Pasuria historike, etnografike dhe kulturore e Zadrimës vjen e dokumentuar në librin “Zadrima, krahina e lashtë me vlera e veshje unike”, me autore Liza Brunga dhe Mirela Dragusha.
“Ne nuk e dinim se sa vlerë, sa identitet dhe sa simbolikë kishin veshjet e nënave e gjysheve tona. Kështu filluam unë me pjesën historike, duke nxjerrë elementë të lashtësisë së saj, dhe Mirela me pjesën etnografike.”, tha autorja Liza Brunga.
“Duke e patur atë dhuratë të gjyshes prej 20 vitesh, që unë e ruaj me shumë dashuria thashë vetes pse të mos bëj diçka për këtë veshje kaq të mrekullueshme dhe të pasqyroj mundin që këto heroina kanë bërë kohë më përpara e fatmirësisht disa vazhdojnë edhe sot.”, tha autorja Mirela Dragusha.
Botimi u promovua pranë muzeut kushtuar kësaj treve në Lezhë, ndërsa nisma për realizimin e tij nisi dy vite më parë, me synimin për të dokumentuar vlerat dhe veçoritë e veshjes tradicionale zadrimore.
“Nisma e tyre më tepër se intelektuale është një një nismë misionare. Madje, duke pasur parasysh pasurinë e Zadrimës, nuk është aq mjaftueshëm sa kjo pasuri është.”, tha botuesi Frano Kulli.
Përmes këtij botimi, autoret synojnë të sjellin në vëmendje jo vetëm bukurinë e veshjes zadrimore, por edhe punën, mjeshtërinë dhe trashëgiminë e grave që e kanë ruajtur ndër breza.
“Ky është një libër studimor mbi veshjen zadrimore, i realizuar me përkushtim të admirueshëm. Një përpjekje fisnike për të shpëtuar nga harresa një pasuri që mbart jo vetëm estetikë, por edhe shpirt, histori dhe qytetërim.”, tha shkrimtari Ndue Dragusha.
Të pranishmit e vlerësuan librin si një kontribut të rëndësishëm për dokumentimin shkencor dhe ruajtjen e identitetit kulturor të Zadrimës. Përmes këtij botimi, trashëgimia e Zadrimës merr një dëshmi më shumë për t’u ruajtur, studiuar dhe përcjellë te brezat e ardhshëm.












Komente
Komento