Speciale/ Tolerancë apo harmoni fetare në Shqipëri? Paralajmërojnë udhëheqësit e komuniteteve fetare: Nëse politika do të shndërrohej në besim do të ishte rrezik për vendin

Udhëheqësit e besimeve fetare nuk vendosin shenjën e barazimit midis këtyre dy termave. Ata përzgjedhin të mos nënvizohet toleranca por haromonia dhe bashkekzistenca midis besimeve, vlerë për të cilën Shqipëria është referuar si shembull për t’u ndjekur nga vendet më të zhvilluara në botë.

"Jo tolerancë, por të jemi në harmoni të plotë, në dialog të plotë me njëri tjetrin" nënvizoi kryetari i Komitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu.

 “Dua të filloj duke thënë se mua nuk më pëlqen fjala tolerancë. Është pak negative të themi të duroj, të toleroj. Në fakt këtu mund të flasim më shumë se tolerancë,  është një harmoni nder fetare. Ne këtu mburremi për këtë fakt.” u shpreh Imzot George Frendo, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës në ikje.

At Gregor Pelushi, përfaqësues i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë u shpreh se:

"Lavdi Zotit ne jetojmë në një vend ku një nga vlerat më të mëdha është harmoia, toleranca, bashkekzistenca, bashkëjetesa fetare midis komuniteteve"

Edhe Kryegjyshi botëror i bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj ndan të njëjtin mendim:

"Ne nuk do të themi tolerancë, por do të themi bashkëjetesë dhe harmoni"

Pikëpyetja e radhës që kërkon përgjigje nga udhëheqësit e besimeve fetare është ndarja midis harmonisë fetare dhe indiferencës ndaj besimeve e trashëguar kryesisht pas periudhës komuniste.

"Është një tezë që ekziston në Shqipëri, por unë nuk i bashkohem. Shqiptarët si njerëz e si komb kanë ditur gjithmonë ta tolerojnë njëri-tjetrin" tha kryetari i Komitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu.

"Mua nuk më rezulton që nuk janë fetarë shqiptarët. Ata kanë besuar historikisht, këtë e tregon edhe fakti që mes tyre kanë dalë edhe njerëz të mëdhenj të fesë, të cilët ne disa prej tyre i quajmë edhe shenjtorë. “ u shpreh At Gregor Pelushi, përfaqësues i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

“Është një traditë shumë shekullore, jo pasojë e komunizmit që të bëhemi të gjithë krerët e besimeve bashkë” sipas Imzot George Frendo, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës në ikje.

"Shqiptarët e kanë në gen këtë paqe, dashuri e bashkëjetesë. Jemi të vetmit në botë që martohemi midis besimeve fetare" vuri në dukje Baba Edmond Brahimaj Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve.

Pavarësisht termit, shqiptarët  kanë ditur të zgjedhin gjithmonë të mesmen e artë qofshin myslimanë apo të krishterë. Shprehja e Vaso Pashës, “ Feja e shqiptarit është shqiptaria”  i ka karakterizuar jo thjesht si nacionalistë por si njerëz që udhëheqësit politikë nuk kanë mundur t’ia manipulojnë besimin për qëllimet e tyre siç ka ndodhur në shumë vende ku luftërat kanë marrë një fizionomi pseudo-fetare. Në këtë përfundim kanë arritur edhe drejtuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri.

 “Në 2008 kam pasur fatin që në Strasburg të flas për këtë. Më kanë pyetur se pse nuk është problem pluralizmi ndërfetar? Unë u përgjigja se në fakt po. Besimet janë më të lehta të manipulohen nga politikanët. Atëherë bëhet rrezik vërtetë. Ne kemi pasur fatin se politikanët nuk kanë përdorur besimet për qëllime politike.” u shpreh Imzot George Frendo, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës në ikje.

"Në përgjithësi politikanët më parë nuk ka qenë tolerante. Ata janë marrë me materien. Ndërsa ne merremi me shpirtin", thotë Baba Edmond Brahimaj Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve.

"Institucioni fetar sot në Shqipëri është ndër më të besueshmit. Njerëzit janë zhgënjyer nga institucionet e tjera dhe sytë i drejtojnë nga feja" u shpreh At Gregor Pelushi, përfaqësues i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Shqipëria është përballur me dy botë, atë të besimit në zot dhe atë të refuzimit të tij.

Në vitet e komunizmit Partia e Punës bëri çmos që të zhdukte besimin fetar në popull.

“Feja është opiumi i popullit. Ne duhet të bëjmë çmos që të gjithë ta kuptojnë këtë, madje edhe ata që janë helmuar (të cilët nuk janë të pakët në numër). Ne duhet t’i shërojmë ata. Kjo nuk është një punë e lehtë, por as e pamundur”

Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë

Lufta klasore që nisi që në vitin 1945, përfundoi në vitin 1967 me ligje kundër besime fetare dhe mbylljen e prishjen e kishave dhe xhamive. Në të njëjtin vit Enver Hoxha vendos heqjen e festave të Bajramit dhe Pashkëve.

Besimi në Zot duhej të zëvendësohej me ideologjinë marksiste-leniniste.

Predikues të të gjitha besimeve fetare patën të njëjtin fat: internim, burgosje, dhjetëra klerikë të ekzekutuar, të vrarë apo që vdiqën burgjeve, qindra kisha, xhami dhe teqe u shkatërruan.

Propaganda komuniste kundër fesë u shtri në çdo qelizë duke kulmuar me hapjen e të vetmit Muze Ateist në botë. Ai u ndërtua në qytetin që kishte kishat e xhamitë më të vjetra më të mëdha, në Shkodër.

Pavarësisht propagandës komuniste, diktatura e ateizmit nuk arriti t’i nënshtrojë besimtarët shqiptarë.

"Besimtarët gjatë kohës së komunizmit u munduan me mish e me shpirt ta ruanin në zemrat e tyre, por nuk patën mundësi për ta implementuar dhe aplikuar atë dhe kjo ishte një gjë shumë e keqe. Të rinjve të lindur pas vitit 1990 u them që privimi në Zot ishte gjëja më e keqe që ka ndodhur dhe mos e provofshin kurrë mosbesimin" nënvizoi kryetari i Komitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu.

“Jam takuar me shumë persona që më kanë treguar eksperiencat e tyre se sa shumë kanë vuajtur për të mbajtur besimet e tyre për të ruajtur besimet e tyre. Histori për të ruajtur ato traditat e pashkëve, krishtlindjes” u shpreh Imzot George Frendo, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës në ikje.

Ndërsa sipas Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve: "Të gjithë e kanë mbajtur edhe ne që kemi qenë të rinj por nuk mund ta shprehte njeri për shkak të sistemit të asaj kohe."

“Kujtojmë që në kohën e komunizmit kishte shumë varfëri, kishte shumë pak mundësira. Ana materiale u pa parësore në këto vite por sot po shoh që njerëzit po i kthehen anës shpirtërore sepse unë mendoj që aty nis gjithçka” tregon At Grigor Pelushi, përfaqësues i Kishës Ortodokse Autoqefale.

Pas  vitit 1990,  besimi triumfoi ndaj mohimit.

Besimtarë të të gjitha besimeve morën pjesë si në meshën e parë të mbajtur në varrezat e Rrmajit, më 11 nëntor 1990 edhe në ceremoninë fetare të organizuar në Xhaminë e Plumbit më 16 nëntor ku Hafiz Sabri Koçi do t’u drejtohej me fjalët:

“Të dashur vllazën myslimanë, katolikë e ortodoksë, e mbi të gjitha vllazën shqiptarë?

Vlerat e përcjella nga drejtuesit e besimeve fetare në Shqipëri duhen trashëguar sipas krerëve të sotëm të komuniteteve fetare.

"Ne jemi fatlumë që e trashëgojmë harmoninë fetare nga paraardhësit tanë ndër shekuj" tha kryetari KMSH Bujar Spahiu.

"Por edhe e liderëve të sotëm. Në bashkëpunojmë për problemet e ndryshme që kanë komunitetet tona" e përforcon mendimin kryegjyshi bektashinjve Baba Mondi.

 “Ne jemi pranë njëri tjetrit në dhimbje e gëzim” e vazhdon mendimin përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë At Pelushi.

 “Dhe për këtë duhet të mburremi” nënvizon  Imzot George Frendo, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës në ikje.

Këtë veçanti do ta zbulonte e gjithë bota pas vizitës së parë të një Pape të Romës në Shqipëri. Në 25 Prill 1993 Papa Shën Gjon Palit II shkeli në tokën shqiptare, duke puthur e bekuar truallin shqiptar.

21 vjet më pas, më 21 shtator 2014, Shenjtëria e Tij, Papa Françesku zhvilloi vizitën e tij të parë evropiane në Shqipëri. Ai e konsideroi Shqipërinë si shembullin perfekt, që tregon se bashkëjetesa ndërmjet besimeve të ndryshme nuk është thjesht një ëndërr, por një realitet dhe një shembull për t’u ndjekur.

Sipas studimeve, baza e tolerancës dhe bashkekzistencës fetare në Shqipëri janë thellësisht të rrënjosura në traditat dhe kulturën shoqërore dhe nuk vijnë nga vetëdija, njohuritë apo ushtrimi i riteve fetare.  Pavarësisht si dhe pse ka zënë vend ky realitet bashkekzistence të komuniteteve fetare, Shqipëria është modeli që kërkohet të ndiqet edhe vendet më të zhvilluara.

Mesazhet e përfaqësueseve të besimeve fetare në Shqipëri

Bujar Spahiu, kryetar i KMSH:

“Të jemi tolerante për të ruajtur unitetin e shoqërisë, familjes e kombit. Të gjitha fetë na orientojnë që të jemi në harmoni dhe dialog të plotë edhe pse kemi mendime, fe dhe besime të ndryshme”

At Pelushi, përfaqësues i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë:

“Shikojmë se bota po lëkundet. Duhet të gjithë ta shndërrojmë këtë vend model për harmoninë fetare në një model për të  gjitha shoqëritë e tjera”

Kryegjyshi botëror i bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj”

“Bashkëpunimi ynë është që të mos kemi varfëri por paqe  e dashuri.”

Imzot George Frendo, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës në ikje:

“Jemi ne udhëheqësit e besimeve që duhet të jemi zë pë rata që janë pa zë në shoqëri. Për të varfrit, për viktimat e padrejtësisë, për ata që po vuajnë.Duhet të jemi ne avokatë për çështjet e tyre. Të gjithë kemi një identitet të pa zëvendësueshëm. Identitetin njerëzor që nuk vjen nga qeveria apo politikanët, por që vjen nga zoti”.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë