Speciale/ Tragjeditë e paralajmëruara në plazhet pa vrojtues, 5 jetë të humbura gjatë korrikut! Brataj: Çudi shqiptare

1 Korrik 2023

Dita e parë e korrikut përkoi fundjavë.  Pushues vendas e të huaj nisën udhëtimit drejt detit dhe diellit. Shumë prej tyre bënë gati edhe mjetet e lundrimit.

Trafiku i rënduar në akset rrugore drejt plazheve nuk ishin lajmet e vetme të ditës.

Nga Shëngjini vjen raportimi i parë për rrezikun e mbytjes në det.

Një turist italian rrezikoi të mbytej, pasi varka me vela u përmbys nga era dhe ra në ujë. Ishte Policia Kufitare e Shëngjinit që i shkoi në ndihmë 63 vjeçarit për ta shpëtuar. Ai u nxor nga uji dhe në gjendje të mirë shëndetësore u transportua me mjetin lundrues të Policisë Kufitare dhe u shoqërua në ambientet e hotelit ku ishte akomoduar, informoi policia e shtetit ditën e parë të muajit korrik.

Ndërkohë në të gjithë vijën bregdetare vijoi kontrolli për të parandaluar lëvizjen e mjeteve të ujit jashtë zonave të përcaktuara dhe pa dokumente

Drejtuesit u ndëshkuan me masa administrative nga 10 000 lekë të rinj – 110 000 lekë të rinj.

U duk se siguria në plazhe po funksiononte dy ditë e para të muajit korrik por e nesërmja e zhbëri.

3 KORRIK

“E rëndë në plazhin e Golemit, mbytet duke u larë në det pushuesi 80-vjeçar”

Një 80-vjeçar nga Kosova u mbyt aksidentalisht mesditën e 3 korrikut, teksa ishte duke u larë në det në plazhin e Golemit.

Një ditë më pas prindërit ngrenë zërin në plazhet e Durrësit.

“Pushuesit të pasigurt! Në Durrës s’ka vrojtues plazhi! Prindërit: Jemi bërë vetë roje për sigurinë e fëmijëve”

Një vëzhgim i Report Tv në lagjen 13 të plazhit të Durrësit, konstaton se edhe këtë vit mungojnë vrojtuesit në kullat e rojës përgjatë bregdetit.

Qytetarët shprehen të shqetësuar pasi thonë se janë shndërruar vetë në roje për sigurinë e fëmijëve të tyre.

Një ditë më pas, kambana e alarmit bie në plazhin e Shëngjinit.

5  KORRIK

“Rrezikon të mbytet 7-vjeçarja në Shëngjin! Mungesë e vrojtuesve të plazhit”

Një 7-vjeçare është rrezikuar të mbytet në plazhin e Ranës së Hedhun në Shëngjin. Fatmirësisht, 7-vjeçarja është arritur që të shpëtohet nga pushuesit e tjerë të cilët e kanë nxjerrë nga deti dhe kanë sinjalizuar bluzat e bardha në lidhje me rastin.

Mungesa e vrojtuesve të plazhit po e bën të pasigurt qëndrimin e pushuesëve që zgjedhin bregdetin shqiptar.

Përgjatë vijës bregdetare të Lezhës nga Rana e Hedhur deri në Tale, janë mbi 500 stacione plazhe, por në pjesën më të madhe të tyre mungojnë kullat e vrojtimit, ndërsa dhe aty ky janë nuk ka roje plazhi. Shqetësimi është ngritur nga eksperti i turizmit Leonard Seferi, i cili ju bën thirrje autoriteteve që të marrin masa të menjëhershme për të garantuar siguri për pushuesit.

“Është një problematikë të cilën ne e kemi thënë shpesh herë por fatkeqësisht nuk ka gjetur akoma zgjidhjen e duhur. Marrim parasysh faktin se nëse sot i hidhni një sy vijës bregdetare të Shëngjinit deri në Tale kur janë mbi 500 stacione të kullave të vrojtimit, pothuajse nuk mund të shihni asnjë vrojtues që t’i shërbejë qytetarëve në kontekstin e sigurisë. Duhet një kontroll, monitorim e veprim. Duhet edhe vullnet i mirë për të zgjidhur këtë çështje. Thirrja ime është që të bëjë detyrën. Qytetarët zgjedhin vende të tjera me motivacionin se atje kanë gjithçka të sigurt”, tha eksperti i turizmit Leonard Seferi.

Situata problematike sa i përket sigurisë pranohet dhe Bashkia Lezhë, e cila ka ngritur një task-force dhe prej dy ditësh po ushtrohen kontrolle në terren, ku paralajmërohen masa ndëshkimore ndaj subjekteve që kanë marrë në administrim hapësirën e plazhit, që nuk zbatojnë kriteret e përcaktuara në kontratën për stacionet e plazhit.

“Prej 2 ditësh është ngritur task forcë për monitorimin e stacioneve të plazhit. Disa masa kryesore që janë marrë kanë qenë ndotësit për arsye se Bashkia kompetencë kryesore ka pasur ndotjen e territorit. Janë vendosur disa gjoba. Do merren masa deri në heqje license nëse ato nuk plotësojnë kriteret e stacioneve të plazhit. Ne i kemi të dokumentuar dhe do vazhdojmë përditë, kush shkel e nuk zbaton ligjin, do ketë masa. Jemi në shërbim të turistëve për të garantuar turizëm sa më cilësor”, tha drejtori i turizmit në Bashkinë Lezhë, Ronaldo Xhanaj.

6 KORRIK

Dita e 6 e korrikut vë në lëvizje policinë e shtetit duke bërë publike masat për sezonin veror.

“Sezoni turistik, policia prezanton masat: Zonat bregdetare nën monitorim! Radarë dhe makina inteligjente në akset kryesore, muzika do lejohet deri në mesnatë”

Punonjës të policisë së Shtetit janë angazhuar për mbarëvajtjen e sezonit turistik 2023, të cilët do të jenë të përqendruar në të gjitha zonat bregdetare dhe në pikat turistike.Në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik, punonjësit e Policisë, nga Velipoja në Ksamil, janë angazhuar maksimalisht për sigurinë e pushuesve.

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në DPPSH, Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, ka inspektuar qarkun Durrës, për të parë në terren, zbatimin e masave të ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për sezonin turistik.

Pavarësisht reklamimit të masave, rojet e plazheve nuk janë atëherë kur duhen.

8 KORRIK 2023

“Plazhet pa roje, 35-vjeçari mbytet në plazhin e Pishporos në Fier! Pushuesi në Shëngjin shpëtohet nga familjarët”

Një 35-vjeçar u gjet i mbytur në plazhin e Pishporos në Fier.

Në Shëngjin një tjetër pushues nga Kosova rrezikoi të mbytej. Ngjarja ndodhi në orët e pasdites në zonën e Ranës së Hedhun. Kanë qenë familjarët dhe pushuesit e tjerë të cilët e kanë shpëtuar, duke e nxjerrë nga uji, e më pas e dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Lezhës, nga ku mësohet se ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha jashtë rrezikut për jetën.

Të gjitha këto ngjarje 8 ditët e para të korrikut do të mjaftonin për të paralajmëruar ata që kanë sy të shikojnë e ata që kanë veshë të dëgjojnë se siguria në plazhe nuk funksionon.

Data 9 korrik vërtetoi se gjithçka kaloi në terr për institucionet që duhet të mbikqyrin plazhet e Shqipërisë.

9 KORRIK 2023

Familja Halilaj nga Tirana, kishte zgjedhur plazhin e Vilë Bashtovës për të pushuar të dielën e 9 korrikut. Nuk kishin aq para sa për t’u shtrirë në shezlongët e privatit. Prandaj ngulën një çadër dhe shtruan disa pëshqirë në vijën e plazhit publik.

Gjithçka po shkonte mirë për ta deri në mesditë kur hyri të lahej në det njëri prej dy djemve të Elvis Halilajt, më i vogli, 13 vjeç.

Rrymat detare nuk po e linin të dilte në breg, përkundrazi po e çonin më në thellësi të Adriatikut.

Thirrjet për ndihmë të 13 vjeçarit i dëgjuan vëllai i tij 15 vjeç dhe babai, Elvisi. Të dy vrapuan për ta shpëtua, por nuk ia dolën...

Trupi i parë i pajetë që është nxjerrë nga deti, ka qenë Elvis Halilaj, më pas kanë nisur kërkimet për gjetjen e trupave të dy fëmijëve të tij të mitur që u nxorën rreth 30 minuta më pas.

Një ditë më pas, Report Tv kryen një vëzhgim në Vlorë, Shkodër, Lezhë e Pogradec.

“Plazhet pa roje bregdetare! Kullat e vrojtimit bosh, shërbejnë si 'çadra dielli'”

Nga 65 stacione plazhi në Velipojë, vetëm 6 prej tyre kanë roje bregdetare. Kullat e vrojtimit shërbejne si “çadra dielli” ndërkohe që vetë pushuesit shprehen të shqetesuar për mungesen e vrojtuesve të plazhit.

 “Nuk ka roje bregdetare! Janë të domosdoshëm sidomos për të moshuarit dhe fëmijët”, thanë pushuesit.

Mungesa e rojeve bregdetare, është një problem i përvitshëm në Velipojë, ndërkohë që bashkia e Shkodrës ngre supet! Në rrugë jozyrtare tha se nuk eshte ne kompetence të saj monitorimi i plazheve. Ndërsa Agjensia Kombëtare e Bregdetit per Veriun me qendër në Lezhë nuk ka asnjë përfaqësues në Shkodër!

Mungesa e rojeve bregdetare mbetet problematike edhe në plazhet e Vlorës. Report TV kreu një vëzhgim në Plazhin e Vjetër dhe në plazhin publik pranë Akademisë ku Kullat e Vrojtimit janë të boshatisura, ndësa pushuesit ankohen për këtë shqetësim të përvitshëm.

“Jo deri më tani nuk kemi parë roje. Kishim një rast një grua të sëmurë që e shpëtuan ne nga mbytja”, tha një pushues.

Leneda Beqiraj thotë se bizneset shkelin ligjin pasi nuk punësojnë vezhgues plazhi të licensuar. Bashkia e Vlorës jashtë kameras tha se nga kontrollet në 215 stacione plazhi, 15 prej tyre kanë rezultuar pa vrojtues ndaj eshte vendosur bllokimi i tyre deri në plotësimin e kritereve.

Një ditë pas tragjedisë së Vilë-Bashtovës, kontrolle po ushtrohen vetëm në Tale të Lezhës aty ku Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe Bashkia gjobitën dy subjekte.

“Kemi hasur disa parregullsi dhe kemi vendosur gjoba. Në tërësi hapesira e plazhit mbulohet me vrojtues, por ka dhe raste qe nuk ka si sot qe moren dy masa administrative në Tale”, tha Renaldo Chanaj drejtor i turizmit në bashki.

Plazhet private licencohen nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe është pikërisht ky institucion që duhet të monitorojë bizneset për plotësimin e kritereve, ndër to dhe rojet bregdetare.

 Ashtu si në bregdet edhe në qytetin liqenor të Pogradecit konstatohet mungesa e vëzhguesve, sidmos në plazhet private. Ndërsa në plazhet publike, buzë liqenit të Ohrit rojet e plazhit janë prezentë por sipas pushuesve duhet shtuar numri i tyre.

 “Kemi parë ndonjëherë roje, por jo ashtu siç duhet. Janë pak!”- tha ai.

“Këtu vrojtues nuk kemi parë, mungon kultura ne vendin tonë se në çdo shtet tjetër të botës ka vrojtues në plazhe”, thanë pushuesit.

Në Pogradec momentalisht nuk ka kulla vrojtimi, por bashkia thotë se brenda këtij sezoni pritet të ndërtohen 7 të tilla përgjatë vijës liqenore prej 6 kilometrash.

“Kemi konstatuar se vrojtuesit nuk gjenden në vendin e punës. Brenda dy ditësh do dalim sërish në kontroll dhe do u hiqet licenca atyre bizneseve që kapen në shkelje”, tha  Enjela Karafili, e cila drejton grupin e task-force. Ajo shtoi se “brenda këtij sezoni do të ndërtohen 7 kulla vrojtimi”.

Humbja e tre jetëve në Vilë Bashtovë ndodhi 11 muaj pas vdekjes tragjike të 7-vjeçares Joana Avdiaj që lahej në plazhin e Potamit në Himarë, 2 gushtin e vitit 2022.

E po kaq muaj iu deshën prokurorisë së Vlorës të hetojë për ngjarjen e rëndë.

Ish-efektivi i policisë Arjan Tase që lundronte me skaf erdhi buzë deti dhe e përplasi për vdekje të voglën. Organi i akuzës e mori zyrtarisht të pandehur ish efektin, që tashmë do të përballet me drejtësinë për akuzën e vrasjes me dashje në mënyrë indirekte. Për këtë vepër penale, parashikohet dënim maksimal deri në 15 vite burg.

Sipas Prokurorisë, Tase nuk ka respektuar zonën e kufizuar për pushuesit, e cila nuk duhet të kalohet nga mjetet lundruese, dhe ka bërë manovër të gabuar gjatë drejtimit të skafit, duke përplasur për vdekje 7-vjeçaren në plazh, disa metra larg bregut.

Sot në bankën e të akuzuarëve është një administrator plazhi i cili i kujton bashkisë së Rrogozhinës se është ajo përgjegjëse për hapësirën publike ku po pushonte familja Halilaj.

“Bovat nuk i vendosim ne, por e cakton bashkia Rrogozhinë hapësirën ujore që i përket çdo plazhi dhe thellësinë ku të vendosen. Unë rrezikova jetën time dhe e kisha një flamur të kuq, po edhe 10 vrojtues të ishin nuk do bënin dot gjë. Nga ana njerëzore, kur pashë që nuk po futej njeri, ma dha Zoti dhe u futa me kajak. Po u fundosa. Zonën ku vdiq i ndjeri dhe fëmijët e ka nën administrim bashkia. S’do të doja kurrë të ndodhte një gjë e tillë”.

Gjykata pasi dëgjoi palët, caktoi të ligjshëm arrestimin dhe masën “arrest shtëpie” deri në përfundim të hetimeve.

Ligji përcakton se në çdo stacion plazhi në Shqipëri, duhet të ketë vrojtues plazhi, që jo vetëm ndërhyjnë për të shpëtuar pushuesit që rrezikojnë të mbyten, por edhe sinjalizojnë përmes ngjyrave të flamurit, si në rast e të kuqes, se kur deti me dallgë nuk është i këshillueshëm të frekuentohet.

Report Tv ka dëshmuar me kronika njëra pas tjetër që prej nisjes se sezonit veror, se në shumë plazhe nga jugu në veri, vrojtuesit mungojnë, dhe reagimi i shtetit thuajse është inekzistent. Lëvizja e institucioneve fatkeqësisht vjen në raste fatkeqësish si ajo në Vilë-Bashtovë me humbjen e tre jetëve, babait me dy djemtë. Edhe në këtë rast, pritet të marrë fund zhurma mediatike, që autoritet kontrolluese të pushojnë sërish.

Në mesin e kësaj situate ku ligji shkelet me të dyja këmbët, në gjyq pritet të nisë një përballje mes shtetit dhe privatit, Federatës së Vrojtuesve të Plazhit, organizatë jo fitimprurëse që certifikon rojet bregdetare, dhe Urgjencës Kombëtare Mjekësore dhe Universitetin e Sporteve.

Por përse federata paditi 2 institucione shtetërore?

Nisur nga panorama e trishtë e plazheve pa vrojtues, Mes urgjencës Kombëtare dhe Universitetit të Sporteve u lidh marrëveshje në prag të sezonit, në mars 2023, për certifikimin të rinjve të universitetit të sporteve si vrojtues plazhi, pas trajnimit edhe nga Urgjenca.

Federata e Vrojtuesve të plazhit, e cila i certifikon vrojtuesit pasi bëjnë kurse me pagesë nga 40 mijë deri në 50 mijë lekë, akuzon dy institucionet shtetërore për dëm ekonomik, pasi i merr kursantët. Së dyti, Federata pretendon se kjo nismë e shtetit rrezikon jetën e qytetarëve, pasi trajnimi i vrojtuesve të plazhit sipas tyre bëhet nga institucione pa licencë.

Për kreun e Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, është absurde të flasësh për rrezikim të jetës, në kushtet kur edhe vetë Federata sipas tij, duhej të trajnonte aplikantët për dhënien e ndihmës së parë pranë Urgjencës.

“Çudi! Është çudi shqiptare, të akuzosh një institucion shtetëror që ligjërisht duhet të përgatisë dhënien e  ndihmës së parë në çfarëdolloj ambienti , në tokë ajër apo ujë, ta akuzosh për dëm ekonomik apo mbi të gjitha ta akuzosh për rrezik të jetës së qytetarëve është hera e parë që e dëgjoj.” – shprehet kreu i urgjencës kombëtare

Skënder Brataj tregon pse u pa e nevojshme trajnimi i vëzhguesve të plazhit nga Urgjenca Kombëtare dhe universiteti i Sporteve, ku tashmë janë certifikuar 30 vrojtuesit e parë.

“Por nëse ti si vrojtues nuk njeh sistemin e urgjencës, nuk di si kërkohet ndihmë, nuk di si është standardi i bërjes së masazhit apo i ventilimit apo të gjithave sigurisht që ka një handikap.”

Kreu i Urgjencës Kombëtare, thotë se në vend që palët të përplasen në dyert e gjyqeve, institucionet dhe shoqatat duhet të bëhen bashkë me njëra-tjetrën për një të mirë të përbashkët, shpëtimin pushueseve pasi edhe këtë sezon vere deti po merr jetë njerëzish.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Doktori: 17/07/2023 09:33

    Dhe shume pushues te tjere jan shpetuar nga vdekja nga pushues te cilet kane qene rastesisht prane personave qe kane qene duke u mbytur ose kane pasur arrest cardiak duke i dhene ndihmen e pare , nje ndihme e tille iu dha nje zonje ne plazhin e golemit e cila pesoi nje arrest kardiak brenda ne det, ku disa persona prane saj vepruan me shpejtesi dhe e nxoren ne breg , nje pushues kishte nje aparat qe monitoron rrahjet e pulsit e cila kjo zonje i kishte mbi 130 bpm dhe rastesia e nje infermieri beri te mundur qe gjendjae kesaj zonje te permiresohet. Edhe pse urgenc erdhi shpejt , ajo nuk kishte mundesi ti afrohej bregut te detit se nuk kishte hapsira ku tekalonte se ishin te zena me shazllonet e “Kumbaros” , te semuren , njerezit qe ishin prane e vendosen ne shazhllon dhe e transportuan deri tek makina e urgjences qe priste 100 m larg.Nuk kishte asnje roje bregdetare, nuk ka asnje hapsire qe makina e urgjences ti afrohet bregut te detit, mos te kishin qene keta pushues qe rastesisht u ndodhen prane kesaj zonje , kronikes se zeze do ti ishte shtuar edhe nje viktime tjeter….

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje