TIRANE, 10 dhjetor/ATSH/. - Javier Zanetti, ish-kapiteni legjendar i Interit, mendon se ylli i Barcelonës, Lionel Messi, e meriton Topin e Artë.
Lionel Messi e meriton Topin e Artë para dy finalistëve të tjerë: Cristiano Ronaldos dhe Manuel Neuerti. Kështu mendon Javier Zanetti, ish-kapiteni legjendar i Interit, shkruan gazeta Express.
"Messi është një futbollist fantastik. Ai është një lojtar që mund të shpikë diçka nga momenti në moment dhe të ndryshojë fatin e një ndeshjeje futbolli me një lëvizje të vetme. Për mendim tim, Leo është lojtari më i mirë në botë dhe nga dita në ditë ai më surprizon edhe më tepër me ato që bën në fushë", tha Zanetti.
"Do të jetë e vështirë që Topin e Artë ta fitojë Manuel Neuer, jo pse ai nuk ka cilësi, por kur ke përballë dy sulmues që kanë shënuar kaq shumë gola, për një portier është gjithmonë shumë e vështirë të shpallet futbollisti më i mirë i vitit", theksoi ai.
Zanetti, i cili tani është nënpresident i Interit, mendon se çmimi për trajnerin e vitit i takon Diego Simeones, i cili e shpalli Atletico Madridin kampion në Spanjë dhe nënkampion në Europë. /a.ke/








