Libri i fundit “Pritje në përgjim” ndjek pikërisht paradigmën prozodike të “short story”, pra të shkurtimave, ku subjekti vështirë se dallohet ose dallohet fare pak duke u tretur në nebulozën e përjetimit, të shestimit të një ideje, një mendimi të ngulur dhe anksioz; përthellimit brenda strukturave mentale që shfaqen si biseda me vetveten dhe si përsiatje.
Kjo formë lakmon filozofimin me jetën dhe dukuritë e larme. Ajo anon nga optikat ontologjike të qenies si të tillë. Duket haptazi se Martiko është një ndjekës i prozës së Borhesit, ku përzihet dituria me zhbirimet në psikën e njeriut, herë në çaste meditimi e herë në çaste vrullimesh, ankthesh të brendshme, gjakimesh për t’i dhënë shpjegim gjërave thuajse të “pashpjegueshme”, nën një vel transhedental. Mendimi luan kësodore me ndoca thelbe përtej asaj që duket apo preket, krijohet një farë turbullire mistike-eskatologjike, tejet e vështirë për t’u rrokur qysh me leximin e parë, prandaj dhe kërkojnë vëmendje.
Libri nuk ka një bosht, le ta quajmë, “tematik”. Jo! Ai vrapon në qindra tema, brenda një mikrokozmosi që zgjeron kufijtë nga tregimi në tregim dhe bëhet i pafund, ashtu sikurse lëngatat e njeriut dhe rrekjet e mendjes për të gjetur një shkak a premisë parake të asaj që ndodh tani, pse ndodh, si ndodh, përherë e lidhur me një të shkuar të gëlltitur që diku aty bri teje frymon e të trazon.
Ky vallëzim i mendimit përbën karakterin dhe tipologjinë e prozës së shkruar të autorit në këtë libër. Ndonjëherë mendimet janë kaq të mprehta, sa ngjan sikur kalohet nga letërsia në filozofi. Në fakt është një letërsi me pak traditë ndër ne.
Po marr në shqyrtim disa ekzemplarë, i bindur se nuk janë me domosdo ata më shënjuesit e më të veçantët:
…Kërkimi i dritës si njohje e vetvetes, si dalje nga vdekja për t’i dhënë dritë vetë vdekjes, një vijë e bardhë në një pejzazh piktorik apo shkrepja e agut si aureolë në majëmali, e ç’rëndësi ka?! Drita pra është brenda teje, merre! Drita ëshët një vuajtje. Por dhe një çlirim. Në përpjekje për ta shquar dritën si jetë, si fillesë kozmike, si filozofi, ti ke mbërritur tek burimi i saj, pra tek njohja e vetvetes në çastin e territ që të rrethon, ashtu si Borhesi i qorruar e ngujoi dritën brenda trupit të vet si luzmë e fuqishme, ndoshta primordiale, ku nga asgjëja niste dhe dilte shumëgjëja (Në varësi të dritës).
Nga hetimi i një triptiku të lëvizjes në figurën e një atleti kundrohet vetë lëvizja si thelb dhe mënyrë e ekzistencës, lëvizja si vijim dhe ndryshim, duke shtegtuar nga ajo e trupit tek ajo e mendimit, çka të kujton konceptin filozofik të Heraklitit se lumi, në çastin e kundrimit tënd, nuk është po ai lumë, sepse rrjedha sakaq e ka ndryshuar me tërësej atë (Portreti i djaloshit).
Realja dhe iluzioni, apo shëmbëllimi, është një dukuri e kudogjendshme, sa fizike aq dhe psikike. Duke i pranëvënë, eseisti hedh mes rreshtave arsyen për të kuptuar, ndër të tjera, lojën e artit ose vdekjen e tij, kur këto raporte në vend që të kuptohen dhe të çlirohen nga ngurtësia, prishen dhe krijojnë kundërshti zhbërëse. Lëvizja e mendjes dialektike midis rrjedhës së pandalur të kohës nga e shkuara drejt të ardhmes që krijon “historinë”, nga njëra anë dhe çastit të vetmuar ku konvergojnë kahet e vetë kohës dhe së toku shfaqin një thelb, nga ana tjetër, kjo e gjitha kundrohet në fuqinë e dyshimit si instrument logjik i njohjes dhe zotërimit të së vërtetës (Dyshimi është e vërteta). Shkrimtari e sjell vetveten në mijëra përthyerje, sa gjendjesh aq dhe përsiatjesh, ku vetvetja mbetet përherë strumbullari i çdo “subjekti”. Por, megjithatë, dy janë kahet e përhershme ku ai vendoset: a) kosmopolitizmi duke e kundruar veten pjesë të dhimbjes dhe të shqetësimit të njeriut si qenie universale e “gjakut të botës” dhe b) malli, dëshpërimi dhe humbja e atdheut, qoftë si tokë ku mbi një parmendë ai dëshiron të përlind poezinë e tij, qoftë si kujtesë tragjike teksa harresa e një kohe që po vjen do ta gëlltisë atë me tërësej (p.sh. Shpirtin dot nuk e shes).
Autori ka një këqyrje të asaj që ndodh jashtë, por nga përbrenda vetes, pra asaj që heshturazi apo në kundërshti të hapura kërkohet diku thellë teje, identifikohet, lihet të piqet (në se është e mundur), për të gjetur një ekuilibër e strukturë të re mendore. Syri dyshues e shoqëron shkrimtarin edhe në furitë e ngjarjeve të mëdha të shembjes së diktaturës dhe diktatorit, me pyetjen ekzistenciale, përtej turmave të frikshme dhe guximit të heronjëve, se vallë plagët e marra a do të gjenin shërim te vetë njeriu si qenie, si qelizë, në mikrokozmosin tonë, aty ku fillon “njëshi”, “uni”, i sinqertë përballë vetes, aty ku përjetimet marrin formën e një ure zjarri për të djegur po vetveten.
Nga shqetësimet e shumë eseve a shkurtimave te ky libër ngre krye dialektika e njohjes, ajo që ishte dhe ajo që vjen, raporti i ndërlikuar me kohën dhe brezat e shuar, plori i historisë që gërmon po të njëjtën tokë, e mbytur krejt në gjak, vdekje e eshtra, pa një bulkth që të këndojë teksa dheu hapet në hullinë e re të kombit.
Rëndom idetë dhe mendimi ndërtohen në formë antitezash, kurndërshtish të njëpasnjëshme, ndoshta nga që njohja e vetvetes, si proces është diç e pamundur, diç agnostike, që ndryshon trajtë, sepse ndryshojnë pikat e shikimit, ndryshon kujtesa e sulmuar nga harresa, vetë elementet dhe pjesët që zhvendosen në perandorinë e së tërës, pra të personalitetit, dhe tundimi për t’i dhënë vetës një emër, apo historisë së një jete një subjekt koherent, merr trajtën e një përbindëshi që gëlltit vetveten. Sikundër shihet pra dhe nga kjo parashtresë, shkrimtari luan dhe vuan me nxjerrjen në spikamë të turbullirave shpirtërore e mendore, prej një subjekti krijues që duket herë-herë si i topitur nga pamundësia e shpjegimit të gjësendeve.
Në pak faqe S. Martiko, përmes ravijëzimeve të mprehta e tejet lakonike të shtatë poetëve bashkëkohës botërorë si Sepo, Maho, Brodskij, Pinski, Simiç, Lucid dhe Zagajevski, të cilët kanë një ndikim të madh në ecejaket e kësaj poezie, autori realizon ndërkohë dhe një këqyrje e analizë, sado të shkurtër në vëllim, por të begatë në vlerësimet e dhëna me kujdes dhe një lakonizëm shembullor për gjetjen e udhëve të reja të shprehjes poetike. Në të tjera shkrime ai i rikthehet poezisë, të dashurës së tij të përmallshme; sheh aty shpejtësi të ndryshme, pëlqime që shkojnë te plaku i moçëm Omer Khajami dhe akrobacitë logjike, përzier me neveri e metafora të ashpra të Bodlerit e Rembosë, kërkon ndihmë nga Kavafis, i përfalet Apdajkut; kërkohet një dalje nga labirinti ku gjendet marrëdhënia poezi-lexues.
Largimi i poezisë apo largimi i lexuesit, - ja dilemma, jo vetëm e Martikos, por e çdokujt që shkruan poezi dhe nuk e braktis atë as në ditët më të këqija (Kohë për leximin e poezisë). Herë-herë mendimi i Stefanit, anipse jo mirëfilli brenda terminologjisë rigoroze të filozofisë dhe estetikës, arrin të gjejë qasje, pranëvënie dhe dallime të holla dhe të mprehta midis letërsisë dhe filozofisë, letërsisë dhe historisë, duke e çmuar atë, letërsinë, jo si ngarendje drejt vdekjes, por si zogun që rikthehet te dega, qoftë dhe në shkretëtirë, dhe që cicërin. Letërsia madje është një hap para filozofisë, sepse nuk e sheh jetën si proces dhe tërësi dukurish, as si fillim të një fundi, por e këqyr në imtësitë e saj, në pjesën e papërsëritshme, në vijimësinë e lidhjeve e raporteve të imta si një spektrale drite, duke i bishtnuar me zgjuarsi deduksioneve dhe tërësisë.
Jo pak “shkurtima” te ky liber më ngjajnë si prozë poetike. Kam parasysh këtu edhe tipologjinë e poezisë së Stefan Martikos dhe teksa rrekem t’i përngjasoj të dyja mënyrat e të shkruarit, nuk e kam aspak të vështirë të vë re po të njëjtin stil, po të njëjtën sintaksë; kanë ritëm brenda tyre, kanë një shumësi metaforash që vijnë zinxhir, prodhim i një mendjeje më shumë poetike se sa prej prozatori. Diku-diku duhet mbledhur paksa dora, po ashtu shfrimi poetik, për t’i dhënë më shumë skeleturë frazës dhe vetë rrëfimit, qoftë ajo dhe një strukturë eseistike. Edhe kthjelltësia të jetë më prezente për lexuesin, për ta bërë kuptimësinë më të rrokshme, me qëllim që t’i jepet atij një fill më i qartë ku të mbështetet, dhe mos ta humbas rrjedhën e rrëfimit, ashtu si edhe rrjedhën asociative të mendimeve...
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com