Të dhënat e këtij skandali të hershëm në auditoret universitare vijnë edhe njëherë tjetër në vëmendje të publikut dhe Ministrisë së Arsimit përmes një studimi. Të dhënat janë alarmante dhe i kalojnë kufijtë e skandalit.
Studimi i Qendresës Qytetare i financuar nga Bashkimi Europian tregon se 87% e studentëve kanë përjetuar presione për t’u përfshirë në raste korruptive nga stafi akademik apo sekserëve të tyre. Sipas studimit, forma më e përhapur e korrupsionit është pagesa në shkëmbim të notës, detyrimi për blerjen e librave të panevojshëm apo kërkesat për favore seksuale nga stafi akademik.
Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit është gjendja më problematike, ku 77% e studentëve pohojnë se në universitetin e tyre ka korrupsion, vijon pastaj 62% e studentëve në universitetet e Tiranës, ndjekur nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku 42% e studentëve hasen me korrupsionin.
Kjo panoramë skandaloze në arsimin e lartë univeristar konfirmohet nga vetë studentët të cilët për Report Tv pranojnë se fenomeni i blerjes së provimeve është tashmë një praktikë rutinë.
Por nuk është vetëm blerja e provimeve. Studentët hedhin dritë edhe për fenomene të tjera brënda arsimit të lartë që janë po aq shqetësuese. Niveli i lartë i pranisë të korrupsionit aktiv dhe pasiv në marrëdhënien pedagog-student është një këmbanë alarmi pasi cilësia e profesionistëve që prodhojnë auditoret e universiteteve është e deformuar.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

VIDEO










