Në gazetën prestigjioze franceze “Le Monde” është publikuar një shkrim i gjatë, në formë analize, i titulluar “Strategjia e tensioneve të Albin Kurtit”. Akuza kryesore në këtë shkrim është se Kurti nuk po dëgjon aleatët perëndimorë dhe se bart përgjegjësi të madhe për tensionet e krijuara.

Ky artikull është shkruar nga korrespondenti i kësaj gazete në Vjenë të Austrisë, Jean-Baptiste Chastand dhe citon gjithashtu edhe të tjerë.

“Gati dy milionë kosovarë e dinë se janë shumë të lidhur ndaj rolit vendimtar të NATO-s në luftën e tyre kundër Serbisë më 1999 për t’i lejuar vetes që të distancohen nga aleatët e tyre perëndimorë,” – nis shkrimi në Le Monde. Sipas kësaj gazete është Kurti që megjithatë i lejon vetes një distancim të tillë.

Në artikull kritikohet edhe pala serbe, por nënvizohet se “burimi i tensioneve aktuale fillimisht duhet kërkuar në Prishtinë.”

“Pala serbe nuk mbetet pa u qortuar me këtë retorikë luftarake, por megjithatë burimi i tensioneve aktuale fillimisht duhet kërkuar në Prishtinë. Që nga fillimi i vitit 2022, kryeministri aktual kosovar, nacionalisti i majtë shqiptar Albin Kurti, ka intensifikuar veprimet në Mitrovicën e Veriut, edhe nëse kjo nënkupton thyerjen e status quo-së së deritanishme të favorizuar nga evropianët dhe amerikanët. “Problemi në veri ishte si një konflikt i ngrirë, por ai vendosi të veprojë atje për të forcuar integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës,” vëren Engjellushe Morina, nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, një institut pan-evropiane. Ish lideri studentor shqiptar i viteve të ’90-a, Kurti tashmë 47 vjeçar, është i njohur për ngurtësinë e tij legjendare.” – thuhet mes tjerash në këtë shkrim, që duket sikur përqesh kryeministrin në këtë drejtim.

Akuza kryesore në këtë shkrim është se Kurti nuk po dëgjon aleatët perëndimorë dhe se bart përgjegjësi të madhe për tensionet e krijuara.

Në fakt, tensionet aktuale pasi u shty data e zgjedhjeve (18 dhjetori) tashmë janë parë si përgjegjësi e Serbisë nga shumë diplomatë të ndryshëm ndërkombëtarë.