Një studim i ri mbi koronavirusin ka zbuluar se Covid mund të ‘udhëtojë’ deri 4 metra larg nga personi i infektuar dhe të arrijë te një subjekt i shëndetshëm në një kohë të shkurtër
‘Koronavirusi mund të lëvizë deri në 4 metra larg nga burimi i tij fillestar edhe në mungesë të erës’, - Kjo është ajo që, me pak fjalë, del nga një studim i kohëve të fundit mbi pikat që transmetojnë patogjenit nga një individ i infektuar te një i shëndetshëm. "Distanca sociale prej 1-2 metrash mund të mos jetë e mjaftueshme për të parandaluar grimcat të shkojnë nga një person te një tjetër”, - kanë paralajmëruar autorët e hulumtimit.
Punimi u botua në revistën shkencore ‘Physics of Fluids’ dhe u krye nga disa prej inxhinierëve më të dalluar në botë të aerodinamikës dhe fizikës, me kontributin edhe te Shkollës së Inxhinierisë ‘UC San Diego Jacobs’, të Universitetit të Torontos dhe Institutit Indian te Shkencave.
Duke vëzhguar të dhëna specifike, ekspertët zbuluan se koronavirusi mund të arrijë një distancë prej më shumë se katër metra larg nga burimi edhe në mungesë të erës.
Në bazë të asaj që është konstatuar, “distanca sociale prej 1-2 metrash mund të mos jetë e mjaftueshme pa maska", thonë studiuesit.
Transmetimi pak a shumë i shpejtë i pikave Covid varet në mënyrë të pashmangshme edhe nga kushtet e favorshme klimatike.
Fizika e pikave "Varet ndjeshëm nga moti, - deklaroi Abhishek Saha, professor i Inxhinierisë në Universitetin e San Diego.
“Nëse klima është e ftohë dhe e lagësht, pikat e dala pas një tështime do të përhapen më shumë krahasuar me rastin nëse klima është e nxehtë dhe të thatë, ku ato do të avullojnë më shpejt”.
Një nga zbulimet më interesante në hulumtim ka të bëjë me ndërveprimin midis viruseve dhe klimës: në një temperaturë prej 35 gradë me lagështi relative 40%, një pikëz mund të lëvizë gati 2.5 metra. Por në 5 gradë dhe me lagështi 80%, distanca që mund të mbulojë ‘rrugëtimi’ i pikave Covid tejkalon 3.6 metra. E gjitha varet nga madhësia e pikave: pikat prej 14-48 mikronë paraqesin një rrezik më të madh të infektimit sepse ato marrin më shumë kohë për të avulluar dhe për të udhëtuar në distanca më të gjata. Grimcat më të vogla, nga ana tjetër, avullohen në një pjesë të sekondës ndërsa ato më të mëdha vendosen shpejt në tokë për shkak të peshës së tyre. Këto vëzhgime, theksojnë autorët, janë "dëshmi te mëtejshme" e rëndësisë së mbajtjes së maskave, si "të afta për të bllokuar grimcat e dimensioneve më kritike të Covid".