Gjykata e Strasburgut ka pushuar dosjen e 21 janarit, të hapur prej familjarëve të viktimave që në vitin 2013.
 
Pushimi i çështjes ka ardhur pas tërheqjes së familjarëve të cilët pranuan kushtet e dëmshpërblimit të propozuara nga qeveria shqiptare.
 
Në dhjetor të vitit 2016, Qeveria Shqiptare i dërgoi një letër Gjykatës së Strasburgut, ku i bënte me dije se ishte e gatshme të rihapte çështjen e 21 janarit, si dhe të negocionte me familjarët e viktimave masën përkatëse të dëmshpërblimit.
 
Qeveria propozoi një dëmshpërblim prej 93,600 eurosh për familjarët e Ziver Veizit: përkatësisht, 39 mijë për bashkëshorten, 39 mijë për të birin, dhe 15,600 euro për të vëllain e viktimës Çaush Veizi.
 
Për Zabit Dedën, vëllain e Hekuran Dedës një prej viktimave të 21 janarit qeveria ka propozuar një dëmshpërblim prej 15,600 eurosh. Në total, katër të afërmit janë dëmshpërblyer me 109 mijë euro, shifër edhe e pranuar prej tyre.
 
Në vendimin përfundimtar, Gjykata e Strasburgut, e konsideron çështjen si një marrëveshje mirëkuptimin mes palëve, shkak për të cilin nuk ka nevojë për një ekzaminim të mëtejshëm të padisë së të afërmve të 21 janarit.
 
“Gjykata vlerëson se duke parë dakordësinë e paditësve me deklaratën e bërë nga qeveria, çështja duhet konsideruar si një marrëveshje me mirëkuptim mes palëve”, thekson vendimi përfundimtar i Strasburgut.
 
Do rihapet hetimi për 4 vrasjet në 21 Janar
Gjykata Evropiane pranon rihapjen e çështjes së 21 janarit për të siguruar drejtësi për viktimat
 
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka pranuar zgjidhjen me pajtim për çështjen Veizi dhe Deda kundër Shqipërisë.
 
Ankesa e paraqitur nga qendra Res Publica me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë kishte të bënte me dështimin e autoriteteve shqiptare për të kryer një hetim efektiv për ngjarjen që çoi në vdekjen e katër protestuesve më 21 janar 2011.
 
Në vendimin e saj, Gjykata Evropiane mori parasysh pajtimin e arritur mes ankuesve dhe qeverisë shqiptare, ku kjo e fundit shprehu keqardhjen për vdekjen e familjarëve të dy ankuesve dhe pranoi se ishin shkelur të drejtat e tyre sipas Konventës.
 
Me rëndësi është fakti që qeveria shqiptare ra dakord që, përveç kompensimit që duhet t'u paguhet ankuesve, duhet të rihapet hetimi mbi ngjarjet që çuan në vdekjet tragjike.
 
Andi Dobrushi, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, u shpreh se: "Qëndrimi i sotëm i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut na sjell një hap më pranë të bërit drejtësi për një prej ngjarjeve më të rënda të tranzicionit demokratik në vend.
 
Tashmë i takon Prokurorisë dhe gjykatave të kryejnë një hetim të plotë të ngjarjes, jo vetëm për të ndihmuar në zbutjen e dhimbjes së familjeve të viktimave, por edhe për të garantuar të drejtën e jetës dhe të protestës civile
."
 
Dorjan Matlia që është avokat i familjarëve të demonstruesve të vrarë Ziver Veizi dhe Hekuran Deda tha se do t’i drejtohet autoriteteve për të zgjeruar hetimet për “21 Janarin”.
 
"Në emër të ankuesve, e vlerësojmë gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të pranuar një zgjidhje me pajtim të kësaj çështjeje përpara Gjykatës Evropiane.
 
Kjo zgjidhje, e pranuar nga Gjykata Evropiane si në përputhje me Konventën, duhet të pranohet tashmë edhe nga organet tona të drejtësisë, në mënyrë që të rikthehet besimi i publikut te drejtësia. Ky është një test i fortë
".

dy.b/shqiptarja.com