TIRANE, 6 tetor /ATSH/. - Federata Shqiptare e Futbollit i ka kthyer te henen pergjigje Federates Serbe, duke theksuar se "duke ju falenderuar paraprakisht për komunikimin dhe vënien në dispozicion nga ana e Federatës Serbe të Futbollit të 1000 biletave për tifozët shqiptarë për ndeshjen e 14 tetorit Serbi-Shqipëri, që do të luhet në Beograd, ne po ju paraqesim mendimet tona lidhur me kete çeshje".
Federata Shqiptare e Futbollit i quan kushtet e vendosura nga ju për praninë e tifozëve shqiptarë në Beograd, të parealizueshme nga ana jonë. Së pari, ne nuk mund të listojmë dhe të marrim të dhëna personale nga tifozët. Së dyti, ne nuk kemi asnjë arsye ta bëjmë një gjë të tillë dhe së treti, Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka infrastrukturën e nevojshme dhe as kohën në dispozicion, për të bërë të tilla regjistrime. Në praktikën tonë të komunikimit me të gjitha Federatat e tjera anëtare të UEFA-s dhe FIFA-s për organizmin e ndeshjeve të futbollit (zyrtare apo miqësore), kushte të tilla nuk janë vendosur kurrë dhe me to njihemi për herë të parë. Ekipi kombëtar shqiptar është shoqëruar nga tifozët e tij, kudo në Europë madje edhe jashtë kontinentit si, në Argjentinë apo SHBA. Për vetë situatën që ka kombi ynë, bashkëkombasve tanë, që jetojnë në Greqi, Gjermani, Angli, SHBA etj, nuk mund t'ua privojmë të drejtën për të ndjekur ndeshjet e kombëtares tonë, theksohet ne pergjigje.
"Vënia e kushteve të tilla, mendojmë se ka ndikim jo të mirë në krijimin e një fryme pozitive, bashkëpunimi dhe besimi reciprok, në organizmin e aktiviteteve futbollistike dhe jo vetëm. Ideja juaj për organizmin e ndeshjes miqësore mes veteranëve të të dyja vendeve, e përshëndetur dhe miratuar nga ana jonë, do të jetë një nga ato sinjale të uljes së tensionit dhe bashkëpunimit të sinqertë mes dy federatave, që së bashku do të përcjellim tek tifozët".
"Për arësyet që përmendëm më lart, Federata Shqiptare e Futbollit kërkon pajisjen me bileta për tifozët shqiptarë pa kushte. Biletat e vëna në dispozicion nga ana e Federatës tuaj ne do t'ua shpërndajmë shoqatave të tifozëve tanë, për të ndjekur ndeshjen Serbi - Shqipëri, në Beograd më 14 tetor", vihet ne dukje ne pergjigjen e FSHF-se. /a.ke/






