Situata e dosjeve stok në gjykatat në vend, sa vjen dhe bëhet më alarmante. I njëjti problem u ngrit dhe nga ambasadori i BE-së Silvio Gonzato në konferencën “Cilësia e Drejtësisë në Shqipëri”, teksa tha se është nevojë emergjente plotësimi i vakancave me prokurorë, gjyqtarë e asistentë ligjorë.
Për të diskutuar lidhur me këtë çështje, i ftuar në emisionin “Sot, Live në Shqipëri” ishte ish-prokurori i Përgjithshëm Eugen Beci, i cili se ambasadorët evropianë dhe jo vetëm duhet të thellohen për të kuptuar shkakun e arritjes së gjykatave në Shqipëri në prag kolapsi.
Ish-prokurori tha se zgjidhje për të plotësuar vakancat, përveç rekrutimeve të magjistratëve të rinj, është dhe bërja e disa rregullimeve ligjore duke lejuar një kategori të caktuar avokatësh, të bëhen gjyqtarë.
“Sot në vitin 2026 numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk i përgjigjet volumit të madh të çështjeve. Dhe t’i dyfishosh këto 417 gjyqtarë, prap do të jetë problem. Zgjidhja gjendjet nëpërmjet rekrutimit të magjistratëve të rinj dhe rregullimeve ligjore që mund të lejojnë një kategori të caktuar juristësh të bëhen magjistratë. Me këto ritme të arsimimit të magjistratëve të rinj, do të duhen minimalisht 7-8 vite për të mbushur vakancat e krijuara nga vetting. Sipas legjislacionit KLGJ është de detyruar t’i thotë qeverisë që numri i përgjithshëm i gjyqtarëve nga 417 të shkojë 600-700, nuk e kanë bërë këtë gjë”, tha Beci.
Një tjetër problematikë që Eugen Beci veçon, është përmbajtja e disa akteve penale të përfshira në drejtësinë penale, çështje këto që mund të zgjidhen fare lehtë në rrugë administrative. Këto vepra të konsideruara penale, ai armë gjahu pa leje, falsifikime dokumentesh, drejtimi i makinës në gjendje të dehur, vetëm shtojnë stokun.
“Drejtësia Penale në vend ka disa vepra penale të cilat janë absurde. Nuk mund të ngarkosh ti policinë gjyqësore, prokurorinë dhe gjykatën për vepra penale që mund të zgjidhen shumë më shpejt administrativisht”, tha ish-prokurori.
Beci komentoi dhe draftin për Kodin e ri Penal, të cilin e cilësoi si një katastrofë që do të shtojë më tepër kolapsin.
“Kodi i Ri Penal është katastrofë. Do e shtojë më shumë kolapsin sepse ka shtuar vepra penalë që nuk kanë lidhje me penalen por me elementë proceduralë civilë e administrativë”, tha Beci.
Ish-prokurori i Përgjithshëm foli gjithashtu dhe për arratisjen e djeshme të paraburgosurit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit. Eugen Beci u shpreh se i gjithë zinxhiri komandues i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ka ceduar. Për këtë arsye duhet të rishikohen të gjitha protokollet që kanë lidhje me sistemin e burgjeve në Shqipëri, tha Beci.
Komente











