TIRANE - Ndryshimet në strukturën e Policisë së Shtetit kanë bërë që 16 efektivë të repartit special RESI të dalin në lirim ose në dispozicion. Lajmi është bërë i ditur nga burime të uniformave blu, sipas të cilave, gjatë reformimit të drejtorive dhe sektorëve nuk është gjetur një vend i përshtatshëm. Urdhëri i lirimit është firmosur nga drejtori, Artan Didi. “Shqiptarja.com” botoi disa ditë më parë strukturën e re të Policisë së Shtetit, ku parashikohej edhe suprimimi i këtij reparti special, që ka zëvendësuar ish-repartin e quajtur “Brisku”, i shkrirë me strukturën e miratuar në vitin 2010.
 
LARGIMET E OFICERËVE
Komisariati special “RESI” ka funksionuar si strukturë në Policinë e Shtetit, si pjesë e Departamentit të Sigurisë Publike në Drejtorinë e Krimit të Organizuar. Në strukturë ky komisariat ka pasur 95 punonjës. Objekti i këtij reparti special, ka qenë mbrojtja e zyrtarëve me funksione të veçanta, si gjyqtarët, prokurorët, personalitete që kërkonin mbrojtje të veçantë, apo persona që kërkonin mbrojtje. Efektivët e kësaj strukture kryenin edhe disa operacione speciale, por me rezikshmëri të ulët. 16 efektivët të cilët preken nga hyrja në fuqi e strukturës së re policore, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë do të jenë në dispozicion dhe do të shërbejnë në struktura të tjera të policisë, në momentin kur do të gjenden vendet e punës.
 
STRUKTURA E RE
Policia e Shtetit që nga data 5 maj 2014 është me një strukturë të re, ku janë bërë ndryshime të konsiderueshme. Nga 5 Departamente që kanë pasur uniformat blu me strukturën e re janë 4 të tillë. “Shqiptarja.com” ka siguruar organigramën e re të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në të cilën janë bërë ndryshimet në përputhje me objektivat e qeverisë. Organigrama e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është dyfishuar, në përpjestim të drejtë dhe me rritjen e numrit të krimeve në familjeve, vrasjeve, vjedhjeve me dhunë, trafiqeve të paligjshme të drogës dhe të qenieve njerëzore.

Emrat/ Largimi i 5-ish drejtuesve të lartë
Pesë ish-drejtues në Policinë e Shtetit janë liruar në datë 4 qershor me urdhër të Drejtorit, Artan Didi. Të liruarit ushtronin detyrën e specialistit në Drejtorinë e Studimeve Strategjike. Ish –drejtuesit e liruar nga detyra janë: Tonin Vocaj, ish-Drejtor i Krimeve të Rënda, Astrit Halili, ish- Drejtor i Standardeve  Profesionale, Arjan Bozhaj, ish-Drejtori i Policisë në Qarkun Fier, Nikolin Bala, ish-Drejtor i Operacionales në Polici, Artan Cuku, ish drejtor i Policisë së Vlorës.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)