TIRANE, 14 Korrik/ATSH/- Ministria e Zhvillimit Urban ka mirëpritur 23 studentë për zhvillimin e praktikës, në kuadër të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës në administratën shtetërore dhe institucionet e tjera publike, të iniciuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, me qëllim zhvillimin e politikave rinore.
Ministria e Zhvillimit Urban së bashku me agjencitë e saj kanë pranuar 100 të rinj, që vijnë nga fusha të arkitekturës, urbanistikës, inxhinierisë, ekonomisë, shkencave shoqërore, juridike, etj.
Programi Kombëtar i Praktikave të Punës synon të përfshijë pjesëmarrësit në një eksperiencë pune të integruar e në ndërveprim me profesionistë karriere në administratën publike, me qëllim përfitimin e një përvoje kualifikuese që ndikon në zhvillimin e shprehive të tyre praktike, në njohje me sistemin administrativ publik.
Programi Kombëtar i Praktikave të Punës zgjat nga 3-12 muaj. Kjo periudhë e zhvillimit të praktikës do të njihet si përvojë pune, gjatë procedurave të rekrutimit në institucionet e administratës publike, në të ardhmen./a.g/