Stërmbesa: Historianët të
zbardhin si vdiq Ismail Qemali

Stërmbesa: Historianët të <br />zbardhin si vdiq Ismail Qemali
 Ariana Vlorën e gjetëm në shërbim në sportelin e Postës NR 9 të Tiranës. Janë ditët e fundit të muajit dhe atë s’mund ta gjeje asnjë çast të lirë. Merrej me pagesat faturave të ujit dhe të dritave. Duke e respektuar punën e saj modeste, e prita derisa të shkonte ora 3.00 në bar-kafenë afër punës së saj. Bari ishte mbushur plot me njerëz nga shkaku i zagushisë. Me dashuri dhe thjeshtësi Ariana Vlora u afrua, por, ndërsa isha e përqendruar në takimin me të, më thirri një e njohura ime: “Më fal, flasim më vonë, se kam një intervistë me stërmbesën e Ismail Qemalit”, -i thashë. Krejt padashur zëri më ushtoi. Të gjithë kthyen kokën. Sytë kureshtarë na ndoqën pa ndërprerje deri në fund të intervistës. “Stërmbesa e Ismail Qemalit”. “Vërtetë?!” dukej sikur thoshin ata mjaft të habitur. Sikur ta dinin ata se kjo mbesë e familjes Vlora punonte madje tetë orë në një sportel vetëm për 1800 lekë në muaj…., nuk do ta besonin dot. Kur mbaroi intervista dolëm nga bari duke i lënë ata njerëz ende të surprizuar mes imazhit mitik të heroit dhe pasardhëses “tokësore” të tij. I lamë pas krahëve shikimet me përfytyrimin e Ismail Qemalit të paharruar. Gjatë bisedës me Ariana Vlorën, ajo po përpiqej të më mbushte mendjen se ishte e kotë të fliste në ndonjë në gazetë, se këtu në Shqipëri nuk të dëgjon askush.
E dija pse fliste kështu. Shumë vetë e dinë se ç’ka ndodhur me familjen e saj. I vëllai Darling Vlora,muaj më parë ka pohuar se “Qeveria s’ka bërë aq sa duhet për Ismail Qemalin në këtë 100-vjetor”. Për muaj me radhë edhe mediat po shkruajnë pareshtur se në projektet që mbajnë emrin 100-vjetorit të Pavarësisë nuk është bëra sa duhet për Ismail Qemalin vetë. Dhe kështu, e lashë bisedën mes meje dhe stërmbesës së themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar Ismail Qemalit që të rridhte natyrshëm, por jo pa e regjistruar...

Pra ju jeni një pasardhëse e drejtpërdrejtë e Ismail Qemalit?

-Unë jam Ariana Vlora nga babai, Shkurti e kam mbiemrin nga burri. Babai im ishte nipi i Ismail Qemalit dhe kishte emrin e tij Ismail Qemali. Faktikisht në shumë dokumente para ‘44-s babi im e ka pasur emrin Ismail Qemal Vlora, pastaj nuk e di si ka ndodhur, sesi janë bërë zhdukjet e emrave në regjistrat dhe njëherë humbi një pjesë e emrit e njëherë një tjetër, derisa arritën që babit tim t’i ndërronin edhe mbiemrin, kur ishte akoma djalë. Iu bë mbiemri Ismaili. Një ditë të bukur vajtën në lagje dhe morën një certifikatë dhe në vend të merrnin emrin Ismail Qemal Vlora, në ‘46-n morën emrin Ismail Ismaili. Në këtë kohë është futur dhe gjyshi im në burg dhe ka bërë një vit. Por nuk dua t’i përmend shumë këto veprime se janë kaq të dhimbshme, të cilat shteti komunist i ka bërë edhe me pothuaj të gjithë pasardhësit e Ismail Qemalit. Pasojat dihen se çfarë është bërë në Shqipëri me klasën intelektuale, madje me njerëzit që ishin pasardhës të atij që shpalli pavarësinë, është bërë edhe më keq.

Cilin futën në burg, gjyshin tuaj?

-Po. Djalin e Ismail Qemalit.

Me cilin pretekst e arrestuan?

-Djali i Ismail Qemalit, pra Qamil bej Vlora kishte një armë familjare që e ruante si relikte dhe ata me këtë pretekst e arrestuan. Në fakt ajo ishte më shumë një armë muzeale, një kujtim.

Po pronat si ua konfiskuan?

-Unë di që nuk mbeti asgjë për ne pas viteve ‘45-‘46 nga pronat e familjes Vlora. Gjithçka u konfiskua. Dhe për një armë që e mbajti kujtim gjyshi e futën në burg. Humbja e gjurmëve të pronave të Ismail bej Vlorës pati dy arsye, jo vetëm që iu konfiskuan, por edhe për mungesën e vëmendjes së Ismail Qemal Vlorës në atë kohë për fatin e pronave, sepse familja Vlora po merrej kryesisht me politikë. Duke qenë se çështja e kombit ishte bërë parësore, pati një mungesë vëmendjeje për to, por familja Vlora zotëronte shumë prona, brenda e jashtë Shqipërisë. Ishte një ndër familjet më të pasura. Kishte trashëgimi nga familja e tij, sepse Ismail Qemali është produkt i familjeve të mëdha.

Pra doni të thoni se dhe ndaj patriotëve ka pasur luftë klasore?

-Mua edhe kjo më shqetëson, sepse është 100-vjetori i Pavarësisë dhe për asnjë nga këto figura nuk flitet sa duhet. Nuk flitet për Isa Boletinin për Luigj Gurakuqin, për Dom Nikollë Kaçorin, etj. Janë shumë figura që kam shumë respekt dhe të gjithë shqiptarët duhet t’i njohin këto figura dhe të lartësohen. T’i dinë, të kuptojnë rëndësinë dhe kontributin historik. Duke mos u vlerësuar figurat e së shkuarës vihet re se etika ka rënë edhe në vlerësimin e figurave të politikanëve të sotëm. Sharje, fyerje, akuza poshtërime. Kjo etikë që mund të shash këdo e të shahet kushdo pa asnjë argument iu atribuohet edhe figurave të së shkuarës historike. Është përcjellë një traditë në popullin e thjeshtë që kushdo të denigrohet aq sa të arrihet në atë konkluzion se nuk ka burra Shqipëria. Ne duhet të nxjerrim të për ta argumente që të evidentohen edhe të vjetrit edhe të rinjtë që do të vinë sipas meritave.

Po a ka ndodhur kështu edhe me Ismail Qemalin. Sa i janë vënë në dukje meritat historike sot?

-Le ta nisim nga meritat. Ismail Qemali është një figurë e madhe historike dhe kontribuoi për Pavarësinë, por nuk qe i vetëm, ai ka luftuar bashkë me familjen Vlora. E gjithë familja Vlora është pjesëmarrëse në luftën për Pavarësi. Është vetë shtëpia Ismail Qemalit me një histori kuvendesh të rëndësishme për çështjen e pavarësisë. Gjë që e evidentojnë edhe historianët. Prandaj duhet të dalë në pah edhe roli i familjes. Shtëpia e Qemal Bej Vlorës ishte seli ku mblidhej elita politike e Shqipërisë. Mungesa e vëmendjes ndaj familjes Vlora sigurisht që më shqetëson.

JU vutë në dukje se kanë humbur edhe pronat e Ismail Qemalit, si ka mundësi. I dini ju vetë ku i keni?

-Ne i dimë. I di gjithë familja, por nuk gjendet dokumentet. Nuk dihet se çfarë është bërë me këto dokumente. Nuk duan të na i nxjerrin, apo i kanë tjetërsuar, nuk e di. Ka ende njerëz që po merren me këtë punë. Por është shumë punë e koklavitur. Kanë arritur të bëjnë diçka, por më çudit fakti pse hezitohet që të përkrahemi ne familja e Ismail Qemalit, e atij që kontribuoi kaq shumë për Shqipërinë. Nga pengohet kjo përkrahje. Pse nuk ndodh me të gjitha figurat historike. Pse veçanërisht pronat e Ismail Qemalit të mohohen. Nuk me rezulton asnjë përgjigje.

A mendoni se ka ndikuar edhe fakti se gjatë 50 vjetëve diktaturë Ismail Qemali përmendej shumë pak në histori?


-Pikërisht, sepse figura e Ismail Qemalit ka dalë në pah sa për t’i dhënë vetëm vlerën e ngritjes s flamurit. Që nga mënyra si citohej: një plak me mjekër të bardhë doli në ballkon dhe ngriti flamurin, dukej sikur ia kishin lënë në dorë për respekt se ishte më i moshuari dhe jo se ishte ai që e çoi Shqipërinë deri tek ky akt i madh historik. Kështu trajtohet. Dua të kujtojë se në traditën e familjes sonë që nga gjyshja ka pasur edhe një modesti kështu ishte kultura e tij nuk donte të bunte bujë. Madje ai hodhi mendimin se për kryetra qeverie le të zgjidhje dikush tjetër. Madje të gjithë ata burra mbi të gjitha e ndjenin si detyrim për kontributin që dha që ta bënin kryetarin e parë të qeverisë. Ndjenin detyrim se ishte ai dhe familja e tij që kishte sakrifikuar pasuri e prona dhe ka kontribuar në çështjen e pavarësisë. Familja ka sakrifikuar është dëmtuar dhe nuk ndihmon askush që kjo familje të vlerësohet, të çdëmtohet të marri atë që i takon apo të kërkohet falje për ndëshkimet e padrejta në komunizëm. Bëjnë sikur nuk e dinë se çfarë ka ndodhur.

Pra ju flisni se nuk i njihen pronat fare Ismail Qemalit?

Unë flas për pronat që ka pasur në Shqipëri, për familjarët që vuajtën regjimin komunist këtu. Nuk e di se çfarë është bërë me pronat jashtë. Regjimi komunist e dinte mirë që gjyshi im ishte biri i Ismail Qemalit por trajtimi i padrejtë që iu bë, tregonte se e luftonte familjen e Ismail Qemalit, se emrin e tij e mbante formalisht. Komunizmi ngrinte ne qiell familje ku një 15 vjeçar shkrepte kishte shkrepur ndonjë pushkë malit dhe rrënoi e denigroi familjen Ismail Qemal bej Vlorës. Ti mund të thuash, gjyshi im i bëri ballë komunizmin, ndeni këtu dhe u përball me komunizmin. I kundërshtoi komunizmit jo se doli hapur, por nuk u përfshi në veprimet e tyre, madje ka bërë tentativa t’u thotë që ju nuk e kini mirë, mos vrisni njëri tjetrin. Mos vrisni ata që keni arrestuar, firmëtarët e pavarësisë , mos vrisni patriotet e parë. Ua bëri me dije që ju nuk e keni mirë dhe ata i vranë që i vranë. Ashtu ishte taktika e tyre. Vrasjet kanë pasur dikë që i ka udhëzuar. Unë mendoj se komunistët kanë marrë urdhra nga dikush. Kanë qenë vrasje shumë më të thella se preteksti që s’iu bindën komunizmit. Unë mund t’ju them se në familjen time flitet që edhe vrasja e Ismail Qemalit është e dyshimtë. Mua më çudisin historianët. Çfarë nuk thonë, çfarë s’përpiqen të zbulojnë e të mbulojnë, por asnjëherë nuk kanë hedhur së paku një tezë. Si vdiq Imsail Qemali, dhe unë doja të shtoja kush e vrau Ismail Qemalin. E them këtë sepse mamaja ime që ka ardhur nuse e re në familjen Vlora dhe ka një respekt të madh, edhe pse është shumë e sëmurë, pret një ditë që të shkruhet e vërteta si vdiq Ismail Qemali.
Si quhet nëna juaj?

-Mamaja ime që quhet Esma Vlora. Pret. “Hë kini marrë vesh ndonjë gjë. Çfarë u bë për ne”. Mamaja ime ka vuajtur shumë në komunizëm dhe pret që një ditë të bëhet diçka për të, për ne. Dhe thotë hë keni marrë vesh ndonjë gjë. Çfarë u bë. Hiç, themi ne. Ç’ti themi!

Si vdiq Ismail Qemali. Kush e vrau atë?

Këtë duhet ta zbardhin historianët, vdekja e Iamail Qemalit nuk ka qenë natyrale. Në familjen time dihet kjo. Më bëjnë përshtypje historianët, ata nuk spikasin veçoritë e njërës apo tjetër figurë historike, paralelizojnë gjithçka. Si ka mundësi. Le të thonë, Kjo figurë historike kishte këto të mira, por edhe këto të këqija. Nuk e kam parë të bëhet kjo. Ndonjëherë falsin edhe për Ismail Qemalin që këtë s’e bëri mirë, ose bëri këtë keq. Çfarë kërkojnë historianët të thonë. Pse nuk e nisin nga çështja, si u largua Ismail Qemali nga jeta. Çfarë dimë vene dhe çfarë na ka treguar familja dyshohet se Ismail Qemali nuk ka pasur vdekje natyrale. Por edhe disa analistët ose historianë kanë hedhur dyshime për këtë. Qëndron prej vitesh pezull dyshimi se vdekja e Ismail Qemalit është e dyshimtë. Kush mund ta ketë eliminuar. Pra ai po bënte atë që nuk donit të tjerët, ata që donin ta shisnin Shqipërinë, domethënë, rezultati është që ky njeri i prishte punë dikujt. Në çfarë situate ishte Shqipëria atëherë. Kur një njeri që shpall pavarësinë dyshohet se është eliminuar, atëherë konkluzioni kush është. Pse e vranë kur ai shpalli pavarësinë.

Na ndajnë vetëm dy muaj nga 100-vjetori i pavarësisë. Siç duket për vetë atë që na solli pavarësinë nuk qenka bërë asnjë gjë konkrete?

-Jo jo absolutisht, absolutisht asgjë.

Po ngritja e monumenteve si ju duket?

-Cilat monumente. Shpallën një fitues që nuk i ngjan fare. Pastaj e zëvendësuan me monumentin e Paskalit që është bërë për mjediset e brendshme. Nuk kemi për të kuptuar dot një gjë. 100-vjetori i pavarësie do nisej me bërjen e monumentit të atij që para 100-vjetësh themeloi shtetin shqiptar. A nuk del qartë se bërja e monumentit të Ismail Qemalit nuk ka qenë detyrë primare, se po të ishte ia kishte arritur.

Megjithatë në Vlorë po ngrihet një monument?

-Monumenti në Vlorë. Një katastrofë. Nuk i ngjan fare, siç po duket nuk kam besim se do të realizohet. Nuk e di si e kush i vendos bërjen e këtyre monumenteve. Do të doja të besoja se u bë nga e keqja; duke menduar më mirë një dosido se hiç fare. Mund të ishim të qetë. Por kur mendoj se një monumente ngelet si vepër arti dhe si refleksion i aktit madhështor, ai lë shumë për të dëshiruar. Është një monument butaforik më tepër. Nuk kuptoj asgjë si merren vendimet për monumentet këtu.

Si mendon, pse ndodhi kështu. Nuk u bë dot asgjë e saktë për Ismail Qemalin, monumenti i Pavarësisë në Tiranë rezultoi vepër e kopjuar, boceti për shtatoren e Ismail Qemalit dështoi. I ke ndjekur konkurset e bocetit?

-Po i kam parë dhe jam ndier keq, se jam e lidhur dhe jam e ndjeshme, jo vetëm për figurën e gjyshit, por edhe familjet e miqve që shpallën pavarësinë me të. Me folklorizma historike dhe klane tifozësh për figurat historike vështirë të arrihet në 100-vjetor t’i tregohet popullit se cili ishte Ismail Qemali.

(Intervista u botua sot në gazetën Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë