Studimi i dytë Demografik dhe Shëndetësor, Manastirliu: Trende pozitive, por kemi ende shumë punë për të bërë

Studimi i dytë Demografik dhe Shëndetësor, Manastirliu: Trende pozitive, por kemi ende shumë punë për të bërë

Ogerta Manastirliu, Ministrja e Shendetesise dhe Mbrojtjes Sociale

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Instituti Kombëtar i Statistikave (INSTAT) publikojnë rezultatet e Studimit të dytë Demografik dhe Shëndetësor Shqiptar 2017-2018, të cilët konfirmojnë trendin pozitiv të rritjes së aksesit në shërbime shëndetësore afër vendbanimit të qytetarëve.

Ministrja Ogerta Manastirliu u shpreh se të dhënat e gjeneruara prej studimit e ndihmojnë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që ta orientojë buxhetin sipas nevojave reale, për të bërë investime efikase, në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit shëndetësor.

Duke u ndalur në investimet në shëndetësi, Manastirliu u shpreh se buxheti është rritur me 43.3% në 5 vitet e fundit.

"Sot spitalet rajonale kanë rritur aktivitetin e tyre spitalor me mesatarisht 20% më shumë pacientë të shtruar dhe të trajtuar. Çdo të thotë kjo shifër? Janë pacientë që deri dje shpenzonin kohë dhe para për të udhëtuar drejt Tiranës për shërbime që sot i marrin afër vendbanimit. Ndaj ne do investojmë në sistemin shëndetësor 3 miliardë e 150 milionë lekë në vitin 2019, pikërisht për të rritur cilësinë e shërbimit aty ku qytetarët kanë nevojë”, tha Manastirliu.

Konkretisht, Studimi Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri (ADHS) 2017-2018 bën me dije se:

- 88% e grave që kanë lindur fëmijë gjatë 5 viteve të fundit kanë marrë shërbime shëndetësore gjatë shtatzënisë nga personel i kualifikuar shëndetësor.

- 78% e grave kanë kryer më shumë se katër vizita shëndetësore gjatë shtatzënisë.

- Rreth 99% e lindjeve janë realizuar në maternitete dhe në 100% të rasteve këto lindje kanë qenë të asistuara nga personel shëndetësor i kualifikuar.

-  Njohuritë mbi planifikimin familjar janë pothuajse universale në Shqipëri, ku rreth 97% e individëve të intervistuar ishin në dijeni të të paktën një metode kontraceptive.

-  Ka një përmirësim të dukshëm të ushqyerjes së fëmijëve 0-5 vjeç në krahasim me studimin e parë të 2008-09. Aktualisht, vetëm 11% e fëmijëve janë stunted (të shkurtër për moshën), 2% janë ëasted (të dobët për gjatësinë e tyre), 16% janë mbi peshë dhe vetëm 2% janë nën peshë.

Manastirliu u shpreh rreth të dhënave të mësipërme se pavarësisht se reflektojnë rritjen e aksesit në shërbime shëndetësore, ka ende shumë për t'u bërë.

"Këto të dhëna padyshim reflektojnë rritjen e aksesit në shërbime shëndetësore por ne jemi të vetëdijshëm se më shumë duhet bërë. Ndaj me buxhetin 2019 investojmë për rijetësimin e 5 Materniteteve Lezhë, Berat, Kukës, Mat dhe Pogradec sepse për ne, kujdesi për nënën dhe fëmijën vjen i pari”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndal edhe te rritja e pagave për stafin mjekësor.

“Vetëm në 2 vite po rrisim me 17% pagat për asetin tonë më të çmuar, mjekët dhe infermierët. A janë mjaftueshëm? Ne e dimë se kemi ende shumë për të bërë por jam këtu për t’i siguruar që mbështetja për ta do të vijojë me rritje page dhe incentiva financiare edhe në vitet në vijim”, tha Manastirliu.

Studimi Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri ofron të dhëna për modelet demografike, lindshmërinë, planifikimin familjar, shëndetin e nënës dhe fëmijës, njohuritë mbi HIV dhe AIDS, ushqyerjen, fuqizimin e gruas, faktorët e riskut të lidhur me stilin e jetesës dhe Sëmundjet Jo të Transmetueshme.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

'Klanet, korrupsioni dhe arroganca e organizatorëve!', Barrikada FC tërhiqet nga çdo garë e FSHF dhe Sunday League Albania

'Klanet, korrupsioni dhe arroganca e organizatorëve!', Barrikada FC tërhiqet nga çdo garë e FSHF dhe Sunday League Albania