Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, është shprehur se Statuti i PD-së nuk parashikon përjashtime për mendim ndryshe, por sipas tij, të largon nga pozita në parti në momentin që humbet zgjedhjet.

Komentet Salianji i bëri në një takim me demokratët në Lezhë, teksa iu kundërpërgjigj deklaratave të kryedemokratit Sali Berisha, i cili tha se ish-deputeti demokrat është vetë-përjashtuar nga partia.

Salianji tha gjithashtu se ka një ndryshim mes tij dhe kupolës drejtuese të PD-së. Ai e cilësoi veten figurë fituese, ndërsa kupolën e PD-së humbëse seriale të zgjedhjeve. Më tej me ironi Salianji pyeti se çfarë i pengonte 5 personat e kupolës drejtuese të PD-së që ta bënin partinë fituese, teksa theksoi se në gjendjen aktuale opozita e ka të pamundur të vijë në pushtet.

“Në Shqipëri demokratët nuk kanë më frikë, nuk kanë çfarë të humbin. Interesi im është që PD të vijë në pushtet, ndërsa këta kanë hall të sulmojnë demokratët që kërkojnë PD të vijë në pushtet. Por pse sulmojnë këtë më shumë demokratët sesa Ramën? A dini gjë ju? Ne po na gjykojnë ata që humbin çdo palë zgjedhje. Ne jemi ndryshe, ne jemi fitues. Ne kemi guximin për të fituar. Askush nuk na largon dot nga PD.

Ne kemi pyetjen e thjeshtë, ‘çfarë ju mungon 5-çja fantastike e lidershipit që ta bëjmë PD fituese?’ Çfarë pengu keni që nuk e lini PD-në që të shpërthejë me energjinë e demokratëve, për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës? Sepse lidershipi është në pushtetin e opozitës. Por në vend që të përdoret pushteti për të shkatërruar PD-në dhe demokratët, duhet përdorur pushteti për të larguar qeverinë e Ramës. Sepse të nderuar miq, kjo puna e përjashtimeve ka vetëm një element. Nuk përjashtohet njeri për mendim ndryshe. PD është demokratizuar edhe me statut. Dhe statuti nuk të largon për mendim ndryshe, por vetëm nëse humbet zgjedhjet. PD ka nevojë për ripërtëritje”, tha mes të tjerash Salianji.


Lajmi kryesor:

Salianji mbush sallën në Lezhë dhe i çon mesazh Berishës: Harroje se krijoj parti tjetër, PD është shtëpia ime dhe do e bëj fituese