Studimi/ Ekonomia shqiptare u detyrohet 8.11 miliardë € partnerëve të huaj

Studimi/ Ekonomia shqiptare u detyrohet 8.11 miliardë € partnerëve të huaj

Banka e Shqipërisë

Stoku i borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë, ku përfshihet, jo vetëm shteti, por edhe privatët, shënoi vlerën totale prej 8.11 miliardë eurosh në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2018, ve në dukje një studim i publikuar nga ana e Bankës së Shqipërisë. Sipas studimit, kjo shifër përfaqëson një rritje me rreth 3.2% në terma vjetorë. Stoku aktual vlerësohet në nivelin 66.8% ndaj PBB-së nominale, por ky raport është rreth 3.4 pikë përqindje më i ulët krahasuar me atë të së njëjtës periudhë një vit më parë.

Në fund të gjysmës së parë të vitit 2018, 80% e stokut të borxhit vlerësohet të jetë borxh afatgjatë (përfshirë investimet e huaja direkte), kryesisht në formën e huave. Borxhi afatshkurtër vlerësohet në rreth 20% ndaj totalit, i marrë kryesisht në formën e monedhave dhe depozitave nga sektori i korporatave depozituese (përjashtuar bankën qendrore).

Sektorët
Në një ndarje më të detajuar sipas sektorëve, historikisht stoku i borxhit të jashtëm të qeverisë së përgjithshme ka zënë peshën më të madhe ndaj totalit. Pjesa tjetër e stokut të borxhit është shpërndarë midis: korporatave depozituese (përjashtuar bankën qendrore) 17.3%; sektorëve të tjerë të ekonomisë 16.5%; investimeve të huaja direkte (huatë ndërkompani) 22.3%; dhe autoritetit monetar 0.8%.

Në krahasim me Prodhimin e Brendshëm Bruto, borxhet e jashtme kanë shënuar të gjithë ulje, por ato të shtetit janë ulur më me shpejti. Qeveria e përgjithshme mbetet sektori me peshën më të madhe në totalin e stokut të borxhit të jashtëm, me rreth 43.4%. Stoku përkatës u zgjerua me rreth 3.6% në terma vjetorë, duke arritur vlerën 3.52 miliardë euro. Por, në raport me PBB-në nominale, stoku u vlerësua në nivelin 29%, rreth 1.4 pikë përqindje më i ulët krahasuar me një vit më parë.

Nga ana e tij, stoku i borxhit të jashtëm bruto të korporatave depozituese (përjashtuar bankën qendrore) rezultoi në 1.42 miliardë euro, në rritje me rreth 4.9% krahasuar me një vit më parë. Stoku vlerësohet në nivelin 11.7% ndaj PBB-së nominale, rreth 0.4 pikë përqindje më i ulët vit mbi vit. Stoku i borxhit të jashtëm të sektorëve të tjerë u vlerësua në rreth 1.3 miliardë euro, duke shënuar një rënie prej 1.5% vit mbi vit. Pesha e tij në totalin e stokut të borxhit të jashtëm ishte 16.5%, rreth 0.3 pikë përqindje më e ulët krahasuar me një vit më parë.

Stoku i huave ndërkompani të investimeve të huaja direkte shënoi vlerën 1.7 miliardë euro – i pakësuar me rreth 2.4% krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2017. Në raport me PBB-në nominale, stoku qëndron në nivelin 14.1%, rreth 1.6 pikë përqindje më i ulët krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2017. Ndër vite, stoku i investimeve të huaja direkte - huave ndërkompani ka shfaqur rritje të shpejtë, veçanërisht duke filluar nga tremujori i tretë i vitit 2010. Niveli më pas u stabilizua rreth vlerave 22-24%, në vitet 2014 dhe 2015. Në fund të periudhës në analizë, pesha e stokut të investimeve të huaja direkte – huave ndërkompani ndaj totalit të borxhit të jashtëm rezultoi rreth 21.1%, rreth 1.2 pikë përqindje më e ulët krahasuar me një vit më parë.

Pagesat
Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018, shërbimi total i borxhit (principali dhe interesat) nga të gjithë sektorët e ekonomisë ishte 179.4 milionë euro, përafërsisht 2.9% ndaj PBB-së nominale të gjashtëmujorit. Ky raport është lehtësisht më i ulët krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2017.

Borxhi i ri i marrë nga e gjithë ekonomia gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018, ishte 250.2 milionë euro. Tërheqjet u dominuan nga borxhi i sektorëve të tjerë, të cilat përfaqësuan rreth 55.8% ndaj totalit të borxhit të ri të disbursuar. Në vend të dytë, ndjekin “korporatat depozitëmarrëse” me rreth 24.7% të totalit dhe më pas, vjen “qeveria e përgjithshme” me 19.8% të totalit.

Tregtia
Një nga treguesit e ecurisë dhe performancës së ekonomisë së një vendi është edhe raporti i borxhit me eksportet. Treguesi i borxhit të jashtëm bruto kundrejt eksportit të mallrave dhe të shërbimeve rezulton se ka shfaqur tendenca të një përmirësimi të ndjeshëm prej tremujorit të tretë të vitit 2016. Në fund të tremujorit të dytë 2018, vlera e këtij treguesi ishte rreth 167.9%, duke u zvogëluar me rreth 15.9 pikë përqindje në nivel vjetor. Por, megjithë këtë përmirësim të qenësishëm, raporti ndodhet ende mbi pragun teorik maksimal prej 150%.

Taksat
Sa i takon raportit borxh/ të ardhura fiskale, ai vlerësohet në nivelin 245.3%. Ky tregues është ngushtuar me 8.2 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Nga ana e vet, treguesi i borxhit të jashtëm bruto vetëm të qeverisë së përgjithshme kundrejt të ardhurave fiskale që ka siguruar ajo ka shfaqur dinamikë të njëjtë. Raporti i regjistruar prej 106.5% rezulton rreth 3.2 pikë përqindje më i ulët krahasuar me një vit më parë.

Rezervat
Stoku i rezervës valutore në vendin tonë është i mjaftueshëm për të mbuluar borxhin e jashtëm afatshkurtër, thekson raporti. Pragu kritik i këtij treguesi është 100%. Në rast se raporti do të qendronte poshtë këtij pragu, kjo do të përkthehej në një pamjaftueshmëri të stokut të rezervës valutore. Por që prej tremujorit të parë të vitit 2015, ky tregues është zgjeruar me ritëm të përshpejtuar vjetor, si pasojë e mjeteve më të larta valutore. Në fund gjashtëmujorit të dytë 2018, stoku i rezervës valutore mbulonte rreth 182.6% të borxhit të jashtëm afatshkurtër.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar