TIRANË- Në kohën kur debati publik është ndezur, Gjykata e Posaçme vendosi të pranojë për herë të parë që një i pandehur të qëndrojë jashtë kafazit të qelqtë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore. Kryesuesja Rudina Palloi dhe dyshja e gjyqtarëve Irena Gjoka dhe Erion Çela, vendosën që ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, seancën e ardhshme të qëndrojë jashtë kafazit të të pandehurit, ulur në krah të avokatit të tij.
Gjykata vlerësoi disa shkaqe. Të qenit vetëm një i pandehur, sjelljen e të pandehurit, si dhe faktin që në këtë procesin e “sterilizimit”, Ilir Beqaj po gjykohet pa masë “arresti në burg”. Gjykata tha se do njoftohet drejtoria e burgjeve që të zbatojë urdhrin.
Edhe prokurori Edvin Kondilli, vlerësoi se masa e arrestit në burg është për tjetër çështje penale, atë të abuzimit me fondet e BE-së. Gjatë seancës, ish-ministri i vuri në dispozicion gjykatës, edhe një qëndrim të Komitetit të Helsinkit për të paraburgosurit në kafaz.
"I pandehuri Ilir Beqaj hetohen nën efektin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Paraqitja e të pandehurit në kushtet e izolimit vjen për shkak të një mase tjetër, që është në funksion të një çështje tjetër penale. Në këtë kontekst, ne nuk kemi asnjë kundërshtim nëse ai do paraqitej në gjendje jo izolimi. Ndoshta do ishte e nevojshme një vendim i caktimit të masës “arrest në burg” ndaj Ilir Beqaj", tha Prokurori Edvin Kondil.
Para se të çelej seanca, Report Tv sjell edhe këto pamje të ish-ministrit teksa në kushte të vështira, përpiqet të komunikojë me avokatin e tij, nga kafazi i të pandehurit.
Seanca u shty për në datën 21 maj, në orën 09:00, në mënyrë që Ilir Beqaj të jetë i pranishëm pranë avokatit të tij, i cili pritet të paraqesë edhe kërkesën për pushimin e çështjes. Ilir Beqaj është i vetëm në proces, megjithatë, në kurriz mban edhe akuzën e grupit të strukturuar kriminal. 8 të pandehurit e tjerë, përfshirë ish-zv/ministrin Klodian Rjepaj dhe biznesmenin që fitoi koncensionin, Ilir Rrapaj, janë dënuar në proces me vete me gjykim të shkurtuar. Të dyve i është rrëzuar nga gjykata akuza e grupit të strukturuar kriminal.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











