Spiralja e dhunës që solli Hamasin

Spiralja e dhunës që solli Hamasin

Sulmi i shëmtuar i Hamasit në Izrael është dënuar me të drejtë në të gjithë botën. Nëse kjo është luftë, dhe për këtë të dyja palët bien dakord, atëherë shënjestrimi i qëllimshëm i civilëve nga Hamasi është një krim i rëndë lufte.

Vetëm se brutaliteti i demonstruar nga Hamasi nuk doli nga asgjëja. Leksioni i asaj që po ndodh aktualisht në Gaza dhe në Izrael është vetëm që dhuna ushqen edhe më shumë dhunë.

Shansi i vërtetë i fundit për shmangien e një konflikti të tillë si ai që po zhvillohet mes Izraelit dhe Hamasit u shkatërrua në fakt dy dekada më parë nga një vrasje e vetme: vrazja e kryeministrit të Izraelit Yitzhak Rabin më 1995. Vrasësi në fakt nuk ishte një militant palestinez por një ekstremist izraelit që kundërshtonte Dakordësinë e Oslos, përmes së cilës, Rabin ëndërroi një “tokë të paqes”, një marrëveshje që ishte anatema e radikatëve izraelitë, për të cilët, sovraniteti hebraik në Tokën e Shenjtë është diçka e panegociueshme.

Vrasja e Rabin ndodhi në përfundim të një manifestimi paqeje në të cilin morën pjesë më shumë se 100 mijë izraelitë, shpesëplotë se armiqësia mes Izraelit dhe Palestinës më në fund po mbyllej. Dhe në atë kohë, kjo shpresë ishte me të vërtetë realiste.

Përfituesit më të mëdhenj nga kjo vrasje ishin nacionalistët izraelitë, mbi të gjithë, Binyamin Netanyahu, kreu i partisë Likud të krahut të djathtë. Netanyahu ka kundërshtuar Dakordësinë e Oslos për shkak se kjo marrëveshje i kërkon Izraelit të tërhiqet nga territoret që ka pushtuar gjatë Luftës së Gjashtë Ditëve në vitin 1967. Në protestë kundër Dakordësisë dhe kundër Rabin, Netanyahu në atë kohë udhëhoqi një procesion funerali fals, të plotësuar me një qivur dhe një litar për varje.

Në vitet pas vrasjes së Rabinit dhe në veçanti pas dështimit për të arritur një marrëveshje në bisedimet e zhvilluara në Camp David më 2000, ekstremistët e krahut të djathtë morën pushtetin në Izrael dhe kjo e pakësoj edhe më shumë perspektivën e arritjes së një shteti palestinez në territoret e pushtuara. Në të njëjtën kohë, dështimi i udhëheqësit laik të Palestinës Yasser Arafat dhe lëvizjes së tij Fatah për të krijuar shtetin e Palestinës ishte ajo që fuqizoi Hamasin, e cila, krahas organizatave të tjera militante palestineze e mbështet ligjshmërinë e vet në vrasjen e izralitëve (si dhe të atyre që i akuzon si bashkëpunëtorë të Izraelit).

Ndërsa Hamasi shtriu ndikmin e vet (dhe eksportoi dhunën) nga Gaza, e cila është kontrolluar prej saj që nga viti 2007, për te Bregu Perëndimor i pushtuar nga Izraeli, në të cilin Autoriteti Palestinez i kontrolluar nga Fatah është nominalisht në detyrë, një numër në rritje mes izraelitëve mbështeti masat represive në Netanyahut. Dhe ndërsa Autoriteti Palestinez ishte i pafuqishëm për të ndalur zgjerimin e pambarim të vendbanimeve izralite në tokat e pushtuara në Bregun Perëndimor, rrethi i ekstremizmit dhe dhunës vijoi.

Aktualisht Netanyahu udhëheq qeverinë më fanatike nacionaliste në historinë e Izraelit, një qeveri që përfshin Ministrin e Financave Bezalel Smotrich, përgjegjësia e të cilit përfshin administrimin e pjesëve të mëdha të Bregut Perëndimor të pushtuar. Smotrich ka nxitur dhunë në mënyrë të përsëritur kundër palestinezëve.

Në shkurt, pasi një palestinez qëlloi dhe vrau dy kolonë izraelitë, qindra izraelitë sulmuan Huëara-n, një fshat palestinez aty pranë, në skena që të përkujtojnë pogromet e kozakëve kundër vendbanimeve hebraike në Rusi, një shekull më parë. Izraelitët i vunë flakën Hëara-s, duke lënë një fshatar të vdekur dhe duke plagosur shumë të tjerë. Dhe, njësoj si policia e Rusisë gjatë kohës kur pogromi po kryhej, forcat izraelite në zonë nuk ndërhynë për të mbrojtur banorët apo për të arrestuar dhunuesit.

Asnjë nga këto nuk justifikon krimet e kryera kundër civilëve izraelitë nga terroristët e Hamasit të cilët vranë më shumë se një mijë izraelitë, shumica e të cilëve civilë të pambrojtur, përfshirë gra e fëmijë. Video rrëqethëse tregojnë militantët e armatosur që qëllojnë, me gjakftohtësi, të rinj në një festival muzike. Në përqindje të popullsisë, ky sulm e ka goditur Izraelin dhjetë herë më shumë se sa goditja e SHBA-së nga Al-Kaeda me sulmet kundër Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit më 11 shtator 2001.

Kur Hamasi sulmon civilët izraelitë, e di se kjo do të sjellë kundërsulm të Izraelit në Gaza, gjë që do të sjellë vrasje dhe plagosje të shumë civilëve. Hamasi i vendos objektet e veta ushtarake në zona rezidenciale, me shpresë se kjo taktikë do t'i pengojë izraelitët t'i godasin, ose së paku do të pakësojë mbështetjen ndërkombëtare për Izraelin.

Hamasi raportohet se po mban aktualisht 150 pengje dhe ka deklaruar se do të vrasë një prej tyre sa herë që një bombë e Izraelit do të godasë një shtëpi të Gazës pa paralajmërim. Udhëheqësit e Hamasit me siguri që e mbajnë mend se më 2011, Netanyahu, si kryeministër, pranoi të lirojë mbi 1 mijë të burgosur palestinezë, disa prej të cilëve terroristë, në shkëmbim të lirimit të një ushtari të vetëm izraelit të marrë peng, Gilad Shalit. Në këtë kontekst, ata mund të besojnë se Izraeli nuk  do të jetë i gatshëm të sakrifikojë jetët e pengjeve në mënyrë që të arrijë objektivat e veta ushtarake.

Nëse udhëheqësit e Hamasit i kanë bërë llogaritë në këtë mënyrë, ata ka gjasa do të zbulojnë se i kanë bërë llogaritë gabim. Mbetet për t'u parë nëse Izraeli do të jetë apo jo në gjendje të eliminojë Hamasin si forcë ushtarake, por është e qartë se në betejën për të arritur këtë objektiv, Izraeli do të duhet të përgatitet të humbasë shumë jetë, mes ushtarëve e me gjasa, edhe mes pengjeve.

Se deri në çfarë pike do të vijojë Izraeli me qëllimin e vet për të bllokuar elektricitet, energji, ushqim dhe ujë për dy milionë banorët e Gazës, shumë prej të cilëve janë fëmijë, kjo është e vështirë për t'u ditur. Ajo që është e sigurt është se krimet brutale të Hamasit nuk i japin të drejtë Izraelit të vdesë urie fëmijët.

Në sytë e shumë vëzhguesve të jashtëm, kauza për autonomi dhe shtet palestinez ka pasur prej kohësh epërsi morale. Tani kjo kauzë është njollosur nga vrasjet dhe rrëmbimet mizore – shumë prej të cilave të bëra para objektivëve të kamerave – të bëra në emrin e saj. Paradoksalisht, nëse palestinezët do të duan të rifitojnë epërsinë morale, ata duhet të shpresojnë për shkatërrimin e Hamasit. Për sa kohë Hamasi mund të pretendojë se i përfaqëson ata, krimet që Hamasi ka bërë do të vijojnë të njollosin kauzën e tyre.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen