TIRANE- Spitali i Tiranës i cili do të jetë tek Sanatoriumi ka nisur të marrë jetë, me hapjen e sallave të kirurgjisë së përgjithshme ndërkohë që në muajt në vijim atij do ti shtohen edhe pavijonet e tjera. Me hapjen e këtij pavijoni ndërhyrjet kirurgjikale tani do të ofrohen edhe në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka pohuar se në këtë spital ka katër salla kirurgjikale, që do t'ju shërbejnë rreth 100 mijë banorëve. “Është përcaktuar që në sistemin e referimit, nga mjeku i familjes, në klinikën e specialiteteve dhe pastaj në shërbimin e kirurgjisë këtu të mund të referojmë banorët të komunave që janë të komunave të Farkës, Baldushkut, Bërzhitës, Petrelës, dhe të Qytetit Studenti. Bëhet fjalë për një popullsi për 100 mijë banorë" tha Beqjaj.

Përveç Kirurgjisë së Përgjithshme në Spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, pritet të futen edhe shërbime të tjera që trajtojnë sëmundje të ndryshme, krahas atyre të mushkërive, për të cilën është specifik ky spital. Kurse kreu i Fondit të Sigurimeve ka pohuar se institucioni që aio drejton do të mbulojë financiarisht si personelin shtesë për këtë shërbim të ri, ashtu edhe nëpërmjet kontratës që ka me këtë spital, do të financojë, si financues i vetëm publik, edhe ndërhyrjet e shërbimit të kirurgjisë invazive.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 26 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)