Studentët e Maqedonisë së Veriut nuk janë vetëm dhe bashkëmoshatarët e tyre nga Shqipëria e Kosova do t’u qëndrojnë pranë deri në realizim të kërkesave. Ky është premtimi që shprehu edhe një prej studentëve të Tiranës, i pranishëm në protestën që po mbahet në Tiranë.

“Ata menduan se studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut janë vetëm, por harruan se një Shqipëri e tërë ka sytë e mendjes e zemrës mbi ta. Shija e pushtetit u bëri gjakun ujë disave dhe i bëri të pyesin nëse vlen ose nuk vlen kauza. Studentë shqiptarë u gjendën nën terror psikologjik, 8 orë rrugëve të Maqedonisë, por nga dëshpërimi për pushtet injoruan atë që i solli në pushtet, gjuhën shqipe. U morën me lapsuse të prodhuara nga lodhja, rebelizmi dhe antagonizmi i tentativave që po bëjnë për të gjymtuar të drejtat e studentëve shqiptarë në RMV. Studentët shqiptarë po bëjnë atë që duhet të bënin politikanët atje. Për ne gjuha shqipe është e shenjtë. Kapur pas flamurit dhe gjuhës shqipe, shqiptarët i kanë mbijetuar shekujve. Shqiptaria nuk di të ndalet, ne do të jemi me ta deri në fund, deri në realizimin e kërkesave të tyre!”, tha studenti.


Lajmi kryesor:

Protesta për gjuhën shqipe/ Studentët thirrje para ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë: Nuk ndalemi deri në përmbushje të kërkesave