Çdo ditë dhjetëra qytetarë që drejtohen në spitalin e Lezhës mbeten të bllokuar në trafik për orë të tëra.

Fluksi është më i lartë sidomos në orët e paradites.

Në parkingun e spitalit vendet janë të kufizuara dhe shpeshhere krijohet kaos në trafik duke penguar dhe lëvizjen e ambulancave.

Në ambientet e brendshme të spitalit shihen autoambulancat të bllokuara nga mjetet e parkuara edhe në trotuare.

Në një nga rrugët brenda spitalit, lëvizja është e vështirë për shkak të parkimeve të gabuara.

Trafiku është një problem serioz për pacientët e familjarët e tyre.

“-Sa kohë ke këtu?

Qytetari: Gjysmë ore duke pritur me djalin.

-A është problem?

Qytetari: Shumë!

-Po të kesh rast emergjent?

Qytetari: Vdes në rrugë! Ku pyet shteti për këtë punë!”

Parkimi i kufizuar pranë Spitalit Rajonal të Lezhës dhe punimet që po realizohet në rrugët përreth janë shkaqet kryesore të kësaj situate kaotike.

Në lidhje me këtë çështje Drejtoria e Spitalit bën me dije se parkingu brenda spitalit ka kapacitet të ulët, por në situatën e krijuar gjatë kohëve të fundit kanë ndikuar edhe punimet infrastrukturore në rrugë.

Ndërsa bashkia tha se punimet për rikonstruksionin e rrugëve janë drejt përfundimit.