Në një atmosferë të jashtëzakonshme të mikpritjes dhe garës sportive po mbahet në Krujë gara e bërë tashme traditë e ‘Trofeut Skënderbej 2026’, një event i i vlefshëm për kampionatin e FIA CEZ dhe kampionatet kombëtare, që organizohet nga FASA dhe Auto Club Albania.

Në ditën e parë të provove zyrtare garën e bënë më interesante edhe prania e pilotëve nga Kosova, Serbia dhe Mali i Zi, ndërsa mbi të tjerët shkëlqeu shqiptari Gentian Shaqiri. Piloti shqiptar, në timonin e Tatuus, dominoi provat duke regjistruar kohën më të shpejtë të ditës me 2:11.991, duke u konfirmuar si favoriti kryesor për garën zyrtare.

Pas tij u rendit piloti nga Kosova Bardhyl Canolli me Radical SR8, me kohën 2:22.410, ndërsa vendin e tretë e siguroi serbi Uros Brkic me Osella PA21, me kohën 2:27.274. Një paraqitje solide dhanë edhe pilotët kosovarë Kushtrim Bytyçi dhe Egzon Ukehaxhaj, të cilët u renditën në mesin e më të shpejtëve, duke lënë të hapur garën për podiumin final. Në total, 21 pilotë morën pjesë në këtë etapë prove, ndërsa gara e nesërme pritet të jetë vendimtare për renditjen finale dhe fituesit në kategori.

Kruja vazhdon të mbetet një nga pistat më sfiduese dhe ikonike të automobilizmit malor në rajon, duke mbledhur çdo vit emra të rëndësishëm të motorsportit ballkanik.

Provat zyrtare, renditja

1-Gentian Shaqiri – Tatuus – 2:11.991

2-Bardhyl Canolli – Radical SR8 – 2:22.410

3-Uros Brkic – Osella PA21 – 2:27.274

4-Kushtrim Bytyçi – Renault Clio – 2:36.493

5-Goran Dojcinovic – Honda Civic – 2:39.433