Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, i mbledhur këtë të martë në Selanik, vendosi që finalja e Superkupës në 2028 të zhvillohet në Astana Arena të Kazakistanit, ndërsa në 2027 në Johan Crujf Arena të Holandës.

Sakaq finalja e Champions League në 2028 do të rikthehet në stadiumin e Bayern Munich, Allianz Arena. 3 vite pas finales Paris SG-Inter ku francezët fituan me rezultatin e thellë 5-0. Në 2029 finalja e Champions League do të zhvillohet në Camp Nou të Barcelonës. Stadium që aktualisht është në ndërtim, por që do të shpërblehet për investimin e bërë.

Finalja e Europa League në 2028 do të zhvillohet në stadiumin kombëtar të Bukureshtit në Rumani, ndërsa në 2029 në stadiumin kombëtar të Serbisë në Beograd. Stadium që është në ndërtim dhe që do ketë një kapacitet prej 60 mijë spektatorësh.