Historia e trishtë e legjendës së mikrofonit të Radio-Tiranës: Kur Haki Beleri, po drejtohej nga studioja e transmetimi të lajmeve, u ndalua nga polici rojës duke ....

Historia e trishtë e legjendës së mikrofonit të Radio-Tiranës: Kur Haki Beleri, po drejtohej nga studioja e transmetimi të lajmeve, u ndalua nga polici rojës duke ....

Më 28 nëntor të vitit 1938, me rastin e festës së Pavarësisë, në një ceremoni ku merrnin pjesë autoritete të rëndësishme të vendit, me një fjalim të mbajtur në mikrofonin e Radio Tiranes, Mbreti Zog i Parë, përuroi ngritjen e këtij institucioni, që ndër vite u bë kaq i dashur dhe popullor edhe për shqiptarët jashtë atdheut. Me këtë  rast, po botojmë dossierin ’85 vjet të  Radio  Tiranes’, përgatitur nga gazetari dhe shkrimtari Skifter Këlliçi, i cili ka punuar për 40 vjet në Radio Tirana, (1959-1999), së pari redaktor dhe pastaj komentator sportiv dhe gjithashtu është edhe autor i librit ‘Historia e Radio-Televizionit Shqiptar’, (1938-1990), botuar në vitin 2003.

Folësit dhe spikerët e Radio-Televizionit Shqiptar

Haki Beleri (1919-2003)

Kemi përmendur më sipër se në një konkurs për folës të organizuar në Radio-Tirana në verën e vitit 1947, fitoi edhe Haki Beleri. Mbas mbarimit të studimeve në ‘Normalen’ e Elbasanit, Hakiu ndoqi studime për disa vjet në Itali, për letërsi, të cilat për shkak të Luftës së Dytë Botërore, nuk arriti t’i përfundonte. I dhënë pas violinës, që do ta shpinte më pas edhe në orkestrën simfonike të TOB-it, ai, si pa dashur, mori pjesë në konkursin në fjalë dhe po ashtu si pa dashur, u pëlqye, e kështu u përcaktua fati i tij, që të jetë vazhduesi i traditës së leximit të lajmit dhe komentit në mikrofon.

Haki Beleri u bë padyshim një zë i veçantë në leximin e lajmeve dhe sidomos të fjalimeve të udhëheqësve tanë dhe të botës komuniste. Për të interesohej drejtpërdrejt vetë udhëheqja, ndonëse dihej, që kishte një vëlla të pushkatuar si nacionalist gjatë Luftës. Dhe ja, një ditë e papritura. Ishte mbrëmja e 6 majit të vitit 1976, kur Haki Beleri, po drejtohej nga studioja e transmetimi të lajmeve, u ndalua nga polici rojës të futej brenda. I habitur kërkoi shpjegime, por atë e mori të nesërmen. Me urdhër nga nga ajo udhëheqje, ai nuk do të lexonte më në mikrofon, për shkak të vëllait të pushkatuar!

Po ringjallej e tmerrshmja luftë e klasave, që i shkonte shumë për shtat edhe drejtorit të përgjithshëm, Thanas Nano. Kështu, kur nuk ishte veçse 55 vjeç, Haki Beleri ky zë i veçantë i mikrofonit, u detyrua të largohej nga Radio-Tirana. E larguan edhe nga TOB-i, ku kishte qenë jo vetëm violinë parë, por edhe përkthyes i operave të tilla, si; “Zonja me kamelie”, “Madamë Baterflai”, “Toska”, “Rigoleto”, “Peshkatarët e perlave”, etj. Dhe të vjen keq kur mendon, se nga zëri i tij ka mbetur vetëm një fragment nga filmi “Ballë për ballë”, sepse të gjitha regjistrimet e teksteve të lexuara nga ai, u zhdukën që atëherë  nga Arkivi i Radios, si “zë…armiku”! Para vdekjes së tij në vitin 2003, nga RTSh-ja, u realizua për fat të mirë një emision e plotë, që shpalos veprimtarinë e tij si folësi rrallë të Radio Tiranës.

Vera Zheji

Në shkurt të vitit 1948, në mikrofonin e Radio-Tiranës, nisi të dëgjohej zëri i një vajze. Shquhej veçanërisht, në leximin e emisioneve letrare. Kjo ishte nxënësja e Shkollës Pedagogjike të Tiranës, 15-vjeçarja, Vera Zheji, që u bë shumë shpejt një zë popullor. Zërin e saj mund ta dëgjoje që në orën 5.00 të mëngjesit, duke lexuar emisione të llojeve të ndryshme. Duke qenë se ishte shoqe e motrës sime, kërkova të njihesha me të, që të provohesha si folës.

Dhe ashtu ndodhi. Më 12 janar të vitit 1958 u takova dhe u habita, kur pashë përballë meje një vajzë te re, të gjallë e të përzemërt. Që në provat para më nxiti, më mësoi dhe ashtu si me Kaliopi Plasarin, erdhi dhe dita që të lexoj drejtpërdrejt ne mikrofon lajme, ku duhej kujdes që të mos gabosh, se nuk ke rast që ta ndreqësh veten, si në emisionet e regjistruara. Ajo që më ka bërë gjithnjë përshtypje, është se Vera Zheji, ishte folëse që nuk gabonte kurrë gjatë leximit.

E them me siguri se nga kjo pikëpamje, ishte dukuri e rrallë, duke e krahasuar edhe me folës të tjerë, që kam mundur të dëgjoj në italisht dhe rusisht. Më kujtohet se kur dëgjoja Radio-Moskën, cilësi të tilla, kishte Levitani i famshëm. Kush nuk kujton leximin e përrallave të orës 19.00 në vitet ‘70-të nga Vera? Më thoshte një shok, sot rreth të 40-tave që kur ishte i vogël, linte lojën në rrugë, për t’iu afruar Radios dhe për të dëgjuar përrallat, e lexuara nga teta Vera.

Ajo lexoi edhe lajme në italisht, gjuhë që e zotëronte shumë mirë, sepse ishte e prirur për gjuhë të huaja, ashtu si vëllezërit e saj të shquar në fushën e letërsisë, Petroja dhe Gjergji. Ajo mund të kishte qenë pa drojë edhe aktore e talentuar. E tregoi këtë në disa pjesë teatrore, (kujtoni komedinë “Shi në plazh”), e ndonjë film artistik. E, megjithatë, askush nuk u kujtua që asaj t’i akordohej të paktën titulli; “Artiste e Merituar”.

Feride Spahiu, (Konomi)

Ishte viti 1957 kur unë, amator i rregullt i emisioneve të Radio- Tiranës, dëgjova për herë të parë një zë të ri dhe të freskët. Dhe u habita, kur mësova se ishte zëri i Feride Spahiut, ish-nxënëse e gjimnazit “Qemal Stafa”, një një klasë më poshtë, se klasa ku studioja edhe unë. U bëmë më pas shokë të ngushtë, në gusht të vitit 1958.

Siç kam përmendur edhe më sipër, atëherë nisa të lexoja lajmet. Ishte një provë e vështirë, sepse, siç dihet, do të lexoja drejtpërdrejt në mikrofon. Dhe për herë të parë lexova me Feriden. Më dha zemër e, ndonëse lexova me ndrojtje, të patën nuk gabova, as nuk ngeca.

Me Feriden në mikrofon, kemi kaluar edhe çaste dramatike: Në shkurt të vitit 1961, zhvillohej Kongresi i 4-t i PPSh-së. Meqë Haki Beleri, si violinist i TOB-it, merrte pjesë në një shfaqje organizuar për delegatët e kongresit, e zëvendësova në lajmet e orës 20.00. E të mendosh se diskutimet e shumë delegatëve, na u dhanë nga redaktorët e lajmeve, drejtpërdrejt në mikrofon, pasi ishin bërë ndreqje e shkurtime.

Kemi lexuar së bashku me Feriden, deri në orën 21.45 e, pas një pushimi prej 15 minutash, kur u transmetua muzikë, rinisëm maratonën me leximin e emisionit të fundit të lajmeve, të orës 22.00, me diskutimet e tjera të delegatëve, përsëri plot korrigjime, ku çuditërisht, nga mobilizimi nuk bëmë, qofte edhe ngecjen më të vogël. Pas leximit te lajmeve, nëndrejtori, Ymer Minxhozi, na përgëzoi përzemërsisht.

Kiço Fotiadhi, (1939-2014)

Një zë që u ngjit me dinjitet në nivelin e leximit të Haki Belerit, madje në disa drejtime çoi edhe më tutje përvojën e tij. U shfaq në mikrofon në vitin 1960, kur ishte në radhët e Ushtrisë. I diplomuar në Institutin e Lartë Dramatik, Fotiadhi pati një gamë të madhe që nisi, jo vetëm më leximin e lajmeve e bisedave politike e shoqërore, por edhe me paraqitjen e spektakleve, si një festival të këngës në RTSh e, mbi të gjitha, edhe si telereportazhist.

Në këtë rol ai drejtoi me sukses një sërë emisionesh televizive, me karakter historiko-kulturor, për zhvillimin e qyteteve e krahinave të vendit tonë. Edhe ai nuk qe pëlqyer nga Thanas Nano. Një “cen” biografik sipas një njoftimi nga vendlindja, u bë shkak që të degdisje për disa vjet në një fshat të Tiranës. U rikthye në RTSh, ku vazhdoi me sukses veprimtarinë si folës në emisione radiotelevizive.

Në Radio më pas, u shquan edhe folës të tjerë, ndër të cilëve, në radhë të parë, Meropi Xhai, (Matlia), e cila shpesh herë i shëmbëllente Vera Zhejit, Elsa Xhai, Viron Noti, pa dyshim një folës i një niveli shumë të lartë, Liliana Meçani, Lorenc Zadrima, Skëndër Rama, vite më pas Tefta Radi, Arben Kamberi, të cilët më pas, u aktivizuan edhe në emisione të rëndësishme televizive, etj.

Ndër ta duhet të përmendim edhe Prof. Thanas Shkurtin. Nuk lexoi në emisionet e lajmeve në gjuhën shqipe, por në italisht, frëngjisht dhe anglisht, për botën e jashtme, sikur të ishte italian, francez, ose anglez. Besoj një rast i rrallë edhe në botë.  Nuk më harrohet kurrë, që në disa letra të ardhura nga dëgjues të huaj, në adresë të Radio Tiranës, më 1956-’60-të, kur punoja në redaksinë e jashtme të saj, shprehej habia, se si një shqiptar, lexonte në anglisht, sikur të ishte folës i BBC-së?!

Ata, dhe të tjerë që erdhëm më pas, përbëjnë një galeri të këndshme të folësve të Radio-Tiranës, që do të përmenden gjithnjë më respekt nga dëgjuesit e hershëm të emisioneve radiofonike.

Radiokronikat e para…!

Vërtet folësit, kur hapnin emisionet ose kur lexonin lajmet, thoshin: “Ju flet Tirana”, por në të vërtetë, Radio-Tirana nuk fliste, por vetëm lexonte. Lexoheshin lajmet, rubrikat kulturore, artistike, ekonomike, politike, lexoheshin bisedat, lexohej gjithçka. Mirëpo, ndërkohë, të paktën nga Radio RAI, që dëgjohej thuajse në tërë territorin e vendit, shihej se kishte radio-kronika, radio-reportazhe, biseda me pyetje e përgjigje, transmetime ngjarjesh të rëndësishme. Dhe në qendër të tyre, ishte gazetari e, jo folësi.

Radio-Tirana ishte shumë larg këtij synimi. Për shumë arsye. E para, dhe më kryesorja, se gazetarët ende nuk kishin përvojën dhe aftësinë për të folur në mikrofon, duke përjashtuar ndonjë gazetar, si Muho Rehova, ose Pirro Naçe, që ishin ende shumë të rinj. E dyta, ishte shumë vështirë që bashkëpunëtorët të flisnin drejtpërdrejt në mikrofon. E treta, edhe po të ishin të aftë, ishte censura që nuk lejonte një hap të tillë, që ishte shumë i rrezikshëm dhe i pakontrolluar. Mund të ndodhnin gabime, sidomos  politike.

Por edhe pas vitit 1950, kur Radio-Tirana u pajis me magnetofona dhe kur u krijuan, pra, mundësi të paktën për të zhvilluar biseda me bashkëpunëtorë, kjo nuk u arrit, sepse vazhdonte të mungonte përvoja e vetë gazetarëve. Sidoqoftë, bisedat e para e më pas radioreportazhet, hapën një faqe te re në historinë e Radio-Tiranës aty nga mesi i viteve ’50-të, me autor Pirro Naçen, që përmenda më sipër, dhe pas tij; Koço Afezollin, Kadri Zotrinë, Maqo Afezollin, Adli Dacin….! Megjithatë, radiokronika dhe radioreportazhi, ende nuk dukeshin në horizont.

Disa nga radiokronistët e parë dhe…

Radiokronika të mirëfillta e të drejtpërdrejta, do të nisnin më vonë. (Përjashtohen manifestimet, me rastin e festave të shoqëruara me parakalime, në të cilat aktivizoheshin kryesisht folësit dhe më vonë gazetarët, të cilat janë bërë, siç kemi parë që më 1944, gjatë parakalimit të forcave partizane në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Por ata vetëm sa lexonin një tekst, ku përshkruheshin, se si do të zhvillohej manifestimi, pa shtuar asnjë fjalë tjetër nga vetja e tyre.

Më 1959, veç Pirro Naçes, u shquan për emisione të gjalla në mikrofon, edhe Maqo Afezolli dhe Kadri Zotria, ky i fundit veçanërisht në radioreportazhet në Vlorë, me rastin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, në nëntor të vitit 1962. Përmendim edhe radiokronikën nga aeroporti i Rinasit, me rastin e ardhjes së Nikita Hrushovit, Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimin Sovjetik, realizuar nga Frederik Gjerasi, ish-folës në Radio Moska, (26 maj 1959).

Radiokronikat e para në emisionet e lajmeve, nisën që në janar të vitit 1961, në prag të Kongresit të 4-t të PPSh-së. U aktivizuan gazetarët e informacionit, Polivaq Lino dhe Bajram Vuka, Kadri Zotria dhe autori i këtyre radhëve.

Megjithatë, ai la jo vetëm përvojën e tij jo të pakët, por edhe një talent të mikrofonit. Ky ishte Alfons Gurashi, (1942-2012) që nisi të aktivizohej si folës në “Rubrikën e rinisë”, të përgatitur nga vetë Piro Naçe, dhe më pas në emisione të tjera.

Ndonëse unë punoja në redaksinë e kulturës që më 1959, nisa të bashkëpunoja me “Rubrikën sportive”, ku edhe përgatita radiokronikat e para nga mjediset sportive, sidomos nga Pallati i Sportit “Partizani”. Madje, jo me dëshirë, edhe unë isha i detyruar të ndihmoja redaksinë e informacionit, me radiokronika nga qendra pune e prodhimi.

Ishte dhjetori i vitit 1965, kur Alfons Guashi dhe Agron Çobani, u bënë radiokronistë profesionistë, duke çuar më përpara punën e kryer deri atëherë nga Polivaq Lino, Bajram Vuka e Kadri Zotria. Radiokronika, falë këtyre dy gazetarëve të talentuar të mikrofonit, u bë pjesë përbërëse e “Revistës Radiofonike”.

Më pas galeria e radiokronistëvë, u pasurua me zëra të rinj, si; Dhimitër Dishnica, Zamira Koleci, Amali Dhamo dhe, Timo Luto.

Radiokronistët e parë sportivë

“Ishte hera e parë që do të transmetohej në Radio, nji ndeshje futbolli në vendin tonë. Zani i kumbueshëm dhe i açiktë i transmetuesit, (kishe me thanë me siguri se ka qenë zoti Anton Mazreku), nuk la asnjë rast me kalue, por të gjitha udhëtimet e topit, i transmetoi për bukuri për dëgjuesit tanë….”!

Kështu shkruante gazeta “Sporti Shqiptar” e datës 10 shtator 1938, rreth ndeshjes miqësore ndërkombëtare të futbollit, midis “Sport Klub “Tiranës” dhe “Iraklisit” të Kavallës, (Greqi), zhvilluar më 1 shtator, në fushën “Shallvare” të Tiranës.

Dhe artikullshkruesi nuk gabonte. Ishte pikërisht Anton Mazreku, drejtori i kësaj gazete dhe pa dyshim gazetari dhe specialisti me i mirë i futbollit në atë kohë në Shqipëri, ish-futbollist i “Skëndërbeut” të Korçës, që ndërmori komentimin e kësaj ndeshjeje, në valët e Radio-Tiranës.

Dhe kjo ndodhi gati tre muaj para inaugurimit të Radio Tiranës më 28 nëntor 1938, në periudhën tri ditore, kur u bënë provat e fundit të transmetimeve, të cilat dolën me sukses. Për fat të keq, kjo ishte hera e parë dhe fundit, që Radio Tirana transmetoi një ndeshje futbolli, deri më 1945.

Pikërisht më 20 dhjetor të atij viti, ishte përsëri Anton Mazreku dhe edhe një herë nga fusha e “Shallvares”, komentoi një tjetër ndeshje, këtë radhë midis “Tiranës” dhe “Vllaznisë”, e cila shënonte fillimin e pandërprerë të kampionateve tona të futbollit. Nga goja e Anton Mazrekut, dëgjuesit ndoqën edhe ndeshjet e turneut të futbollit të Lojërave Ballkanikë, të vitit 1946, ku Shqipëria doli kampione, si dhe fitoret e bukura, por edhe humbjet e përfaqësueses sonë, në ndeshje ndërkombëtare.

Që nga viti 1945, siç e pamë, Anton Mazreku komentoi i vetëm në mikrofonin sportiv. Por më 1957, pasi i kishte qëndruar atij për një kohë të gjatë pranë, Ismet Bellova, mësues i kulturës fizike, që më pas do të bëhej gazetar i shquar i “Sportit Popullor”, u bë jo vetëm nxënësi tij, por edhe kolegu më i afërt në mikrofon. Në tetor të vitit 1959, edhe unë që kisha ëndërruar të bëhesha komentator, si Anton Mazreku, pasi dy muaj më parë kisha nisur të punoja si gazetar në Radio, u vura në krahë të Antonit dhe Ismetit.

Krijuam kështu një “trio vokale”, ku rolin e “tenorit” kryesor e luante, doemos, mjeshtri Mazreku. Më 1970, një vit pasi Anton Mazreku ishte ndarë përfundimisht nga ende kur nuk ishte ve$se 61 vjeç, një tjetër zë dëgjua në mikrofonin sportiv. Ishte Aleko Gjergo, e pas tij më 1972, Veli Rada. Të dy, padyshim, të talentuar.

Më 3 tetor të vitit 1983, në historinë e Radio-Tiranës u shënua  një faqe e rëndësishme. Nisi emisioni “Nga një ndeshje, në tjetrën”, ku komentoheshin në të njëjtën kohë të gjitha ndeshjet e kampionatit të kategorisë së parë, me drejtues gazetarin e palodhur, Ahmet Shqari.

Nga kabinat e stadiumeve të Tiranës komentonte veterani, Ismet Bellova me specialistin Mikel Janku, dhe nga stadiumet e qyteteve të tjera, Aleko Gjergo, Veli Rada, Frederik Fico, një tjetër veçori zanore e mikrofonit sportiv, Fatmir Mëneri, Ymer Kurti, Ymer Striniqi, Sefedin Allkja, Agron Kaja, etj. Sikur Anton Mazreku të ishte gjallë, do të thoshte: “Ju lumtë, djelmosha, atë punë që nisa unë i vetëm, e vazhdoni ju të tërë. Dhe sa bukur…”!/Memoire.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë