STAMBOLL, 1 dhjetor /ATSH-ANA-MPA/ - Besoj se mund të gjenden zgjidhje, të cilat janë absolutisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe që respektojnë të drejtat e Republikës Qipriote, staturën e saj dhe lejojnë rifillimin e negociatave, deklaroi nënkryetari i qeverisë dhe ministër i Jashtëm i Greqisë, Evangjelos Venizelos, pas takimit me presidentin e Turqisë, Recep Tayyp Erdogan, në Stamboll.
"Është shumë e rëndësishme për Greqinë, për Turqinë, për Republikën Qipriote, për të dy komunitetet në Qipro dhe për gjithë rajonin, që të avancojnë në këtë kuadër, që është shumë i thjeshtë dhe shumë funksional", shtoi Venizelos.
Në përgjigje të një pyetjeje, ministri i Jashtëm grek tha se "u shtruan çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e minoriteteve. Nuk i shtrojmë mbi bazën e reciprocitetit. Çdo shtet ka detyrimin kushtetues dhe detyrimin në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe posaçërisht Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, apo konventa të veçanta, si ajo e Lozanës, që të respektojë të drejtat e minoritetit dhe përgjithësisht të drejtat njerëzore. Ky është qëndrimi ynë, të cilin e kemi shprehur edhe publikisht, edhe në takimet e veçanta", theksoi Venizelos./ a.jor.