Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali në konferencë për shtyp, i është përgjigjur pyetjeve lidhur me luftën që SHBA i ka hapur grupeve kriminale, duke cekur dhe Shqipërinë që përballet me fenomene të tillë.

Spiropali thotë se partneriteti i SHBA-së me Shqipërinë jo vetëm që mbetet e i palëkundur, por është forcuar më tej dhe se prioritet i përbashkët është lufta kundër korrupsionit, krimit apo trafikut të drogës. Ndër të tjera, Spiropali duke iu referuar raporteve të BE-së, thekson pozicionimin e Shqipërisë si shtet pararojë përsa i përket Ballkanit Perëndimor në luftë kundër krimit.

Referuar pyetjes për ishullin e Sazanit ku dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner do të bëjë një investim, Spiropali thotë se ky është një projekt pjesë e projektit të madh të zhvillimit të Shqipërisë dhe partneriteteve.

“Ju besoj i referoheni prioritetit të shpallur të sekretarit të shtetit Marco Rubio për luftën kundër karteleve. Por dhe prioritetin e tyre për luftën kundër krimit të organizuar. Në asnjë moment sekretari Rubio nuk i janë referuar Shqipërisë, që nuk përjashtohet nga fenomene të tilla, por që nuk mbajnë përgjegjësi as shqiptarët si etni, as vendet e tjera ku këto shfaqen, ashtu si të gjitha shtet e tjera kanë sfidat e tyre kur vjen puna tek lufta kundër krimit të organizuar. Ajo që është e qartë dhe është e besoj si drita e diellit, është se Shqipëria dhe SHBA kanë një partneritet të fortë strategjik që nuk është lëkundur, dhe siç po e shihni, sigurisht që ky partneritet është i palëkundur. Shqipëria në raportet e BE, rezulton një vend që luftën kundër korruptonit, krimit të organizuar, pavarësinë e gjyqësorit, e ka sot në nivelin më të lartë të paktën për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Të tjerat janë spekulime politike që mund të rrohet përkohësisht, por nuk krijohet një alternativë e besueshme apo e qëndrueshme. Ivanka Trump jo vetëm familja e presidentit ,por të gjithë zyrtarët janë të mirëpritur në Shqipëri dhe nuk kemi detyrim të japim informacion për vizitat e tyre qoftë private apo zyrtare. Nuk ka plane për falje toka. Askush nuk kërkon që Shqipëria të falë toka, por ka projekte serioze që janë pjesë e projekteve tona zhvillimore”, tha Spiropali.


Lajmi kryesor:

Shqipëria në Bordin e Paqes për Gazën/ Spiropali: Ftesa e Trump vlerësim i lartë! Tregimet se do paguajmë miliarda dollarë, trillime të opozitës