TIRANE - Ministria e Arsimit ka hapur procedurat e regjistrimit të të gjithë atyre studentëve të cilët kanë përfunduar studimet në mjekësi dhe dëshirojnë të ndjekin specializimet në degë të ndryshme. Sipas udhëzimit më të fundit nga kjo ministri afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve do të jetë data 15 dhjetor. Ndërkohë që në datën 19 dhjetor do të jetë faza e parë e testimit ajo e intervistës. Kurse, në datën 22 dhjetor kandidatët do të përfshihen në provim tek Agjencia Kombëtare e Provimeve, ku aplikantët do të përgjigjen online për pyetjet e testit. Një tjetër kriter i vendosur këtë vit, është edhe nota mesatare e cila do të ketë një përqindje të veçantë sa i përket konkurrimit.

Për kryerjen e intervistës me gojë, komisioni ka të drejtë të pyesë gjatë intervistës kandidatin për ta kuptuar më mirë dhe vlerësuar në lidhje me edukimin e profesionalizmin e tij, duke evituar gjykimet personale dhe çdo lloj diskriminimi të mundshëm. “Anëtarët e komisionit japin vlerësimin e aplikantëve individualisht me votim të fshehtë. Rezultatet mblidhen dhe pjesëtohen në bazë të numrit të anëtarëve të komisionit” thuhet në udhëzim. Ndërkohë që konkurruesit që kanë botuar artikull në revistë ndërkombëtare me faktor impakti marrin autornatikisht 70% të pikëve totale të intervistës.