Shqipëria synon që deri në vitin 2030 të shndërrohet në një qendër të rëndësishme kulturore në Ballkanin Perëndimor dhe një aktore aktive në hapësirën kulturore evropiane.
Ky është vizioni i Strategjisë Kombëtare për Kulturën 2026–2030, sipas projektit të hedhur për konsultim publik nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Dokumenti e vendos kulturën në zemër të zhvillimit kombëtar, jo vetëm si trashëgimi historike, por si motor të ekonomisë, turizmit, inovacionit dhe diplomacisë kulturore. Strategjia parashikon reforma ligjore, modernizim të institucioneve kulturore dhe rritje të financimeve për artin dhe trashëgiminë.
Konsultimet publike për strategjinë kanë nisur më 25 maj dhe do të zgjasin deri më 22 qershor 2026, përmes portalit elektronik të konsultimeve publike (www.konsultimipublik.gov.al), ku institucionet, artistët dhe qytetarët mund të japin propozimet e tyre online.
Strategjia mbështetet edhe mbi rezultatet e viteve të fundit në sektorin kulturor. Sipas të dhënave zyrtare, janë realizuar rreth 650 ndërhyrje restauruese në kala, qendra historike dhe monumente kulture në qytete si Gjirokastra, Berati, Korça, Shkodra dhe Tirana.
Numri i siteve kulturore të vizitueshme është zgjeruar nga 16 në 27, ndërsa vizitorët kanë arritur mbi 1.5 milionë gjatë vitit 2025. Shqipëria ka regjistruar gjithashtu në UNESCO elementë të rëndësishëm të trashëgimisë jomateriale si Xhubleta, Lahuta dhe K’cimi i Tropojës.
Për periudhën 2026–2030, strategjia parashikon krijimin e Statusit të Artistit, digjitalizimin e muzeve dhe arkivave, si dhe zhvillimin e industrive krijuese si filmi, animacioni, videolojërat dhe muzika digjitale.
Sipas kësaj strategjie synohet që kultura të ketë financim të qëndrueshëm dhe artistët të kenë më shumë mbështetje sociale e profesionale. Një tjetër objektiv është rritja e financimit për kulturën të paktën deri në 0.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2030, përmes fondeve shtetërore, programeve të Bashkimit Evropian dhe partneriteteve private.
Qeveria synon që përmes kësaj strategjie, kultura të kthehet në një shtyllë të zhvillimit ekonomik dhe social të Shqipërisë moderne.
Muze të rinj dhe modernizim i sistemit muzeor
Një nga shtyllat kryesore të strategjisë është modernizimi i sistemit muzeor shqiptar, i cili aktualisht përballet me mungesë kapacitetesh, standarde të pabarabarta dhe infrastrukturë të fragmentuar.
Strategjia parashikon reformim të qeverisjes muzeore; standarde të reja menaxhimi; zhvillim profesional për stafet; rritje të funksioneve edukative dhe kërkimore të muzeve; digjitalizim të koleksioneve dhe shërbimeve për publikun.
Në pesë vitet e ardhshme do të zhvillohen edhe muze të rinj me profil ndërkombëtar, mes tyre: Muzeu Hebraik i Vlorës; Muzeu i Artit dhe Trashëgimisë Islame.
Paralelisht, do të krijohet edhe “Karta Universale Vjetore e Hyrjes në Muze”, një program kombëtar që do t’u japë qytetarëve akses më të gjerë në muzetë publikë dhe privatë pjesëmarrës.
Një nga projektet më ambicioze është platforma kombëtare DIGIT.AL.HERITAGE, e cila do të krijojë një sistem unik digjital për inventarët kombëtarë të trashëgimisë; hartat GIS; dokumentimin dhe monitorimin; aksesin publik online. Kjo platformë do të lidhë muzetë, arkivat, bibliotekat dhe institucionet e trashëgimisë në një rrjet të përbashkët kombëtar.
Në të njëjtën kohë do të krijohet edhe Akademia Digjitale GLAM, që synon trajnimin e specialistëve të muzeve, bibliotekave, arkivave dhe galerive në teknologjitë moderne të konservimit dhe menaxhimit digjital.
Ringjallja e kullave tradicionale në veri
Një tjetër program i rëndësishëm është ringjallja e kullave tradicionale në 14 bashki të veriut të Shqipërisë.
Programi do të përfshijë: dokumentimin arkitektonik; restaurimin; ripërdorimin adaptiv të kullave si: bujtina, muze, qendra kulturore, hapësira artizanale. Qëllimi është ruajtja e trashëgimisë dhe nxitja e turizmit kulturor e ekonomive lokale.
Statusi i artistit dhe reforma ligjore
Strategjia parashikon krijimin e një kuadri të ri ligjor për njohjen dhe mbrojtjen e statusit të artistëve dhe profesionistëve të kulturës në Shqipëri. Reforma synon: sigurime shoqërore për artistët; kushte më të mira pune; akses më të drejtë në financim; mbrojtje të lirisë artistike sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe UNESCO-s.
Gjithashtu do të reformohet sistemi i granteve përmes krijimit të një Fondi Kulturor Shumëvjeçar dhe aktivizimit të Këshilli i Artit si organ i pavarur për menaxhimin e fondeve dhe mbështetjes së sektorit kulturor.
Strategjia synon zhvillimin e industrive krijuese si: filmi; animacioni; videolojëra, muzika digjitale; dizajni; artizanati bashkëkohor.Për këtë parashikohen: stimuj fiskalë për investime kulturore; partneritete publike-private; kredi me interesa të ulëta; rrjete të “engjëjve të biznesit kulturor”; fonde për festivale dhe panaire ndërkombëtare.
Programi “Art dhe Zeje – Designed in Albania” do të mbështesë markimin dhe eksportin e produkteve artizanale shqiptare.
Ndërkohë “CulturAlb” do të krijojë një platformë kombëtare për promovimin digjital të kulturës shqiptare në nivel ndërkombëtar.
Zbatimi i strategjisë në dy faza
Gjatë dy viteve të para, strategjia kërkon një rritje të shpenzimeve totale vjetore nga 4 miliardë lekë në afërsisht 7 miliardë lekë, që korrespondon me një nxitje buxhetore që synon fillimin e programeve kryesore, masave për ndërtimin e kapaciteteve dhe investimeve në infrastrukturë.
Nga viti 2028 e tutje, buxheti vjetor pritet të stabilizohet në një nivel të qëndrueshëm, me një kontribut të balancuar midis financimit shtetëror, bashkëfinancimit ndërkombëtar dhe pjesëmarrjes së sektorit privat.
Ky kuadër financiar afatmesëm parashikon një investim mesatar vjetor prej rreth 10 miliardë lekësh, ku afërsisht 70% sigurohet nga Buxheti i Shtetit (duke kombinuar racionalizimin e alokimeve ekzistuese me fonde të reja të synuara), ndërsa 30% e mbetur mobilizohet nga programet e BE-së, partnerët ndërkombëtarë, investimet private dhe kontributet e diasporës.
Sot, Shqipëria alokon rreth 0.3–0.5% të PBB-së për kulturën dhe rekreacionin, ndër nivelet më të ulëta në Evropë dhe më pak se gjysma e mesatares së BE-së prej afërsisht 1.2% të PBB-së. Përmes kësaj Strategjie, Shqipëria angazhohet ta dyfishojë këtë përqindje gjatë pesë viteve të ardhshme, duke synuar të arrijë të paktën 0.8% të PBB-së, në përputhje me shtete të krahasueshme të BE-së si Rumania, Bullgaria dhe Italia, dhe në afatgjatë drejt nivelit 1–1.2%.
Komente






