Speciale/ Thesaret e pa treguara të Durrësit! Nga mozaikët 3 000 vjeçarë të mbuluar me rërë tek reliket me motive erotike nëpër magazina

Durrësi, qyteti më i rëndësishëm ilir ka trashëguar vlera të së kaluarës, si Amfiteatri, Rrethoja Bizantine, Torra Veneciane, muri rrethues i Kalasë, por ka pësuar edhe deformime jo vetëm nga tërmeti por dhe nga dora e njeriut. Gjithashtu në Durrës fshihen thesare arkeologjike që mbahen larg syve të vizitorëve, duke mos u bërë pjesë të sajteve turistike historike. Shpresojmë që një ditë, Instituti i Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore të vihet në lëvizje dhe antikat e fshehura të fillojnë të flasin.

MURET E LASHTA TË KALASË

Do të shohim në fillim këto mure mesjetare të rrethuara me kulla të rrumbullakëta katërkëndëshe dhe tetëkëndëshe dhe në mes tyre portat. Ato shtrihen nga porti detar deri lart në kodër.

Muri rrethues i qytetit të Durrësit, konkretisht  Kulla C, ka qenë e dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të 2019-s. Është kulla më e dëmtuar pasi ra një pjesë e konsiderueshme e kësaj kulle. Ka filluar konsolidimi, siç e keni vënë re edhe ju. Menjëherë pas tërmetit filloi konsolidimi i pjesës së ngelur të kullës që të mos dëmtohej më shumë ose të mos binin pjesë të mbetura të saj, ndërkohë është duke u bërë projekti dhe ka mbaruar projekti dhe në shumë analiza dhe në shumë ndërhyrje dhe gërmime që janë bërë është nxjerrë konkluzioni se si do të vazhdojmë më tej me restaurimin dhe me ringritjen, me rivendosjen e pjesës së restauruar gjatë tërmetit të 2019-s. Kjo për sa i përket Kullës C, e cila u dëmtua dhe më shumë nga tërmeti i 2019-s.

Një fragment i mureve të kalasë u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, por mësojmë se janë lëvruar fondet dhe shumë shpejt do të nisë restaurimi , jo vetëm te muri i dëmtuar i kalasë por edhe tek Torra Veneciane  dhe Hamami turk.

"Ky është një fond i dhënë nga Fondi Ambasador për Trashëgiminë, i cili u dha nëpërmjet ambasadës suedeze, e cila e dha menjëherë sapo ndodhi tërmeti i 2019-s. Ndërsa për sa u përket pjesëve të tjera të cilat u dëmtuan në qytetin tonë, të cilat nuk qenë të pakta pjesët e trashëgimisë nga tërmeti i 2019-s, është fond i Bashkimit Evropian, i cili nëpërmjet programit të tij dhe investimeve që ka vendosur t’i bëjë në trashëgiminë kulturore nëpërmjet projektit “UN for Culture”, do të bëhet ndërhyrja në Torren Veneciane, në Hamamin e Durrësit, në Muzeun Etnografik, në Muzeun Arkeologjik. Do të kemi disa projekte të cilat do të financohen nga BE-ja, të cilat janë fonde të destinuara dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës duke bërë projektet përkatëse, do të bëhen edhe ndërhyrjet e duhura, të cilat do të rijetëzojnë, do të rikthejnë këto objekte edhe një herë, do të kthejnë gjallërinë, do t’i kthejnë në funksionin e tyre, të cilët shumë shpejt do t’i shihni", thotë Alban Ramohito, drejtor i Qendrës Muzeale Durrës.

Ramohito na tregon se në shtatorin e këtij viti fillon puna për Torren Veneziane dhe Hamamin, të cilat s'do jenë më të rrethuara nga kafenetë.

"Në shtator fillon puna për Torrën Veneciane dhe Hamamin e Durrësit. Torra Veneciane do të kthehet në një qendër informacioni. Nuk dua t’ju them më shumë sepse do të jetë një surprizë shumë e bukur, do të jetë një investim shumë i rëndësishëm, i cili do t’i rikthehet qytetit të Durrësit dhe do të jetë një nga pikat më të vizituara të qytetit të Durrësit. Në asnjë mënyrë nuk do të jetë lokal. Do të jetë një qendër atraktive e cila do të jetë gati në sezonin e ardhshëm turistik, d.m.th. më 2022 ajo do të jetë një pikë e vizitueshme ku do të merren të gjitha informacionet e duhura dhe do të jetë një qendër informacioni për turizmin dhe shumë e rëndësishme për trashëgiminë e qytetit tonë", u shpreh ai.

BAZILIKA E ARAPAJT

Rrugëtimi ynë vazhdon në një sajt shumë të rëndësishëm i cili ndodhet në kodrat e Arapajt në lindje të Durrësit. Bazilika e Shën Mëhillit, është kishë e fillimit të shek VI... ngjitur me nefin jugor ndodhet një varr monumental mbuluar me një shtresë mozaiku me subjekt nga krishtërimi dhe motive të zgjedhura... Një vepër arti unikale e periudhës bizantine.

Siç shihet edhe te pamjet, këtu nuk ka asnjë vizitor, pasi mozaiku qëndron prej vitesh i konservuar, pra nuk është ekspozuar dhe nuk i shërben turizmit historik. Janë të pakët ata që kanë dijeni për ekzistencën e kësaj trashëgimie të vyer.

Për të mësuar më shumë rreth këtij mozaiku dhe shumë të tjerëve që qëndrojnë të fshehur për sytë e vizitorëve ne kemi udhëtuar drejt Muzeut Arkeologjik të Durrësit.

MOZAIKËT DHE ANTIKAT NË MUZEUN ARKEOLOGJIK

Në muze takojmë historianin dhe arkeologun Bledar Bica, i cili na rrëfen se janë një sërë mozaikësh të konservuar, ku veçojmë Kalin e Detit ose "Hipokamp", "Mozaiku Zvastika" ose "Kryqi i Thyer" që simbolizon lëvizjen e Diellit, prej tij thuhet se u frymëzuan nazistët gjermanë...Gjithashtu mozaiku Floreal ose rozetë dhe Mozaiku Orfeu.

"Këtu mund të njihemi me mozaikët e qytetit të Durrësit, të cilët janë një thesar i këtij qyteti. Mund ta fillojmë me mozaikun, një nga më të rëndësishmit në Shqipëri dhe më i vjetri, mozaiku “Bukuroshja e Durrësit”. I përket shek. IV e.s., është mozaik polikrom, shumëngjyrësh, është zbuluar për herë të parë në vitin 1916 nga arkeologu austriak Kamilo Prashniker dhe më vonë është rihapur nga arkeologu durrsak Vangjel Toçi, në vitin 1947. Paraqitet figura e një vajze të bukur. Mendohet të jetë Aura, një nga shoqërueset e Artemidës. Është zbuluar pranë qendrës së qytetit, rreth 150 metra pranë qendrës së qytetit dhe është shumë e rëndësishme jo vetëm për qytetin, jo vetëm për shtetin e Shqipërisë por për të gjithë rajonin. Në ditët e sotme ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Është e vizitueshme në Pavijonin e Antikitetit.

Vazhdojmë me një mozaik shumë të rëndësishëm, i cili është pjesë e Bazilikës së Shën Mëhillit në Arapaj, rreth 6 km pranë qytetit të Durrësit. Ky mozaik është shumë i rëndësishëm, një nga më të rëndësishmit, është 54 m2, paraqiten dy skena: në njërën skenë është eukaristia dhe në skenën tjetër paraqitet një skenë bukolike ose baritore. Është një nga më të bukurit, më të arrirët për mënyrën e punimit dhe cilësinë e gurëve shumëngjyrësh, që janë me ngjyra të ndryshme. Skenë baritore, paraqiten drerë, kuaj, një vajzë e një djalë, e cila ka më shumë karakter fetar, pra ky mozaik i kësaj bazilike. Për herë të parë kanë filluar gërmimet e kësaj bazilike në vitin 1974 dhe i përket shek. VI e.s. Ky është në Arapaj, shumë pranë Durrësit, është ruajtur. Janë gjetur pranë kësaj objekte të ndryshme, kolona, poshtë është edhe një varr. Është paraqitur në të njëjtin pozicion me figurat e mozaikut, edhe nën mozaik varri me dy skelete, një mashkull dhe një femër. Ky është mbuluar me rërë për arsye të konservimit.

Ky është mozaiku i Orfeut, është gjetur në një banesë, shumë i arrirë, mozaik polikrom, shumëngjyrësh edhe ky. Ndodhet në Lagjen nr. 9, rruga “Ibrahim Bozhiqi”. Paraqitet figura e Orfeut dhe një zog përballë nën veshin e rrushit, kemi edhe cjapin. Paraqitet një skenë me figura me gurë në ngjyrë të kuqe, të gjelbër, të verdhë. Për këto arsye është shumë i arrirë. Ky daton në shek. II-III e.s. ose pas Krishtit.

Mozaikët zakonisht ishin ose në banesa vila të kësaj periudhe ose në terma ose në godina religjioze. Kemi mozaikun me hipokamp ose me kalë deti. Si ky mozaik kemi edhe një replikë të bërë në ambientet e muzeut, një pjesë e këtij mozaiku se ky ishte 50 m2, dhe paraqtet figura e hipokampit, kalit të detit, është skenë mitologjike detare, hipokampi dhe Erosi. Ky ndodhet në Lagjen nr. 5. Për herë të parë është gërmuar nga arkeologu Vangjel Toçi, në vitin 1947 dhe më vonë është rihapur për efekt dokumentimi nga Moikom Zeqo, në vitin 1980. Edhe ky është shumë i rëndësishëm si mozaik, është mitologjia detare, i përket shek. I-II e.s.

Poshtë kemi mozaikun Zvastika, edhe ky është mjaft i veçantë, është në lagjen nr. 11, rruga “Aleksandër Goga”, është bardhë e zi pak a shumë. Zvastika është zimboli i diellit që rrotullohet.

Vangjel Toçi njihet edhe si babai i arkeologjisë së qytetit të Durrësit. Ka kontribuar në krijimin e bibliotekës, në zbulimin e amfiteatrit, në krijimin e Muzeut Arkeologjik. Në këtë rast kemi zbulimin e mozaikut me polikrom shumëngjyrësh, i cili ndodhet pranë Pallatit të Sportit. Paraqitet figura floreale dhe ky mozaik njihet për shumëllojshmërinë e ngjyrave, mozaik polikrom shumëngjyrësh. Ka të shkruar edhe Martinia ose Martini emrin dhe ndodhet pranë Pallatit të Sportit, është i shek. III e.s.

Kemi mozaikun me rozetë, me 12 petale. Ky ndodhet në Lagjen nr. 6, pranë mozaikut me hipokamp. I përket shek. II e.s., mendohet të jetë i shek. II, pak a shumë i njëjtë me mozaikun me hipokamp, se ishin shumë pranë. Ndodhet në atë adresë, në lagjen nr. 6. Ka skena të diellit dhe valët e detit. Ky është mozaiku i amfiteatrit, i cili është i vetmi në Shqipëri i llojit vertikal, paretial. Është unikal në Shqipëri dhe ndodhet në kapelën e amfiteatrit, e cila është ndërtuar në shek. VI e.s., kurse si mozaik datohet në shek. VI-X, ka interpretime të ndryshme për këtë mozaik. Është zbuluar në vitin 1967. Më 1966 është zbuluar amfiteatri, duke vazhduar në vitin 1967 me mozaikun, ku paraqiten figurat: Shën Stefani, dy engjëjt Gabrieli dhe Mikeli dhe dy donatorët poshtë, kurse në mes mendohet të jetë figura e Marias.

Këta janë mozaikë të dokumentuar të gjithë, të konservuar. Për momentin disa prej tyre nuk janë të vizitueshëm, por janë të konservuar, të mbuluar me rërë për t’u ruajtur. Disa i kemi të vizituar, siç është ai i “Bukuroshes së Durrësit” në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës, mozaiku i Amfiteatrit, mozaiku i Bazilikës së Arapajt, por është si sit dhe shumë pranë këtu kemi një pjesë të madhe të objekteve, të cilat ruhen në fonde", rrëfen Bica.

Ndërkohë në oborrin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit si dhe në një magazinë pranë tij ndodhet një park arkeologjik me antika të periudhave të hershme.

E ndërsa antikat në park janë të vizitueshme brenda në magazinë është një thesar i vërtetë i pa treguar që qëndron i fshehur për sytë e vizitorëve. Janë 25 mijë objekte që qëndrojnë të kyçura, ku ne nuk mundem të depërtojmë për mungesë të një lejeje nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Siç tregojnë ekspertët, në magazinë gjenden relike shumë interesante, si një komplet vazosh me motive erotike, stoli grash ku bie në sy një byzylyk me kokë gjarpri si dhe penisë artificialë të periudhës së antikitetit....

Lidhur me këto pasuri të pa treguara, historiani Bica thotë se objektet e magazinuara përdoren vetëm për qëllime studimore.

"Në pjesën e pasme të muzeut janë fondet ose magazinat, ku ruhen mbi 25 000 objekte të tjera, të zbuluara sepse të gjitha këto janë zbuluar në Durrës, në qytetin e Durrësit e përreth. Kjo tregon se ka pasur një rëndësi të madhe qyteti i Dyrrahut, Epidamn Dyrrahut, në të gjitha periudhat. E kemi konstatuar në të gjitha objektet që janë zbuluar dhe ruhen jo vetëm në ekspozitën e përhershme të muzeut, por edhe në fonde. Një pjesë e tyre presin që të ekspozohen duke hapur pavijone të tjera. Objektet e fondit i përkasin, është një proces studimi, është Instituti i Arkeologjisë. Këto objekte kalojnë një proces studimi dhe dokumentimi në periudha të ndryshme dhe për këtë arsye mund të merret, është ana ligjore pastaj, që mund të merresh duke marrë një leje. Arsyeja përse nuk janë të ekspozuara është edhe sepse nuk mund të ekspozohet çdo objekt, për arsyen se janë shumë tepër objekte dhe kjo ekspozitë e përhershme që kemi është me shumë vlerë. Është e pëlqyer nga të gjithë vizitorët, jo vetëm vizitorët, por edhe nga studiuesit që vijnë. Ato objekte janë në proces studimi dhe dokumentimi, bashkëpunimi ndërmjet institucionesh duke ndjekur bazën ligjore gjithmonë",shprehet për Report Tv, Bledar Bica, historian pranë Muzeut Arkeologjik.

RRËNOJAT ANTIKE TE ISH-LULISHTJA "1 MAJI"

Jemi zhvendosur te ish-lulishtja "1Maji", aty ku një dekadë më parë zbulimi i rrënojave të "Lagjes Romake" shkaktoi zhurmë të madhe mediatike. Punimet e pallatit u ndërprenë disa herë, por në fund Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dha leje për vazhdimin e ndërtimit me kushtin që objekti arkeologjik të mos mbulohej.

Administratori i pallatit Ramadan Gugashi thotë se përshtati një kat ku ndodhen rrënojat për ti ruajtur ato e për ti bërë të vizitueshme. Ai i është përmbajtur vendimit por edhe pse kanë kaluar disa vite ky sit është ende i pavizitueshëm. Nuk ka ardhur Instituti i Monumenteve ta marrë në inventar thotë Gugashi ndërsa mungon dhe një ciceron që ta shpjegojë këtë trashëgimi që qëndron e kyçur nën pallat.

"Ky sit arkeologjik këtu daton, sipas edhe arkeologëve që erdhën dhe punuan, zotit Frashëri që ka qenë edhe autori i zbulimit, daton njëherësh me zbulimet arkeologjike që janë bërë edhe në Koloseun e Romës, pra 3 000 e ca vite përpara. Është bërë një punë kolosale nga ana jonë si firmë, nga profesori i nderuar Gjergj Frashëri, nga Ministria e Kulturës që na ka mbështetur gjithë kohën. Përfundimi, ne arritëm edhe sipas bashkëpunimit që kemi bërë edhe me ministrin e Kulturës të asaj kohe, zotin Xhaferri, me Institutin e Ndërtimit sepse projekti ka qenë për dy kate parkim e garazhe poshtë, u ndërrua edhe projekti dhe jemi këtu ku jemi tani. U distancuan kolonat, u distancuan trarët, pra është bërë një punë kolosale edhe me Institutin e Ndërtimit të Tiranës, sipas atyre modifikuam edhe projektin. Përfundimi, edhe Ministria e Kulturës vendosi që ky sit të ruhet nën rrënojat e pallatit. Një pjesë e gjetjeve këtu që janë paketuar në telajo dhe janë futur në Muzeun Arkeologjik në Durrës. Do rikthehen prapë këtu për t’u ekspozuar apo nuk do të rikthehen dhe do të rrinë atje, nuk e di, atë e vendos ministria përkatëse pastaj. Pra këtu është konsideruar një ashensor që t’i shërbejë këtij ambienti këtu, një palë shkallë ram, janë disa ambiente për njerëzit që do të vijnë për të vizituar sit-in, pra të ketë një dyqan me suveniret përkatëse të kohës që ka pasur këtu, mund të jetë edhe një kafene e vogël për t’u shërbyer këtyre njerëzve, pra të jetë i vizitueshëm. Ne bëmë gjithë këtë punë deri tani, kemi bashkëpunuar me Ministrinë e Kulturës, me Institutin Arkeologjik, me të gjitha institucionet, pra kemi arritur deri këtu. Pse të mos e regjistrojmë edhe këtë si sit arkeologjik për vizitorët që vijnë në qytetin e Durrësit, që të vizitojnë edhe këtu, të shohin diçka shumë të bukur", shprehet për Report Tv, Ramadan Gugashi administratori i pallatit.  

PUSI PARA BASHKISË

Me qindra qytetarë kalojnë shkujdesur në sheshin para bashkisë së Durrësit, pakksuh e di se poshtë kësaj pllake xhami ndodhet një pus 200 vjeçar rreth 12 m i thellë dhe për më tepër funksional.

Pusi është ndërtuar 200 vjet të shkuara dhe për ndërtimin e tij janë marrë gurë nga muri i kalasë që gjendet fare pranë tij. Ky përfundim erdhi pasi u konstatua se gurët e pusit dhe ato të murit të kalasë kanë të njëjtën strukturë. Këtij objekti historik i mungon një tabelë orientuese për më tepër që këtu kalojnë me mijëra turistë gjatë vitit.

/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vandalet: 20/08/2021 16:57

    Vetem ne i mbajme thesaret kulturore neper bodrume te hane pluhur...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ben Andoni: PD-ja përballë protestave, por pa publikun?!

Ben Andoni: PD-ja përballë protestave, por pa publikun?!