili mbërriti në Shkodër në qershor të vitit 2025. Ai tregon se kontakti i parë me Shqipërinë erdhi përmes një zyre punësimi në Mumbai, ku aplikoi për një kompani italiane që operon në fushën e tekstileve.
“Kam ardhur në Shqipëri në qershor 2025. Mendoj se Shqipëria është shumë e mirë dhe jam shumë i kënaqur me kompaninë ku punoj. Shkodra është bërë si shtëpia ime, njerëzit janë shumë të mirë”, shprehet Meraj.
Ai tregon se kontrata e parë e punës është për dy vite, ndërsa shpreson të qëndrojë edhe më gjatë, pasi është përshtatur me jetën në qytet dhe me kushtet e punës. Aktualisht familja e tij jeton në Indi, por ai thotë se do t’i inkurajonte edhe miqtë e tij të zgjedhin Shqipërinë si një mundësi të mirë punësimi.
“Jam i lumtur me punën dhe me gjithçka tjetër. Gjithçka është në rregull. Këtu ka edhe banorë të tjerë nga India, vetëm në Shkodër jemi rreth 20 persona dhe është një mundësi e mirë për të punuar dhe jetuar”, thotë ai.
Rritja e numrit të të huajve që zgjedhin Shkodrën lidhet kryesisht me nevojat e tregut për punonjës në industri të ndryshme, duke e kthyer qytetin në një pikë të rëndësishme për integrimin e fuqisë punëtore ndërkombëtare në Shqipëri.
Ky trend pritet të vijojë edhe në vitet në vazhdim, ndërsa Shkodra po konsolidohet si një qytet mikpritës dhe me mundësi për punëtorë nga vende të ndryshme të botës.
Në qarkun e Lezhës të huajt e punësuar i ndesh pothuajse në çdo sektor. Dy herë më shumë aplikime për punësim janë regjistruar zyrtarisht në Janar - Shkurt të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kërkesat e karta kanë ardhur si rezultat i uljes së fuqisë punëtore shqiptare.
‘Punëtorë të huaj kemi nisur të rekrutojmë rreth vitit 2024, pasi tregu i Lezhës nuk na e ofronte mundësinë e fuqisë punëtore. Morëm punëtorë nga Filipinet dhe na doli shumë mirë” tregon menaxheri i një fabrike në Lezhë Nedi Metani.
Dajan De Gracia dhe shumë shtetasë të tjerë nga Filipinet kanë lenë vendin e tyre për një jetë më të mirë thonë ata. Të ardhurat që fitojnë në Shqipëri janë garanci për të ardhmen e familjeve të tyre.
“Unë jam Diana De Gracia nga Filipinet. Ndodhem këtu prej një viti e gjysmë. Disa miq këtu në Shqipëri që na thanë se është shumë mirë.
Ne erdhëm këtu për më shumë eksperiencë me jetën shqiptare. Në Filipine jam paguar 50-100euro në muaj.Ndërsa këtu marr 500euro në muaj.”tregon një prej punonjësve të ardhur nga Filipinet.
Ndërsa Alan Uau, një tjetër shtetas filipinez që punon prej dy vitesh në Lezhë thotë se kanë zgjedhur vende të ndryshme të Evropës.
“Kemi bërë kërkime para se të vinim në Shqipëri. Na sugjeruan të vijmë këtu sepse është punë e mirë edhe drejtuesit janë pozitivë.”
Të dhënat zyrtare të Agjencisë së punësimit në këtë qark tregojnë se për vitin 2026 janë miratuar gjithsej 150 aplikime për punësim të shtetasve të huaj, nga të cilat 25 kanë qenë rinovime për Leje Unike. Ndërsa për të njëjtën peiudhë të një viti më parë janë miratuar 68 aplikime. Në total gjatë vitit që lamë pas janë miratuar gjithsej 872 aplikime për shtetas të huaj për arsye punësimi. Duke iu referuar të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, pritshmëritë për këtë sezon janë të larta, bazuar në numrin e aplikimeve të deritanishme dhe kërkesat në rritje për fuqi punëtore nga subjektet që operojnë në rajonin e Lezhës.
“Aktualisht kemi mbi 30 punëtorë të huaj dhe kemi akoma nevojë. Prandaj po tërheqim përsëri punëtorë të tjerë. Dhe shoh që kjo tendencë është në shumë biznese këtu në Lezhë” shprehet Nedi Metani, menaxher operacional në Lezhë.
Nga zanatet e vjetra e deri tek profesionet e reja, kryesisht në teknologji, aktualisht janë 6740 vende të lira pune, për punëtor krahu, magazinier, ekonomist, bojaxhi, mjekë, punonjës në hotele e deri tek profesionistët të teknologjisë së informacionit.
Raporti i Tranzicionit 2025–2026 i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) tregoi se Shqipëria ka humbur rreth 40 për qind të popullsisë së vitit 1990 për periudhën 1990-2023, vetëm përmes emigracionit neto, niveli i dytë më i lartë në Europë dhe në të gjithë grupin e ekonomive të BERZH.
Si rrjedhojë, tregu i punës u bë joshës për punëtorët e huaj.
Përgjatë vitit 2025, mbi 28 mijë shqiptarët e larguar u zëvendësuan nga mbi 27 mijë të huajt që u pajisën me leje qëndrimi të vlefshme, dyfish më shumë krahasuar me vitin 2020. 65% e tyre erdhën për punë duke e shndrruar Shqipërinë nga një vend simbol të emigracionit masiv në destinacion imigracioni.
PËRGATITËN:
JOANA PREJA
ARMAND XHELILI
ELVIS HILA
KRISTAQ THANO
ERGYS KAVAJA
ALDO MUSTAFA
Komente













Per vend turistik sikur Shqipëria shtetas nga Amerika latine do ishin ideal ! Cuba Brazil Argjentin Porto Riko etc
PërgjigjuAte qe nuk ja bene pushtuesit Shqiperise, po ja ben rilindja. Rama eshte tradhtar i kombit.
PërgjigjuDhe kjo sipas jush eshte arritje? Morem fund! Ate qe nuk ja ka nere asnje armik Shqiperise po ja bejne shqiptaret.
PërgjigjuBravo po zevendesoni shqiptaret jà arritet me ne fund.
PërgjigjuO ahaa ca rroge 600 € thua , qe nese merr kete rroge, ta siguroj qe punon 24 ore ne dite, qe keto pronare nuk e kane haberin e kodit te punes, dhe nuk te rrespektojne aspak. Kam pas punuar elektricist para 1 viti ne nje kompani te madhe ne shqiperi, rroga 500€, leje vjetore as nuk i njihnin, punoja 6 dite ne jave, mezi e diela pushim. Raporti mjekesor nuk paguhej , pa asnje vegel e pa asnje mbrotje. E theksoj nje kompani e madhe ne shqiperi. Ku punohet per 500€ mo shoku si kafshe... Tani po punoj ne gjermani, rroga 2000€ netto, shtun djel e festa pushim, leje vjetore 30 dit pa shtun e diel, raporti mjekesor 100% . Puntori ka te drejta e respektohet... E sa e sa ndryshime si nata me diten
O ahaha. Ca muhabeti kot pa' lidhje,shqiptaret judo qe Jan neper bot edhe halet i lajn Ca Ka Ktu per pordh.po ti a e mban mend si i trajtonin shqiptaret kta biznesmenet e medhej apo Jo me rroga qesharake ne te zez pa' siguracion kta te miret e dynjas qe sot Jan pa' puntor.
gjermania me 83 milion banore,mbi 50 milion emigrante nga gjithandej por shumica nga lindja e mesme…nuk prishet shqiperia per 4-5000 emigrante. Shko punonti me 600€ rroge qe te los vijne keto…perndryshe me aq pordh sa kemi ne shqiptaret ne vendin tone,e sigurte qe do vijne te punojne emigrante kur ne i kthejme kurrizin punes. Me emigrim gjith shqipet e mbyllin halen dhe punojne ashtu si te jete,vetem ketu bejme pordh ne…le ti meshohen punes pa gazera trupore,nuk te vjen e keqja nga puna!