Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama dhe ministri për Rininë dhe Mirëqënien Sociale, Erjon Veliaj sot gjatë prezantimit të strategjisë së re të punësimit sot në Vorë, ku ishte i ftuar edhe ambasadori Etore Sequi. Fokusi kryesor i ringritjes së këtij sektori do të jetë në veçanti te zonat rurale.
Kryeministri i vendit në fjalën e tij gjatë prezantimit të Strategjisë për punësimin u shpreh se qeveria do përkushtohet në rritjen e cilësisë së shkollimit.
“Shifrat thonë se 31 % e të rinjve nuk janë as në punë as në shkollë. Ata që janë në shkollë janë të kanalizuar në një numër shumë të vogël degësh. Ndërsa ata që janë të punësuar janë posedues masterash që nuk kanë dhe aq shumë vlerë.
Vendet e tjera nuk janë të pasura sepse kanë por janë të pasura sepse dinë. Kush di më shumë ka më shumë, kush di më pak ka më pak. Diferencën e bën dija dhe diversifikimi. Prandaj ne do të fokusohemi me mish me me shpirt te rritja e cilësisë së këtij kapitali”-u shpreh Kryeministri.
Sipas kryeministrit vendi nuk ka vuajtur ndonjëherë për legjislatura por për vënien në praktikë të tyre.
“Besoj se nuk them asgjë të re nëse e nis me një bindje të vjetër. Shqipëria nuk ka vuajtur për strategji por për jetësimin e tyre. Problemi ynë nuk ka qenë mungesa e legjislacionit apo përshtatja e saj me BE-në por mënyrat e zbatimit te tyre.
Prandaj ne e kemi të qartë se duhet më shumë punë dhe më pak strategji.”-gjykoi Rama
Ministri Veliaj u ndal te gjendja e arsimit profesionale duke e vlerësuar si të patolerueshme , ndërsa në objektiv kryesor vuri rritjen e cilësisë së arsimit profesionale në gjithë vendin , vecanërisht në zonat rurale të vendit.
"Shpërndarja e shkollave profesionale është identike në 23 vjet. Vetëm emrin e kanë ashtu sepse de fakto jane kthyer në gjimnaze. Vetëm 16 % jane vajza në shkollat profesionale"
Sipas Veliajt, problematika e punësimit dhe arsimit është se “sipërmarrësi nuk i gjen studentët dhe punonjësit e kualifikuar, por është i detyruar t'i kualifikojë vetë”
VELIAJ:TRANSFORMIMI I SHËRBIMEVE DHE PROGRAMEVE TË PUNËSIMIT
Ministri u shpreh se ka disa shtylla kryesore të këtij dokumenti strategjik.
-Përmirësimi i zyrave të shërbimit kombëtar dhe zyrave te punës.
-Zyrat e punës të jenë hapësira qendrore sa më pranë punës dhe bizneseve.
-Zyrtaret e zyrave të punësimit do të vlerësohen në bazë të punës që kanë gjetur për njerëzit që kërkojnë punë.
Veliaj tha se duhet të përfshijmë grupet në nevojë në strategjinë e punësimit "Sidomos në zonat rurale ka probleme. Gabimisht është ideja se fshatrat kanë të vetëpunësuar.Duhet të përputhim licensimin me profesionin."
Redaksia Online
(ak/Shqiptarja.com)