Shqipëria është një vend me aktivitet të lartë sizmik dhe pikërisht për këtë arsye, mbrojtja nga tërmetet zë një vend qendror në veprën madhore të profesor akademik Eduard Sulstarovës, e promovuar këtë të enjte në Akademinë e Shkencave.
“Profesor Sulsarova ka dhënë sugjerime konkrete për reduktimin e dëmeve sizmike, duke analizuar rrezikun sizmik në Shqipëri, zonat sizmogjene dhe tërmetet maksimale që mund të ndodhin në këto zona.”, thotë për “Report TV” sizmiologu Rrapo Ormeni.
Tërmetet nuk mund të ndalen, por dëmet e tyre mund të minimizohen. Analizat shkencore shërbejnë si bazë për marrjen e masave antisizmike dhe për përshtatjen e standardeve të ndërtimit sipas rrezikut të çdo zone.
“Në Shqipëri kemi ndërtime të realizuara sipas kritereve teknike dhe ndërtime më të dobëta. Ndërtesat e ndërtuara sipas standardeve antisizmike i përballojnë tërmetet deri në 8 ballë, ndërsa ndërtimet e reja, sipas normave aktuale, deri në 9 ballë. Për ndërtesat e vjetra rekomandohet përforcimi strukturor.”, vijon Ormeni.
Një rëndësi e veçantë i jepet mikrozonimit sizmik të qyteteve kryesore të vendit, si Tirana, Durrësi, Korça, Vlora dhe Pogradeci. Libri evidenton zonat problematike, ku ndërtimet duhet të jenë të kufizuara ose të realizohen vetëm me masa të forta antisizmike.
“Rasti i Durrësit, veçanërisht ndërtimet në zonën e kënetës, tregoi pasojat e mosrespektimit të studimeve sizmike. Informaliteti dhe ndërtimet pa leje sollën dëme të mëdha gjatë tërmetit të 26 nëntorit.”. thotë sizmiologu.
Në këta libra jepen gjithashtu udhëzime të qarta për qytetarët se si duhet të reagojnë para, gjatë dhe pas tërmetit, duke e kthyer sizmologjinë jo vetëm në një shkencë studimore, por edhe në një mjet mbrojtjeje për jetën njerëzore.
Komente









