Shqipëria mban të pandryshuar vlerësimin sovran nga agjencia ndërkombëtare “Standard & Poor’s”, duke marrë sërish notën “BB” me perspektivë të qëndrueshme, një sinjal që ekonomia po qëndron në këmbë pavarësisht sfidave.
Lajmin e ka bërë të ditur Miinstria e Financave.
Në raportin e publikuar të hënën , agjencia thekson se vendi ka treguar rezistencë ndaj goditjeve të forta të viteve të fundit që nga tërmeti i 2019-ës, te pandemia dhe deri tek kriza energjetike.
Ekonomia shqiptare pritet të vijojë në rritje. Sipas parashikimeve, prodhimi i brendshëm bruto (PBB) do të rritet me rreth 3.7% në vitin 2025 dhe mbi 3% në vitet në vijim. Në këtë ecuri, turizmi mbetet “motori” kryesor, duke sjellë më shumë të ardhura dhe duke ulur gradualisht deficitin e jashtëm.
Nga ana tjetër, financat publike parashikohet të mbeten të kontrolluara. Deficiti buxhetor pritet të jetë rreth 2.4% e PBB-së në 2026, ndërsa në afatmesëm të stabilizohet pranë 2%. Edhe borxhi publik pritet të ulet dhe të qëndrojë rreth nivelit 50% të PBB-së.
Një tjetër pikë e fortë që evidentohet është avancimi drejt Bashkimit Europian. Hapja e të gjithë kapitujve negociues konsiderohet një hap i madh përpara në procesin e integrimit.
Në planin financiar, rezervat valutore kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke arritur në 8.7 miliardë dollarë në janar 2026, të mbështetura nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja.
Edhe sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm, me nivel të ulët të kredive me probleme dhe rritje të aktivitetit kreditues.
Në tërësi, sipas Ministrisë së Financave, konfirmimi i vlerësimit nga S&P shihet si një sinjal pozitiv për investitorët e huaj dhe një tregues se ekonomia shqiptare po ecën në një trajektore të qëndrueshme.
Komente









