Tirane- Vendimi i gjykatës së Strasburgut për padinë e familjes së Aleks Nikës, zbardhi të vërtetën e ngjarjeve të 21 janarit, e cila duhet të merret në dorë dhe të zbardhet nga drejtësia.
Avokati i familjes së Aleks Nikës, Idajet Beqiri, thotë se dosja duhet të hetohet nga SPAK ku duhet të thirret ish-kryeministri Sali Berisha.
"Strasburgu zbardhi të vërtetën, që duhet ta marrë në dorë drejtësia dhe ta zbardhë. Berisha urdhëroi vrasjet, duhet të thirret në SPAK" thotë Beqiri.
Burime të prokurorisë, të pyetura nga Report TV në lidhje me dosjen “21 janari” thanë se aktualisht dosja për vrasjen e Aleks Nikës, është e hapur në prokurorinë e Tiranës e cila është në pritje të përgjigjes së letërporosive nga Italia për ekspertimin e plumbit të gjetur në trupin e viktimës.
Burimet thanë se nuk është një, po disa ekspertiza përgjigjet e të cilave mund të përcaktojnë autorin e ngjarjes, pasi ekspertimi i parë, konkludoi se plumbi ishte i dëmtuar në atë masë, sa nuk mund të ekspertohej.
Gjykata e Strasburgut, e cila u vu në lëvizje nga gruaja dhe dy vajzat e Aleks Nikës, të cilat kërkuan drejtësi dhe jo dëmshpërblim financiar, e cilësoi krimin si vrasje shtetërore.
"Disa pista kyçe hetimi, si shenjat e plumbave të gjetura në lartësinë e njeriut në gardhin e hekurt që rrethon Kryeministrinë, nuk ishin shteruar. Gjykata gjeti se autoritetet nuk kishin kryer në kohë ekspertizën mbi trupin e viktimës dhe kërkueset u ankuan se u ishte mohuar aksesi gjatë hetimit, pretendim që Qeveria nuk mundi ta rrëzojë me prova. Gjykata gjeti se hetimi i çështjes nuk kishte qenë efektiv pasi nuk kishte arritur të përcaktonte të vërtetën apo të çonte në identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës, çfarë përbën shkelje të nenit 2" thuhet në vendim.
Fakti tjetër i evidentuar nga Strasburgu, është se Aleks Nika u vra në një kohë kur nuk përbënte asnjë kërcënim për godinën e kryeministrisë.
"I afërmi i kërkueseve nuk përbënte ndonjë kërcënim për Gardën e Republikës dhe Gjykata nuk mund të pranojë argumentin se mbrojtja e një ndërtese në vetvete përbënte bazë legjitime për përdorimin e forcës vdekjeprurëse" vijon vendimi.
Një provë që mund ta zbardhte vrasjen e Aleks Nikës në kushtet kur plumbi që u gjet në kokën e tij është dëmtuar, janë pamjet e kamerave të kryeministrisë, të cilat sipas gjykatës së Strasburgut u fshinë.
Prokuroria e Tiranës akuzoi asokohe për këtë fakt, ish shefin e IT në kryeministri, pasi ekspertimi gjeti ndërhyrje në serverin e kamerave menjëherë pas ngjarjeve të datës 21.01.2011 (në orën 19:24), duke kopjuar të gjitha regjistrimet e kamerave të sigurisë të cilat nuk i janë vënë në dispozicion organit të Prokurorisë, përkundrazi, është informuar ky organ se nuk kishte regjistrime, pasi sistemi i kamerave nuk punonte që prej fundit të vitit 2009.
Sipas aktit të ekspertimit të kryer nga autoritetet amerikane më datë 21 janar 2011 në gjendje pune kanë qenë gjithsej 11 kamera të vendosura për të kryer regjistrime dhe sistemi ka qenë në gjendje pune. Por pas kopjimit të të dhënave, pajisjes i është bërë formatim në orën 00:51:52 të datës 22.01.2011, duke fshirë të gjitha regjistrimet që ndodheshin në pajisje”.